Armët kimike, mision i dështuar gjeopolitik i Rusisë

Armët kimike, mision i dështuar gjeopolitik i Rusisë

Lufta e Sirisë ishte tepër e pashpirtë për popullin sirian, mori dhjetëra mijëra jetë të pafajshme dhe tronditi ndërgjegjen botërore kur nëpër rrjetet ndërkombëtare televizive u pasqyruan njerëz e fëmijë të helmuar, në prag të vdekjes duke i dalë shkumë nga goja për shkak të armëve kimike që përdori diktatori Assad kundër popullit të tij. Kjo luftë tërhoqi vëmendjen e mbarë botës aq shumë, saqë përçau edhe aleatë strategjikë sa i përket çështjes nëse duhet, apo jo të ndërhyet ushtarakisht në të për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë. Përplasjet më të zjarrta dilomatike u bënë midis SHBA-së dhe Rusisë; sekretarit të Shtetit, John Kerry dhe ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavror; një shteti që e ka në kulm zhvillimin e demokracisë dhe një shteti gjysmëdiktatorial.
Këta diplomatë kanë diskutuar çdo detaj mes tyre për fatin e mëtejshëm të Sirisë, padyshim. Sigurisht që kanë diskutuar edhe për destinacionin e mundshëm të shkatërrimit të armëve kimike. Personalisht mendoj se problemin e demontimit të armëve kimike këta diplomatë e kanë zgjidhur me kohë, kanë zgjedhur t’i shkatërrojnë armët kimike në çdo cep të globit, veç Shqipërisë. “Po pse gjithë ky diskutim, ankth, terror, gjithë këto protesta?” do të pyeste dikush. Në fakt, ekzistojnë shumë faktorë që më bëjnë të mendoj se hedhja në publik “duke fshehur dorën” e tezës së shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, është bërë për qëllime të pastra gjeopolitike të Rusisë për të dobësuar ndjenjat proamerikane në rajon e veçanërisht ndër shqiptarët, që dihet se janë më të lartat në Evropë: mediat shqiptare u çjerrën duke thënë se nuk disponojnë informacione të mjaftueshme për të bërë një interpretim më të plotë të lajmit. Në këtë mënyrë, ato, pa vetëdije, thjeshtë duke përmendur në publik fjalët “armë kimike në Shqipëri”, ulin “kokat dhe krahët” e Shqiponjës së flamurit shqiptarë, që Qeveria aktuale ia ngriti, siç pretendon. Lajmet e servirura deri tani janë bërë nga disa njerëz anonim, dhe nga telefonata 30 minutëshe që Kerry i ka bërë kryeministrit Rama, e cila padyshim është pjesë e marrëveshjes Kerry-Lavrov, edhe në planin sentimental.
 Pas marrëveshjes së arritur midis Lavrovit dhe Kerrit për të mos ndërhyrë ushtarakisht në Siri dhe për të shkatërruar armët kimike, shumë media perëndimore theksonin faktin se Rusia e mposhti me diplomaci SHBA-në. Këtu ekziston njëfarë e vërtete, por lind edhe pyetja magjike: “Çfarë i ka kërkuar më tej Rusia SHBA-së për të përfunduar definitivisht marrëveshjen?”. Është e thjeshtë: të dobësojë sa të ketë mundësi influencën amerikane në rajon, aty ku ajo është më e fortë e ku ka të çara për t’u bërë e mundur një gjë e tillë. Shqipëria do të ishte vendi ideal për këtë çështje: ndjenja proamerikane është më e larta në Evropë, por ekzistojnë më shumë se 5 fe, përfshirë edhe komunizmin; krahinizmi dhe injoranca është e theksuar; influenca ruse është kosiderueshëm prezente, e cila haset kryesisht në ato porcione ortodokse të popullsisë që nuk janë autoktone shqiptare apo s’duan të quhen shqiptarë, dhe në komunistët injorant (që s’e kanë idenë e komunizmit por që kanë jetuar mirë falë bindjes, dhe shpresojnë verbërisht), të cilët gjenden në të dy krahët e politikës dhe në një sërë institucionesh drejtuese. Për më tepër: një terror i kësaj natyre do të ishte një ide gjeniale pak javë pas takimit të treshes superproamerikane Thaçi-Erdogan-Rama, i cili me një gurë tenton të “vrasë dy zogj”: të relativizojë influencën turke në kulmin e entuziazmit të saj (me vizitën e Erdoganit), dhe të krijojë pyka dhe ndjenja negative ndaj Amerikës.
Pra, të gjitha këto arsye më bëjnë të mendoj që armët kimike nuk do të çmontohen kurrë në Shqipëri, por kjo është thjeshtë një lojë gjeopolitike ruse, që në fakt jo vetëm që nuk ka përmbushur misionin rus gjeopolitik, por neve si shqiptarë na ka bërë më mirë: ka zgjuar ndërgjegjen qytetare, ka bërë që qytetarët të njohin veten e tyre dhe të kuptojnë se kur janë viktima dhe se kur janë duke u përdhunuar nga politika.
Mjafton t’i hedhim një vështrim disa pak fakteve të paraqitura në vijim për të kuptuar se sa e ndotur është Shqipëria, për të kuptuar që demontimi i armëve në Shqipëri është një utopi e përpunuar në zyrat e Moskës, që në fakt do mbetet e tillë.
Në vendin tonë, sipas monitorimeve vendase dhe të huaja, ka disa vatra “të nxehta”, në të cilat të gjitha parametrat mjedisorë janë tej normave të lejuara. Disa prej tyre janë (Gjeografia Fizike e Shqipërisë; 2006, Perikli Qiriazi, 337-338):
Ndërmarrja Kimike Durrës, gjatë punës dhe me kimikatet e rrezikshme (lindan, klorobenzen, kripra të kromitit, izomeri beta-HCH) të hedhura pas ndërprerjes së punës, ka ndotur tokën dhe ujin e një zone prej disa kilometra katrorë. Mijëra njerëz, të ardhur nga zonat malore të vendit sot jetojnë në, ose rreth kësaj zone të tejndotur: familjet jetojnë në shtëpi të ndërtuara me tulla të kontaminuara, fëmijët luajnë në toka të kontaminuara, lopët dhe delet që përdoren për qumësht, kullosin nëpër toka të kontaminuara dh pijnë ujin e puseve që përmban 4,4 miligram për litër klorobenzen, që është 4000 herë më e madhe se sa niveli për ujin e pijshëm të BE-së. Në mostrën e qumështit të marrë nga një lopë u gjet përqendrim i izomerit beta-HCH deri 100 herë më i madh se ai i BE-së.
Uzina e PVC-së Vlorë. 4 km në veri të Vlorës ndodhet kompleksi i prodhimit kimik, i përbërë nga fabrika e klorit dhe alkalit. Megjithëse u mbyll në vitin 1992 dhe u shkatërrua në vitin 1997, kjo uzinë kërcënon shëndetin e familjeve të vendosura në territorin e saj dhe të gjithë zonës përreth. Tokat përreth saj janë të kontaminuara me merkur deri në thellësinë 1,5 m. Në një mostër toke janë gjetur mbi 1000 herë sasi të merkurit të lejuar nga BE. Në këto toka luajnë fëmijë, kullosin bagëti dhe kultivohen perime. Madje ndotja është shtrirë edhe në ujrat detare të gjirit të Vlorës.
Fushat naftënxjerrëse Marinzë, Patos dhe gjetkë. Fusha e Marinzës, me sipërfaqe 200 km² dhe me rreth 2000 puse, është burim i kontaminimit të lartë të tokë, ujërave nëntokësore dhe ajërit, megjithëse janë bërë investime vitet e fundit në aspektin e teknologjisë, në kontekstin mjedisorë problemi mbetet permanent dhe duhen bërë përmirësime të vazhdueshme. Këtu mund të futet edhe “Pusi i Shpiragut” në Berat, një vendburim i ri nafte i zbuluar para pak javësh nga kompania holandeze “Royal Shell” dhe “Petromanas”, i cili kërkon monitorim dhe energji të vazhdueshme, pasi në çdo rast përbën një rrezik potencial.
Sharra - vendi i shkarkimit të plehrave të Tiranës. Këto plehra po ndotin rëndë ambjentin përreth. Ndotja vjen nga ajri i ndotur, gazrat helmues e kancerogjenë, pluhuri me përmbajtje metalesh të rënda etj.
Uzina e plehrave azotike Fier Kjo uzinë ka kontaminuar me arsenik në nivele alarmante tokat dhe sidomos ujërat nëntokësorë, që ushqen një lum i cili furnizon puset lokal me ujë të pijshëm.
Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, ka filluar punën në vitin 1977 deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe ka prodhuar kok, çelik, gizë, dhe sasi të vogla nikeli. Deri në çastin e mbylljes ky kombinat ka qenë burim i madh ndotjes së ajrit me gazra helmues dhe i ujërave nëntokësor. Tashmë në këtë kombinat ushtron aktivitetin kompania turke “Kurum”, e cila është bërë shpesh objekt i mediave për shkak të ndotjeve të mëdha që prodhon.
Fabrika e Bakrit Rubik, u mby në vitin 1998 pas 30 vitesh punë, gjatë të cilëve ka ndotur tej kufijve të lejueshëm ajrin , tokat dhe ujërat me shkarkimin e tretësirave.
Uzina e superfosfatit Laç ka punuar nga viti 1967 deri në vitin 2000. Ajo ka përdorur fosfatin e kalciumit për prodhimin e plehrave kimike, e cila ka ndotur rëndë tokat, ujërat dhe ajrin përreth.
Veç këtyre pikave të nxehta ambjentale, ekzistojnë pambarim faktorë të tjerë që e ndotin vazhdimisht ajrin në vend, mund të përmendim fabrikat e çimentos të ngritura vitet e fundit, prerjen pa pikë kriteri të pemëve, shfrytëzimin kafshërorë të tarracave lumore etj.
Pra, të gjithë këto faktorë më bëjnë të besoj se kryeministri Rama do t’i thotë një “jo” kategorike demontimit të armëve siriane në vend.
Previous Post Next Post