4 vite burg për Shpëtim Gjikën, kërkon Prokuroria

4 vite burg për Shpëtim Gjikën, kërkon Prokuroria
Në seancën e sotme gjyqësore ndaj kreut të bashkisë së Vlorës, Prokuroria kërkon që Shpëtim Gjika të dënohet me 4 vite burg dhe t’i hiqet e drejta të ushtrojë funksion publik për 3 vite. Kreu i bashkisë së Vlorës, i cili akuzohet për “falsifikim të dokumenteve të personit që ka për detyrë t’i lëshojë”, nuk ishte i pranishëm në seancë.

Sipas Prokurorisë, kryebashkiaku i Vlorës së bashku me të pandehurën Eleni Dardhaj, akuzohen se kanë falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së KRRT, në të paktën dy raste.

 Për shtetasen Eleni Dardhaj, Prokuroria ka kërkuar dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 vitesh.

Për këtë çështje, akuza ka kërkuar dënimin me 2 vjet e gjashtë muaj burg për shtetasin Blerdi Liçaj dhe me nga dy vjet burgim për shtetasit Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”, të parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal.

Për Prokurorinë e Vlorës, dy zyrtarët e Bashkisë Vlorë kanë falsifikuar dy proces-verbale të mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit, në bazë të të cilave u janë dhënë leje ndërtimi disa shtetasve bashkëpronarë dhe një shoqërie ndërtimi. Por në të gjitha seancat gjyqësore, Shpëtim Gjika ka mohuar akuzat e falsifikimit të dokumenteve, duke argumentuar se çdo vendim i KRRT-së është marrë në mënyrë kolegjiale.

“Prokuroria kërkon nga gjykata që të shpalli fajtor shtetasit e sipërpërmendur, si edhe të urdhërojë prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “Deco System” sh.p.k në vendin e quajtur “Tre Racat”, Vlorë, si edhe prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “EN-BJO” sh.p.k, e ndodhur pranë Portit Detar Vlorë, dy objekte për të cilat prokuroria deklaron se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të tjerë të falsifikuara dhe që janë provuar si të tilla gjatë këtij gjykimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./shqiptarja.com/.
Previous Post Next Post