Loading...

Mbas "2159’’vitesh të favorizuar gjeopolitikisht

Që prej shpikjes së  këtij termi prej Kjellenit tek  determinizmi i Ratzelit, duke vazhduar me“Heartlandin” e Makinderit e deri në ditët tona, ky term është në rimodelim të vazhdueshëm, dhe mos në një formë apo në një tjetër (shumë studiues mendojnë se ky term duhet zëvendësuar me “gjeoekonominë”, që do të thotë se orientimi i kombeve drejtë tregut po bëhet më i fuqishëm se drejtë fuqisë ushtarake) do vazhdojë të bluaj mendjet e njerëzve, studjuesve e të politikanëve në mbarë botën.

 Aspektet gjeopolitike hasen në përdorim të përditshëm nëpër gazeta, revista, radio, televizione,  dhe priren të reduktojnë qeveritë apo shtetet ne një përshkrues të thjeshte si “Londra”, “Moska”, “Uashingtoni”, “Tirana” etj. Gjeopolitika paraqet mënyrën e vet të të  parit të botës dhe ndihmon njerëzit rreth kuptimit të saj. Duke përdorur metaforën ose përshkrime si  “perde e hekurt”, “perandoria e djallit”, “botë e tretë”, “boshti i djallit”, etj., gjeopolitika paraqet një panoramë të caktuar të globit, dhe në një farë mënyre përligj veprimet pasuese në mënyrën e bërjes së politikave të jashtme nga aktorët respektiv. Gjeopolitikë është mbyllja e rrubinetave të gazit Ukrainës nga ana e Rusisë në 2008, dhe e realizojë qëllimin duke bërë që Ukraina të bie sërish nën influencën e Rusisë me vendosjen e gjuhës ruse si gjuhë të parë shkollat ukrainase. Gjeopolitike ishte vizita e Presidentit Rumun në Shqipëri më 2008, i cili i kërkoi presidentit të atëhershëm shqiptar, Bamir Topi që të krijohej mundësia për hapjen e shkollave për mësimin e gjuhës rumune. Mitrovica dhe kërkesa për ndarjen e Kosovës nga ana e Serbisë është gjeopolitikë e kulluar. Gjeopolitikë është edhe kur një klerik grek këndon këngë çame në kanalin kryesor televiziv kombëtar të këtij vendi (më datë 24/01/2010 ora 10:00,kanali televiziv kombëtar grek ERT transmeton një këngë çame, të cilën e këndonte një prift). Ndërsa deklarat provokuese të Kristos Papas të bëra së fundmi, janë gjeopolitikë e tipit ultrafashisht, pikërisht në aspektin e pushtimit dhe zaptimit, se po t’i hyjmë fizionomisisë së rracës, kam frikë se shumica e grekëve të sotëm do të dalin shqiptarë.

 Pra gjeopolitika përfshin aspekte nga të gjitha shkencat sociale me një theks të veçantë në gjeografinë politike, aspekteve territoriale të shkencave politike, marrëdhënjeve dhe ligjeve nderkombëtare.

 Në nëndor të vitit 1939 në SHBA, gazeta ‘’Life’’ publikoi një artikull mbi gjeografin gjerman Karl Haushofer duke e përshkruar atë si një këshilltar shpirtëror i gjeopolitikës.Ky artikull mbronte idenë se gjeopolitika si një praktikë shkencore, nuk i dha nazizmit vetëm një sens të arsyetimit strategjik, por gjithashtu investoi në një formë pseudo-shpirtërore. Të dy aspektet ishin të mjaftueshme për të modeluar mendjen e publikut dhe qëndrimin e elitave në SHBA. Në këtë prizëm, gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë studjues gjeografie  punuan në drejtim të mbështetjes së idesë se gjeopolitika është një mashtrim intelektual, e dyshuar ideologjikisht, dhe e njollosur duke qenë e shoqëruar me nazizmin. Ndërkohë që kur ky term po humbiste kredibilitet në SHBA, Japoni dhe Evropë, shfaqet papritur  një argument ku thekson se srategjia amerikane e luftës së ftohtë ishte padyshim e inspiruar nga idetë gjeopolitike. Dokument dorëzuar Presidentit Truman nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë (NSC-68 doc), ku paralajmëronte dominimin e Bashkimit Sovjetik. Si rrezultat, 10 vite pas nga formimi të NATO-s, SHBA krijuan pakte sigurie në Australazi, në Azinë Qëndrore dhe vendosën marrdhënje bilaterale sigurie me Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Në këtë sens, është normale të mendojmë se, të gjithë kombet apo shtetet kanë strategjitë e veta gjeopolitike apo “gjeoekonomike”. Personalisht, më duket e arsyeshme të etiketoj gjeopolitikën si, arti i përdorimit të fuqisë politike duke u bazuar në kushte konkrete gjeografike, marrëdhënjet dhe ligjet ndërkombëtare.

Pse të favorizuar gjeopolitikisht mbas 2159 vitesh? Që nga pushtim romak i Ilirisë 168 Para Krishtit, e deri në  1991 kur Shqipëria filloi të njihet ndërkombtarisht si Republika e Shqipërisë, bëjnë pikërisht aq vite. Pasi pas fitimit të pavarësisë më 1912, interesat e fuqive me peshë në arenën globale si Angia dhe Franca, për shkaqe që dihen, nuk përputheshim me interesat kombëtare të Shqipërisë. Pra favorizimi i Shqipërisë gjeopolitikisht lidhet kryesisht me shembjen e Murit të Berlinit, shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Besoj se nuk është momenti të ndalemi në detaje por le të citojmë shkurt vetëm shtetet apo perandoritë që kanë imponuar pozita të disfavorshme dhe here-herë kërcënuese për ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar si, Perandoria Bizantine me orthodoksizmi e saj,Perandoria Romake me kristjanizmin e saj , Ajo Osmane me islamizmin; ish-Jugosllavia, Greqia dhe Rusia. Të gjitha kanë përshkuar nëpër territorin tonë duke lënë nga një fe, traditë, kulturë, dhe në fund një urrejtje të madhe. Në erën tonë, gjeopolitikisht rastisi të merremi me boshtin orthodox “Moskë-Beograd-Athinë”.

Le të fillojmë me Rusinë. Një ndër pikësynimet kryesore gjeopolitike të Rusisë ose “ish-Perandorisë së Djallit” siç e quante Regani, ishte dhe do të jetë gjithmonë, të zbresë në ujërat e ngrohta (detin Mesdhe apo Kaspik), gjithashtu të dominojë Evropën por edhe botën nëse krijohen mundësitë e përshtatshme. Koncepti  ‘heartland’ i Mackinderit ishte  perfekt për një qasje të tillë. Në njëfarë mënyre Ish-Bashkimi Sovjetik ia arriti duke shfrytëzuar sentimentalizmat e popujve sllavë dhe doktrinën komuniste, çka na vinte në pozita jashtëzakonisht të disfavorshme. Por në fund kjo Perandori e madhe u tërhoq si një zbaticë, dhe përveç sfidave të brendshme socio-ekonomike që po përjeton, po mundohet të ushtrojë influencën e vet ekonomike në republikat e shkëputura pas viteve ’90. Pra boshllëkun e krijuar nga zbatica, Rusia po mundohet ta mbushë me naftë dhe gaz, e si rrjedhojë aktualisht nuk ka kohën e nevojshme të merret me sentimentalizma.

 Serbia është në gjëndje shoku nga ‘’knock downet’’ e shpeshta që i ka dhënë NATO. Dhe nëse dikush beson në teorinë e Ratzelit se “sipërfaqja e një shteti zgjerohet me zhvillimin e kulturës”, personalisht besoj se këtu nuk ka vend për teori të tilla, por besoj se për shkak se jemi të favorizuar gjeopolitikisht, rritja e popullsisë shqiptare do rrisë influencën në Rajon. 

 Kriza ekonomike që ka pllakosur Greqinë po e distancon atë gjithnjë e më shumë nga politikat eklesiane, dhe globalizimi i ekonomisë po i imponon asaj zanatin e vjetër: tregtinë dhe pragmatizmin. Mund të duket çudi por duke llogaritur hapësirën shqipfolëse, minoritetet dhe emigrantët shqipëtar në të gjithë Ballkanin, ato kapin shifrën e afro 7 milionëve, pra një shifër për t’u konsideruar. Përsa i përket Maqedonisë, vetëm në perjudhën 2000-2001 shqipëtarët përbënin 70.7% të shtimit natyrorë të popullsisë së këtij vendi, ku zyrtarisht për të njëjtën perjudhë popullsia shqipëtare përfaqësonte 25.17% të popullsisë totale. Favorizimi nga ligjet ndërkombëtare dhe situatat socialpolitike na bën të  hamendojmë se në një të ardhme të afërt rajoni do të përfaqësohet nga tre shtete shqipfolëse.

 Nga ana tjetër SHBA, ekonomia e pare në botë, është aleat kryesor strategjik i yni, ndërsa me Turqinë e cila rritet vazhdimish (aktualisht është ekonomia e 17 në botë) përveç relatave jashtëzkonisht të mira institucionale kemi edhe lidhje të shumëllojshme. Ndërsa marrëdhënjet me perëndimorët evropian janë në atë shkallë që, nëse do të ishte gjallë rilindasi i shquar Gjergj Fishta, nuk do t’i besonte kurrë. Nuk besoj se ka pasur ndonjëherë në historinë e kombit shqipëtar situatë më të favorshme gjeopolitike apo “gjeoekonomike” se kjo .

Teoricienti social Michael Mann thotë se, gjeopolitika është e “rrëshqitshme”. Për momentin, interesat e fuqife kryesore botërore konvergojnë me interesat e kombit shqiptarë, pra situata të tilla nuk hasen shpesh.

  Aktorët politik të Kosovës dhe politikanët shqipëtarë të Maqedonisë janë në tranzicion, përveç sfidave socio-ekonomike që kanë përpara, shumë rrallë kuptohen midis tyre dhe janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj ndonjë naçertanjeje të çfarëdo përmase. Shqipëria për to është i vetmi ngushëllim i sinqertë, dhe në këtë kontekst e gjithë sfera politike shqipëtare duhet të punojë goxha në këtë drejtim, duke ofruar pa hezitim eksperiencën e vet, por edhe në fushën ekonomike në drejtim të synimit të komplementaritetit rajonal, pra fluksi i mallrave ekzistente dhe të domosdoshme për gjithsecilin shtet, në rradhë të parë të shkëmbehet midis tyre, në mënyrë që të intensifikohen marrëdhënjet tregtare duke kontribuar kështu në një qëndrueshmëri ekonomike rajonale. Dhe pa dyshim bashkëpunimi midis universiteteve duhet të jetë më intensiv dhe frytdhënës. Pasi në planin ekonomik, gjuha, është resursi më i çmuar.

 Gjithë ky entuziazëm, ironikisht, venitet me situatën politike në vend. Situata e turbullt politike, pa dyshim që reflektohet në të gjithë hapësirën shqipëtare si epiqendra e një tërmeti, por në këtë rast efektet shkatërruese zmadhohen duke ju larguar epiqendrës.

Çfarë presim kur jemi kaq të favorizuar?! Mos vallë, ndonjë pakt të dytë stabiliteti në 2010!

Dhe pastaj të ngushëllohemi me “fenë e shqipëtarit” të të shquarit Vaso Pasha, pasi nuk kemi arsye më të mbajmë mërinë e Gjergj Fishtës ndaj Europës. 

Ky shkrim është botuar fillimisht në gazetën "Tirana Observer", më datë 12 Tetor, 2010.
Mbas "2159’’vitesh të favorizuar gjeopolitikisht Mbas "2159’’vitesh të favorizuar gjeopolitikisht Reviewed by Marion Mardodaj on 9/04/2014 10:00:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.