Gjuha e trupit në vjedhjen e Bankës - Adrian Civici, Arben Malaj dhe Selami Xhepa



 Para pak çastesh mediat shqiptare raportuan se është arrestuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani me akuzën "shpërdorim detyre" për vjedhjen e mbi 710 milion lekëve. Mund të themi që kjo është një shenjë pozitive që tregon se Prokuroria dhe Drejtësia në vend kanë filluar të lëvizin, por me kaq nuk mbaron çdo gjë, po të kemi parasyshë tendencat e politikës shqiptare për të reduktuar përgjegjësitë e Fullanit në superskandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë dhe lidhjet klienteliste midis tyre, siç deklarojnë një sërë gazetarësh dhe analistësh.

Padyshim që Skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë është një ndër skandalet më të rënda monetare që i ka ndodhur vendit gjatë tranzicionit, pas fatkeqësisë së piramidave në vitin 1997, ku shumica e shqiptarëve humbën paratë në firmat famëkeqe. Në këtë sens, çështjet financiare meritojnë vëmendjen dhe fokusin e duhur dhe të vazhdueshëm të medias dhe publikut, ndaj sot do analizojmë në vetëm një minutë gjuhën e trupit të prezantimit të tre të ftuarve në emisionin "Tonight" të gazetares Ilva Tare titulluar "Vjedhja tek Fullani" dy ditë më parë, të cilët kanë pasur ose kanë poste në institucione kyçe financiare të vendit: Adrian Civici, i cili aktualisht është anëtarë i Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë, Arben Malaj, ish-ministër i financave dhe njohës i mirë ekonomisë dhe Selami Xhepa, pedagog në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës, ish-funksionar në Bankën e Shqipërisë dhe deputet i PD-së. Në emision është i pranishëm edhe gazetari i ekonomisë Arbër Kadia, por për shkak se Kadia nuk ka eksperiencë në insitucionet financiare të vendit, nuk do bëjmë interpretimin e gjuhës së tij të trupit.


Numrat me presje dhjetore në kllapa tregojnë çastin e interpretimit të analizës, të cilin mund ta kontrolloni duke lëvizur rrethin e bardhë në barin e minutazhit të you-tube. Në mënyrë që të jeni sa më të qartë, ju lutemi kushtojini vëmendje sinkronizimit të interpretimit dhe kohës.

Pra siç e kemi thënë radhën e kaluar, gjuha e trupit (gjestet dhe toni i zërit) është përgjegjëse me rreth 90% të përçimit të mesazhit, ndërsa fjalët me vetëm rreth 10%. Me fjalë të tjera, çfarëdo që të ftuarit të thonë, nga pikëpamja e gjuhës së trupit, nuk ka rëndësi, por rëndësi ka mënyra se si ata e thonë, çka reflektohet me gjestet më të vogla e të imta të tyre tek flasin e artikulojnë "mendimet e tyre". Në njëfarë mënyre, gjuha e trupit tregon se sa i sinqertë dhe në sinkroni është një person me ato që thotë. Gjithsesi, në vijim do analizojnë vetëm një minutë gjatë prezantimit të të ftuarve, ku njëkohësisht prezantohet edhe mendimi i tyre në lidhje me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë.

Inserti i prezantimit të të ftuarve (1:20)

Adrian Civici
Prezantimi i parë i bëhet Adrian Civicit, ku në çastin e prezantimit ai shfaq një buzëqeshje të lehtë sociale përshëndetëse me tone plogështie, në këtë çast krahët i ka të mbyllura dhe trupin lehtësisht të kërrusur, çka reflekton në njëfarë mënyre lodhje dhe strukje; gishtërinjtë e duarve i ka të gërshetuara, gjë që reflekton tencion dhe se ndodhet nën presion.

Në çastin kur prezantuesi (1:26) i insertit prezanton titujt dhe doktoraturën e Adrian Civicit, Civici kapsit dy herë sytë duke reflektuar dëshirën që këtë zymtësi dhe plogështi disasekondëse ta shuajë dhe ta harrojë sa më shpejt të jetë e mundur. Prezantimi i titujve e "përkëdhel" atë në sytë e opinionit publik: ai ngre trupin për t'u dukur më "i madh" dhe e ul trupin në fraksion të sekondës, rregullon xhaketën me dorën e majtë, që do të thotë se po përkujdeset për veten që të paraqitet sa më denjësisht përpara opinionit. Gjatë gjithë kësaj kohe ai i ka mbajtur sytë për poshtë. Ngre sytë lart në të djathtë në këtë çast (1:27), kjo do të thotë që po ndërton një pikturë në mendjen e tij mbi bazën e përvojës personale dhe çfarë ka parë; kjo mund të reflektojë një dëshirë të tij, për ta parë veten edhe më "lartë" dhe më të "bukur", pasi dëgjoi nga prezantuesi i Ora News  me vëmendje titujt dhe gradat e shumta që ka arritur. Në çastin (1:42) kur prezantuesi thotë fjalët "...vjedhjen në Bankën e Shqipërisë...," çka pasqyron mendimet Civici ka artikuluar, Civici kthen lehtësisht sytë në të majtë. Në këto çaste ai po flet me vete dhe po shqyrton në mendjen e tij nëse mund të kishte përpirësuar ndonjë gjë në këtë deklaratë dhe këto qëndrime publike.

Arben Malaj
Në këto çaste (1:51) Malaj po sheh "në ajër" i fokusuar për poshtë. Gishtat i ka të gërshetuara, trupin e kërrusur, buzët e puthitura dhe lehtësisht të fshehura. Malaj është në gjendje plogështie, shfaq tencion dhe nervozizëm të lehtë, po flet me vete; thellë brenda tij nuk do të donte të ishte në këtë intervistë.

Në çastin e prezantimit të titujve dhe përvojës, Malaj drejton trupin, shthur gishtërinjtë, kthen kokën djathtas për poshtë, rregullon vetëtimthi xhaketën me dorën e majtë, shfaq buzët duke formuar një gjysmë të puthur që tregon se i pëlqen prezantimi, dhe kthen kokën sërish drejtë me një buzëqeshje të lehtë sociale kësaj radhe. Në këto çaste Malaj ndjehet "i përkëdhelur" dhe për pak çaste e hedh tutje plogështinë duke shijuar momentin në fraksionin e sekondës. Në momentin kur prezantuesi flet për diplomimin e tij (1:57), ai kthen sytë lart për nga e majta duke bërë një hark që përfundon në të djathtë, gjë që tregon se në këtë fraksion sekonde po rikujton kohën se kur është diplomuar.

Në çastin (2:05) kur prezantuesi flet për skandalin vjedhes së bankës duke prezantuar atë çfarë Malaj ka deklaruar se mendon, Malaj rrudh ballin dhe mbyll sytë në fraksione sekondash, duke reflektuar tencion dhe nervozizëm. Gjatë kësaj kohe sytë i mban në të majtë për poshtë, çfa tregon se është duke folur me veten, dhe se këto janë mendimet reale të tij, se këto mendime do shprehte edhe nëse do pyetej sërish. Kur prezantuesi thotë (2:11) që Malaj të ketë thënë se "...edhe pse nuk ka vend për të krijuar panik, pasi nuk ka vend për një krizë të depozitave...," Malaj kthen vetëtimthi kokën dhe sytë nga Fullani, i cili është anëtarë i Këshillit Mbikqyrës së Bankës dhe ka peshën e tij të përgjegjësisë. Këtu Malaj është munduar të zbusë skandalin duke reduktuar në njëfarë mënyre edhe peshën e përgjegjësisë së Civicit, çka reflektohet me kthimin e kokës vetëtimthi të tij nga Civici për të vëzhguar ndonjë reflektim apo aprovim të këtij të fundit.

Selami Xhepa
Xhepa (2:16) shfaq gjeste totalisht mbyllëse, dyshuese, kritike, rezervuese dhe mbrojtëse gjatë prezantimit: duar të mbledhura me pëllëmbët e fshehura, cepat e buzëve të tërhequra, trupin relativisht më drejtë se të ftuarit e tjerë, fytyra e tij është relativisht më e qetë dhe e stabilizuar se të tjerët. Xhepa është më i lirshëm dhe shfaq përgjithësisht ndjenja nën kontroll. Kjo mund të lidhet me faktin ngaqë Xhepa është deputet i PD-së, ndërsa Malaj ka qenë dhe është nga ana e të majtëve, i cili shfaq frekuencë të ngjashme të ndjenjave dhe xhesteve me ato të Civicit, pavarësisht se ky i fundit mbron publikisht pikëpamjet liberale ekonomike, të cilat anojnë nga e djathta.

Kur prezantuesi (2:20) prezanton Xhepën duke thënë "...drejtor ekzekutiv për qendrën...," ai bën gjeste habie duke ngritur vetullën dhe buzët për lart, kjo do të thotë që prezantuesi mund të ketë gabuar, apo mund të ketë gabuar Xhepa gjatë dhënjes së të dhënave. Në vazhdim të prezantimit (2:28) Xhepa tund kokën dhe buzëqesh lehtësisht, duke miratuar prezantuesin për pjesën tjetër të prezantimit. Në momentin (2:32) që prezantuesi prezanton mendimin e tij se "...se kjo nuk është vetëm një supervjedhje, por nxjerr në pah shkrehjen e strukturave organizative...përgjegjësi mban edhe Guvernatori," Xhepa ngre sytë lart nga e majta, kjo do të thotë që ky është me të vërtetë mendimi i tij, dhe nëse do pyetej sërish, po këto mendime do shprehte.

Xhepa është qartësisht i distancuar nga të gjithë të ftuarit, është strikt në bindjet dhe mendimet e tij.

Konkluzione
Si përfundim mund të konkludojmë që gjatë këtij njëminutëshi të marrë në analizë, Civici dhe Malaj janë nën presion, të irrituar dhe nervozuar, ndjehen në siklet. Nuk do të donin të ishin aty. Të njëjtat gjeste shfaqin gjatë gjithë vazhdës së intervistës, mundohen ta relativizojnë skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Ndërsa Xhepa është i distancuar nga të ftuarit e tjerë dhe shpreh qartë pikëpamjet e tij.

Për më tepër rreth gjuhës së trupit: lexo librin "Maska, Gjuha e Trupit: Zëri i Gjesteve; Marion Mardodaj; 2012.
Previous Post Next Post