Sigurisht që Samiti i Berlinit është një event shumë i rëndësishëm që inspiron dhe premton një të ardhme të paqtë të Ballkanit, i cili, për shkak të konflikteve të së shkuarës, cilësohej shpesh me togfjalësha si "fuçi baruti", "bombë me sahat", etj.
Nga ana tjetër, për arsye të ndryshme, lider të ndryshëm, mund të mos kenë të njëjtin nivel entuziazmi në zhvillimin e këtij samiti. Gjithsesi, në vijim do zbulojmë përmes interpretimit të gjuhës së trupit të kontaktit të parë mes Merkel dhe Ramës nivelin e entuziazmit, ku më pas, gjithsecili mund të bëjë krahasimet e kontaktit të Merkel me liderët e tjerë. Studimet e gjuhës së trupit konkludojnë që gjestet, gjatë një bashkbisedimi, përçojnë më shumë se 60% të informacionit, ndërsa komunikimi paralinguistik, që është zëri, minus fjalët, përçon rreth 30% të informacionit, ndërsa fjalët përçojnë nga 10 në 7 përqind të informacionit. Në rastin tonë do analizojmë vetëm gjestet, nga ku do marrin, sipas studiuesve, rreth 60% të informacionit të takimit Rama-Merkel (numrat me presje dhjetore në kllapa tregojnë sekondat):
Rama zbret nga vetura diplomatike (00.8) me një hov më të shpejtë se zakonisht, buzëqeshja e tij është sociale, e cila dallohet nga zgjerimi i tepërt i cepave të gojës. Në këtë çast Rama shfaq nervozizëm dhe pasiguri të lehtë, gjë që reflektohet me mbërthimin e komçës së xhaketës sapo zbret nga makina. Ka të ngjarë që xhaketa e mbërthyer ta pengojë kur është i ulur brenda në veturë, por mbërthimi i menjëhershëm pas zbritjes reflekton një nervozizëm dhe mosbesim të lehtë të tij - e kush do të ndihej plotësisht i sigurtë përballë zonjës së parë të Europës.
Merkel qëndron duke pritur në pozicion gjerman "gatitu", por krejtësisht e çliruar. Sapo Rama hedh hapin e parë, të njëjtën gjë bën edhe Merkel. Ndërsa Rama afrohet me një vrull relativisht më të shpejtë se ai i zakonshmi duke bërë pesë hapa (00.9-012), shfaq kofuzion të lehtë: ecën në pozicion dominues - me këmbë të hapura -, ndërsa në momentin që afrohet dhe shtrëngon duart, shfaq gjeste krejtësisht të ndryshme: lëvizje përulëse të kokës, përkulje të trupit dhe qeshje që më shumë luhatet në të sinqertë, se në qeshje sociale, e cila dallohet nga rrudhat e shumta në rrathët e syve. Gjatë shtrëngimit të duarve me Merkel, Rama shfaq sërish gjeste nervozizmi që reflektohen nga një gjest dominues - ku teksa shtrëngon dorën e Merkel, mbivendos lehtësisht pëllëmbën e tij ndaj asaj të Merkel -, dhe njëkohësisht shfaq gjeste përulëse që reflektohen nga përkulja e lehtë e trupit ndaj Merkel. Në këtë moment Merkel e fton Ramën që të shfaqen përpara kamerave dhe fotografëve duke kthyer trupin nga gazetarët. Megjithëse e fton të fotografohen e të filmohen së bashku, Merkel nuk i kushton të njëjtën rëndësi kamerave dhe aparatëve fotografik si Rama, por koka e saj qëndron (0.14 - 0.17) më shumë e drejtuar nga Rama. Në këto çaste Merkel shfaq qeshje (0.17) të sinqertë, ndikuar nga biseda disasekondëshe me Ramën, i cili shfaq të njjtën gjë. Më pas, Merkel e fton Ramën në hyrjen e samitit duke bërë gjeste hapëse-të sinqerta dhe duke drejtuar dorën e majtë drejt hyrjes. Teksa bëjnë dy hapa së bashku, Merkel kthen edhe njëherë kokën (019) nga Rama, për t'u siguruar që e ka në krah. Mënyra e ecjes e të dyve drejt hyrjes është e lehtë dhe entuziaste.
Rama është i veshur me kostum të zi, simbolika kryesore e të cilit për kulturat perëndimore është serioziteti. Kollarja me ngjyrë të kuqe simbolizon dashurinë, rrathët në të simbolizojnë rrathë, bashkësi - që mund të përkthehet, së bashku të "dashuruar" në BE.
Zonja e parë e Europës është veshur me një kostum ngjyrë bezhë të hapur, ngjyrë që në kulturën europiane simbolizon prakticitet dhe konservatorizëm. Në disa kultura europiane, ngjyra bezhë mund të marrë disa atribute nga ngjyrat rozë dhe verdhë. Në këtë rast, është e qartë që Merkel nuk ka dashur të reflektojë shumë atribute nga këto ngjyra - mbase të verdhën e flamurit gjerman -, por të reflektojë konservatorizmin dhe prakticitetin, pasi edhe partia e saj ka ngjyra të theksuara konservatore, në aspektin politik. Merkel është e veshur me një këmishë ngjyrë jeshile të hapur. Ngjyra jeshile simbolizon natyrën dhe botën natyrale - çka i shkon përshtat mentalitetit gjerman -; simbolizon gjithashtu qetësinë, fatin e mirë, dhe xhelozinë. Në kontekstin e Merkel, mund të themi që reflekton botën natyrale, qetësinë për të ftuarit, dhe fatin e mirë për frutet që do derivojnë nga Samiti.
Mund të themi që takimi Merkel-Rama ishte entuziast, i sinqertë, i hapur, dhe i prirur të prodhojë rezultate pozitive për Shqipërinë dhe Rajonin.
Për më tepër rreth gjuhës së trupit: lexo librin "Maska, Gjuha e Trupit: Zëri i Gjesteve; Marion Mardodaj; 2012.