Loading...

Prishtinë-Pejë: arrestohen 9 mjekë dhe funksionarë të Ministrisë së Shëndetësisë

Prishtinë-Pejë: arrestohen 9 mjekë dhe funksionarë të Ministrisë së Shëndetësisë
Nëntë persona janë arrestuar gjatë ditës së sotme, gjatë një operacioni të zhvilluar në Prishtinë dhe në Pejë, me autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Njësiti për Krime Ekonomike nga Policia e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar në një komunikatë të publikuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Prej këtyre personave, disa janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa të tjerë janë mjekë”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Ata dyshohet se “kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private: Internacional Medicine Hospital, më seli në Prishtinë dhe INTERMED sh.p.k. më seli në Prishtinë, pa shpallur fare tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve”.

Me këto veprime të pandehurit, thuhet në komunikatë, ua kanë mundësuar spitaleve private përfitime materiale, “duke ua paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private”.

“Disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinikat private të lartcekura, ndërsa zyrtarët e klinikave u kanë dhënë ryshfet atyre, për t’i dërguar pacientët në klinikat e tyre. Njëri nga këto spitale nuk ka pasur fare licencë pune dhe gjithashtu edhe mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kanë licencë për kryerjen e intervenimeve mjekësore në zemër, e të cilat i kanë kryer”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ndërkaq, përmes një komunikate për opinion, ka njoftuar se nga “zyrtarët e Departamentit kundër Korrupsionit të Prokurorisë Speciale të Kosovës është kërkuar sot intervistimi i disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë”, rreth një çështjeje për të cilën Ministria thotë se nuk është njoftuar në rrugë zyrtare.

Ministria pohon se në polici për një bisedë është ftuar edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie./rel/
Prishtinë-Pejë: arrestohen 9 mjekë dhe funksionarë të Ministrisë së Shëndetësisë Prishtinë-Pejë: arrestohen 9 mjekë dhe funksionarë të Ministrisë së Shëndetësisë Reviewed by Marion Mardodaj on 10/09/2014 02:10:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.