Loading...

Papa Françesku për shqiptarët: Popull i guximshëm që në paqe kërkon bashkimin


 Papa Françesku për shqiptarët: Popull i guximshëm që në paqe kërkon bashkimin

“Vërtet sot, Shqipëria është shembull, jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve”, deklaroi sot Papa Francesku në Audiencën e mbajtur në Vatikan, kushtuar Udhëtimit Apostolik në Shqipëri. Sipas Radio Vatikanit, gjatë fjalës së tij në këtë Audiencë, Ati i Shenjtë deklaroi se shembulli i shqiptarëve tregon se bashkëjetesa fetare është e mundur.



Më poshtë, fjala e plotë e Atit të Shenjtë”

Të dashur vëllezër e motra,

Sot dua t’ju flas për Udhëtimin Apostolik, që bëra në Shqipëri, të dielën e kaluar. E bëj këtë, së pari, si akt falenderimi për Zotin, i cili ma mundësoi këtë Vizitë për të treguar, edhe fizikisht e në mënyrë të prekshme, afërsinë time e të gjithë Kishës me këtë popull. Dëshiroj pastaj, të përtërij mirënjohjen time vëllazërore për Ipeshkvijtë shqiptarë, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, që punojnë me kaq impenjim. Mendimi im plot mirënjohje shkon edhe tek autoritetet, që më pritën me kaq shumë dashamirësi, si edhe tek të gjithë ata, që punuan për realizimin e vizitës.

Kjo vizitë lindi nga dëshira për të shkuar në një vend, që, pasi u shtyp për një kohë të gjatë nga një regjim ateist e çnjerëzor, po përjeton përvojën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve. M’u duk shumë e rëndësishme ta inkurajoj në këtë udhë, që ta vazhdojë me këmbëngulje e të thellohet në të gjitha aspektet, për të mirën e përbashkët. Për këtë, në qendër të udhëtimit, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësinë të shoh me kënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm mund të dëshirohet, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë.

Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t’i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvlerësuar identitetin e secilit.

Takimi me meshtarët, me njerëzit e shuguruar, me seminaristët e më lëvizjet laikale që rasti për të kujtuar me mirënjohje, me çaste përmallimi të madh, martirët e shumtë të fesë.

Falë pranisë së disa të moshuarve, që i kanë jetuar në trupin e tyre persekutimet e tmerrshme, rijehoi feja e sa e sa dëshmitarëve heroikë të së kaluarës, të cilët e ndoqën Krishtin deri në pasojat më ekstreme. E pikërisht nga bashkim intim me Jezusin, nga marrëdhëniet e dashurisë me Të, për këta martirë – si për çdo martir – lindi forca për të përballuar ngjarjet e dhimbshme, që i çuan drejt martirizimit.

Edhe sot, ashtu si dje, forca e Kishës nuk qëndron aq në aftësitë organizuese ose në struktura, të cilat, gjithsesi, janë të nevojshme, por Kisha nuk e gjën forcën e vet aty. Forca jonë është dashuria e Krishtit! Një forcë, që na mban në çastet e vështira e që frymëzon veprimin e sotëm apostolik për të dhuruar mirësi e falje, duke dëshmuar kështu mëshirën e Zotit.

Duke përshkuar udhët kryesore të Tiranës, që nga aeroporti çon në sheshin qendror, munda të shoh portretet e dyzet meshtarëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste, për të cilët është nisur çështja e lumnimit. Këta u shtohen qindra rregulltarëve të krishterë e myslimanë, vrarë, torturuar e internuar vetëm sepse besonin në Zotin.

Kanë qenë vite të errta, gjatë të cilave u bë rrafsh me tokën liria fetare e ishte e ndaluar të besoje në Zotin, mijëra kisha e xhami u shkatërruan, u shndërruan në magazina e kinema, që përhapnin ideologjinë marksiste, librat fetarë u dogjën e prindërve nuk iu lejua t’u vinin fëmijëve emrat fetarë të paraardhësve. Kujtimi i këtyre ngjarjeve dramatike është thelbësor për të ardhmen e një populli.

Kujtimi i martirëve që rezistuan me fe është garanci për fatet e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre nuk është derdhur kot, por është farë, që do të sjellë fryte paqeje dhe bashkëpunimi vëllazëror. Vërtet, sot, Shqipëria është shembull, jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve.

Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon popullin e vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese.

Këtë mesazh shprese, bazuar në fenë në Krishtin e në kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës.

I inkurajova të gjithë të marrin energji gjithnjë të reja nga Hyji i ringjallur, për të qenë tharmi ungjillor në shoqëri e për t’u impenjuar, siç po ndodh tashmë, në veprimtari bamirëse e edukative.

Falenderoj edhe një herë Zotin, sepse, me këtë Udhëtim, me dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes. Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë.

 Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, që nderohet në Shenjtëroren me të njëjtin emër në Shkodër, që Ajo të vazhdojë ta udhëheqë këtë popull-martir në udhën e tij.

Përvoja e vështirë e së kaluarës thelloftë gjithnjë e më shumë hapjen ndaj vëllezërve, sidomos ndaj më të brishtëve, dhe e bëftë gjithnjë e më shumë protagonist të atij dinamizmi të bamirësisë, kaq të nevojshëm në kontekstin e sotëm shoqëroro-kulturor.

Do të doja që të gjithë ne të përshëndesim këtë popull të guximshëm, punëtor, që në paqe, kërkon bashkimin..
Papa Françesku për shqiptarët: Popull i guximshëm që në paqe kërkon bashkimin Papa Françesku për shqiptarët: Popull i guximshëm që në paqe kërkon bashkimin Reviewed by Marion Mardodaj on 9/24/2014 05:31:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.