Loading...

Supervjedhja, për një tezë konservatore-liberale dhe një letër publike për Berishën

Nga Marion Mardodaj
"Po ta dinte populli se ç'është paraja, do të ndodhnin vetëm kryengritje," pak a shumë kështu ka thënë një nga presidentët e SHBA-së; me sa më kujtohet, këtë frazë e ka thënë Xhorxh Uashingtoni. Ndërsa Karl Marksi në Kapitalin e tij shkruan që paraja s'është gjë tjetër vetëm një mjet shkëmbimi. Në fakt të dy figurat kanë të drejtë. Të dy figurat kanë jetuar në kohë revolucionesh. Në kohë, kur një klasë politike, shtresë shoqërore apo doktrinë, e mbushte kupën, e derdhte kupën, e qelbte vendin, rreth e rrotull saj.


Solla këto citimi për të hapur një dritare nga ku intelektualët apo njerëzit e thjeshtë mund të meditojnë e të shohin se sa shumë mëkate ka mbi kurriz politika dhe politikanët tanë të vyshkur, dhe të kuptojnë se sa e shtrenjtë është vota dhe dinjiteti i gjithsecilit, i cila, falë Zotit, nuk u arrit të blihet as me miliarda lekë të pista.

Këto ditë kanë dalë fakte tronditëse në shtypin e shkruar që lidhen me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë: miljarda lek të vjedhura; parti të financuara me para të pista; njerëz të të dy partitë kryesore që punojnë në të njëjtin insitucion, që takohen përditë, diskutojnë për liberalizmin, komunizmin, për Gjuhën Shqipe, Gjergj Kastriot Skëndërbeun, për Nënë Terezën, për 21 Janarin, për Gërdecin, për Zotin apo fetë, për të gjallët e të vdekurit.

Ky është një alarm i madh që bën çdo qytetarë të ndërgjegjshëm të reflektojë thellë.



Drejtuar Berishës,

I nderuar z. Berisha,

Kur shkrojta para 3 vitesh një artikull (Shkaqet e Papunësisë në Tiranë; Metropol, 5 Maj, 2011) dhe theksova pak a shumë që kapitalizmi ne vend është një amulli, sepse kapitalistët e milionerët shqiptarë, përveç disave, nuk kanë aplikuar ose nuk janë kanalizuar të aplikojnë A-në e kapitalizmit: që fitimet apo tepricat t’i riinvestojnë në ato ekonomi ku vendi ka boshllëqe dhe nevojë, pra që të krijohen spiralet e njohura ekonomike, me qëllim zhvillimin e shëndoshë ekonomik dhe uljen e papunësisë, juve nuk ju erdhi mire zoti Berisha, çka e reflektuat me një qëndrim original të nesërmen ku thatë pak a shumë me një çehre irrituese “çfarë janë disa gazetarë që shkruajnë për kapitalizmin...”.

Ndërsa nga ana tjetër, ekonomitë e "liberalëve tanë" kanë marrë miliarda para, kazinotë u shqepën në para, universitetet private po ashtu. Ku i çuan paratë, ku është spiralja e kapitalizmit, ku janë vlerat, kontributet, morali, ku janë bazat e zhvillimit të mëtejshëm, tek paratë, “që s’i ha as qeni”? Në çfarë niveli është, dhe në ç’nivel ishte kapitali njerëzorë, i cili është më i rëndësishëm se kapitali i aseteve? Sigurisht që ju e dini z. Berisha që japonezët importojnë gurë nga australianët dhe eksportojnë në Australi soni, samsung, jamaha, tojota etj.

 Sa taksa janë vjelur nga kazinotë gjatë këtyre viteve, ku shkuan miljardad shterpë të lëna në kazinotë e kryeqytetit, dhe çfarë risishë shkencore na kanë sjellë profesorët e universiteteve private që na flasin për filozofi, neoliberalizëm e liberalizëm? Çfarë liberalizmi ishte ky? Po si ka mundësi të implementohet liberalizmi apo neoliberalizmi, që u shpik në Amerikë, ku nëse i prek qoftë edhe një qime floku policit, polici t’i hedh trutë në erë. Kurse në Shqipëri e rrahin policin, dhe madje e inçizojnë edhe me kamera. Çfarë liberalizmi ishte ky, i shpikur nga perëndimorët në atë kohë kur ata kishin arritur kulmin e zhvillimit ekonomik dhe s’kishin problemet që kemi ne me fqinjët?

Sigurisht që qeveria juaj ka gjeneruar edhe mjaft të mira, si rrugët, hidrocentrale etj. Madje vizioni juaj ishte totalisht i kthjellët dhe, për mendimin tim, ishit në rrugën e Zotit kur deklaronit që do mbillni miliona rrënjë ullinj, kur deklaronit për favorizimin e rritjes së kulturave të arrorëve, kur thonit që do favorizoni rritjen prodhimit të leshit, i cili në mesjetë eksportohej edhe më shumë se sot. Ani se ju përqeshnin. Ju, si politikan i zgjuar, siç ju cilësojnë ata që ju kanë idhull, duhet ta dini shumë mire që me retorikë politike pozitive arrihet gjithçka.

Ju bëtë koalicion me ata që ju përqeshnin, me ata që investonin që ju të përqesheshit. Aty e keni të keqen. Aty ku e kishte diktatori Hoxha që në krye të herës kur erdhi në pushtet. Aty ku e ka Ilir Meta, i cili fatmirësisht ia provoi shijen që në fillim, dhe siç duket e ka kuptuar, prandaj është dobësuar aq shumë sa nuk njihet. Dhe sigurisht, aty ku aktualisht e ka Edi Rama.

 Pra koha tregoi që kam pasur të drejtë: që shumica e kapitalizmi shqiptarë është shteprë, nuk ka prodhuar vlerë por ka xhiruar në vend-numro, ka prodhuar njerëz amoral e të rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Sigurisht, pa mohuar arritjet pozitive në kapitalin e aseteve të prekshme.



Drejtuar njerëzve të thjeshtë,

Paratë janë marrëveshje ndërkombëtare që prodhohen në bazë të thesarit dhe aseteve kombëtare. Thënë më thjeshtë, aq sa flori dhe asete ka një shtet, aq para do prodhojë. Në këtë mënyrë një shtet konkuron me dinjitet me ekonomitë dhe shtetet e tjerë. Kjo veprimtari monitorohet dhe asistohet nga BB, BE dhe FMN.  Funksioni kryesorë i FMN-së është stabilizimi i shkëmbimit valutorë, duke financuar në terma afatshkurtër mbi balancën e defiçiteve në pagesa të shteteve anëtare, dhe duke ndihmuar me këshilla dhe asistencë teknike shtetet në borxhe në mënyrë që të rriten e zhvillohen ekonomikisht në mënyrë të shëndoshë. Anëtarët e FMN-së kontribuojnë në fonde dhe kanë të drejtë vote në bazë të volumit të tregut ndërkombëtarë, të ardhurave kombëtare, dhe rezervave ndërkombëtare. FMN nuk ka fuqi detyruese mbi anëtarët por mund të refuzojë të japë borxhe për ato shtete që nuk bien dakord të aderojnë në politikat e saj.

Ja ku dolëm tek paraja. Qeveria “Berisha” me asistencën dhe bekimin e Fullanit, ka të ngjarë të ketë dalë nga FMN-ja me qëllim që të mos kontrollohet nga ta. Këtu Fullani ka gjetur hapësirën e nevojshme për të prodhuar para pa kriter me qëllim financimin e atyre që e mbështesnin dhe e promovonin atë. Kjo ka dëmtuar rëndë moralin shoqërorë, duke degjeneruar dhe përdhunuar çdo gjë përmes parave shterpë. Fullani e dinte shumë mirë këtë gjë. Merita, vlera, morali, dinjiteti, kontributet, çdo gjë nisi të gërryhej. Shoqëria nisi të rendë verbërisht pas parasë, zyrat e shtetit e të privatëve të “suksesshëm” filluan gradualisht të shndërrohen në bordello.

Këtë mënyrë të të bërit ekonomi e mbrojnë me fanatizëm profesorët, analistët e gazetarët liberal, e mbron me fanatizëm kontradikta më e madhe e mendimit shqiptarë e këtij shekulli, sipas mendimit tim: fanatiku dhe komformisti ortodoksokatolik Henri Çili, dhe toga e gazetarëve e analistëve të tij që paguhen me paratë e prindërve që kanë çuar nxënësit në universitin e tij.

 Ndërsa flamurin e degjenerimit dhe përdhunimin të vlerave e mban gazetari pervers, Arian Çani. Ky degjenerim moderohet nga “lëpirësi i paparë i bythës,” Blendi Fevziu, siç vetë perversi Çani e ka cilësuar. Ju kërkoj ndjesë o njerëz për gjuhën që po përdor, por dialektika publike e politikanëve kështu sugjeron, dhe besoj se me këtë gjuhë mund të kuptoni më mire njerëzit që marrin pjesë në jetëm publike të vendit.



Për një perspektivë të djathtë liberal-konservatore

Nga debatet publike të zhvilluara kohët e fundit ka mbizotëruar ideja që PD është pranë shkërmoqjes totale, për shakqe që pak a shumë i përmendëm në këtë shkrim. Dhe në fakt ky është dhe duhet të jetë një debat më i madh politik sot për sot, pasi një parti opozitare në greminë minon demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Ndërsa nga ana tjetër besoj që shumica e intelektualëve janë dakord që liberalizmi dhe neoliberalizmi, përveçse janë në krizë, nuk janë doktrina që mund të funksionojnë në konteksitn ballkanik, e veçanërisht atë shqiptar.

Ndaj mendoj dhe u propozoj të gjithë të djathëve të mendojnë për një konservatorizëm të harmonizuar me elemente të liberalizmit.

Konservatorizmi, si doktrinë politike, preferon ato institucione, elemente shtetërore (edhe vlerat kombëtare), të cilat janë zhvilluar historikisht dhe kanë dëshmuar vazhdimësi dhe stabilitet. Duke qenë se Shqipëria ka pasur një të kaluar të hidhur dhe trashëgimia institucionale shtetërore lë shumë për të dëshiruar, kuptimi i konservatorizmit do jetë i vështirë për t’u kuptuar nga politikanët e populli, por me vullnet dhe punë mund të arrihet gjithçka.

Gjithsesi, konservatorizmi doli si tezë politike për here të parë nga Edmund Burke, si kundërpërgjigje ndaj Revolucionit Francez. Konservatorët tradicional besojnë që implementimi i ndryshimit duhet të jetë minimal dhe gradual. Partitë konservatore janë ato parti që kanë sjellë ndryshimin në vendet e tyre, si Partia Konservatore e Anglisë, Unioni Kristjan Demokrat në Gjermani, Republikanët në SHBA por edhe Partia Liberal-Demokratike në Japoni. Në këtë kontekst, duke qenë se ritmet e zhvillit ekonomik dhe kapitalit njerëzorë të Shqipërisë duhet të jenë më të shpejta, dhe se Shqipëria nuk ka kaluar në stadin dhe spiralet ekonomike të vendeve perëndimore, lind nevoja e futjes së elementeve liberale për të arritur më shpejt në nivele ekonomike të përafërta me ato europiane. Debati këtu duhet të fokusohet se cilat elemente liberale duhen implementuar. Për shembull, vendosja e perçes në insitucionet publike për femrat myslimane mund të konsiderohet si shkelje e të drejtave nga to, por fakti që në Europën laike kjo gjë nuk lejohet, madje edhe ne e kemi një traditë të vitit 1937, në kohën e Qeverisë së Zogut, do të thotë që kjo gjë nuk mund të lejohet. Por, për shembull, mund të lejohen faljet në publik apo gjëra të tjera që identifikon thelbin e myslimanizmit. Gjuha Shqipe, për shembull, duke qenë se ka pasur një traditë të caktuar dhe ka evoluar kënaqshëm, duhet të quhet një kapitull i mbyllur. Nga ana tjetër, shkolla, nëse sistemi shkollorë i Hoxhës ka prodhuar disa të mira, ato duhen mbajtur, etj. Vlerat dhe figurat kombëtare, si Skëndërbeu, Ismail Qemali etj, janë të pacënueshme, dhe duhen mbrojtur me ligj, kur nëpërkëmben nga njerëz të përfshirë në organizata fitimprurëse apo jofitimprurëse apo njerëz publik, ndaj tyre duhet të merren masat përkatëse. Ndërsa nga ana tjetër, çdo njeri i thjeshtë, le t’i shajë lirshëm gjatë gjithë ditës. Këtu duhet pasur parasyshë që elementet të implementohen si nevojë dhe si qëllim për zhvillim. Për shembull, një fermer ka mundësi të prodhojë 10 lloje qumështi, këtu jemi në elementin liberal; ndërsa elementi konservator këtu mund të jetë që qeveria, e subvencionon atë vetëm nëse prodhon qumësht bualli, ose një lloj qumështi që gjeneron më shumë vende pune seç ka parashikuar qeveria. Për shembull, qumështi i thjeshtë prodhon 2 vende pune, qumështi buallit prodhon 4, ndërsa qumështi panda prodhon 6.

Mendoj, dhe i bëj thirrje të gjithë të djathtëve të mendojnë më shumë për konservatorizmin-liberal, si e vetmja doktrinë që mund të shpëtojë të ardhmen e vendit duke bere që vendi të mos precipitojë në një formë diktature - Oculus News
Supervjedhja, për një tezë konservatore-liberale dhe një letër publike për Berishën Supervjedhja, për një tezë konservatore-liberale dhe një letër publike për Berishën Reviewed by Marion Mardodaj on 8/06/2014 01:22:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.