Loading...

Si mund të bëhesh Shqiptarë me Ligj

Si mund të bëhesh Shqiptarë me Ligj - Avokate Mirela Biba
Nga Avokate Mirela Biba

 Interesi i të huajve apo personave me prejardhje shqiptare të lindur jashtë vendit për të marrë shtetësinë shqiptare është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Arsyet për të marrë nënshtësinë shqiptare janë të ndryshme, por arsyet më të zakonshme janë: 

1. shmangja e taksave në vendin e origjinës, siç është rasti i këngëtarit italian me famë botërore, Albano Carrisi; 2. marrja e nënshtetësisë për arsye apo sentimente patriotike ose kulturore/sportive, siç është rasti i trajnerit italian të kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi dhe e një sërë lojtarëve kosovarë që luajnë për komëtarn e Shqipërisë. Apo një kombinim i të dyjave, siç është rasti i aktores së njohur hollivudiane me prejardhje shqiptare, Eliza Dushu dhe aktorit me famë të padiskutueshme, Xhim Belushi. 3. Tjetër arsye bazike se përse të huajtë duan të përfitojnë nënshtetësinë shqiptare është për një jetë më të mirë, siç është rasti i emigrantëve që vijnë nga vendet aziatike si Siria apo Avganistani.

Në këtë kontekst mendoj që do ishte tepër e dobishme që publiku të jetë sa më i informuar në aspektin ligjorë në lidhje me rastet se kur një i huaj apo shqiptarë me shtetësi të huaj mund të përfitojë një pashaportë shqiptare e të bëhet shqiptarë ligjërisht.

Në vijom po paraqes një ekstrakt dhe pikat kyçe të ligjit që lidhet me përftimin e shtetësisë shqiptare.

Shtetësia shqiptare, njihet ose u jepet:
a) personave të lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes;
b) personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare;
c) personave me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, SHBA-ve apo një shteti tjetër, shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve.
3. Subjekteve të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, u njihet shtetësia shqiptare e fituar dhe vetiu në përputhje me nenin 7, të ligjit nr.8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar. Procedurat për paraqitjen e kërkesës, të dokumentacionit të nevojshëm provues, afatet e shqyrtimit, të njoftimit e të regjistrimit të shtetësisë, si dhe strukturat kompetente për trajtimin e kërkesës parashikohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Punëve të Jashtme.
4. Subjekteve të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 2, të këtij kreu, u jepet shtetësia shqiptare, në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr.8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
II. Kërkesat për aplikim dhe procedurat për dhënie shtetësie
1. Mund të aplikojnë për dhënien e shtetësisë shqiptare në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr.8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, kur:
a) vërtetohet se kanë mbushur moshën 18 vjeç;
b) ka mendim të Ministrisë së Brendshme se nuk cenohen siguria dhe rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë;
c) paraqesin kërkesë, së bashku me vetëdeklarim për origjinën shqiptare;
ç) provohet se janë të paslindur me lidhje familjare deri në tri shkallë nga një person me origjinë shqiptare, por që nuk ka shtetësi shqiptare në momentin e paraqitjes së kërkesës.
Për fëmijën nën moshën 18 vjeç, prindi ose prindërit e të cilit përfitojnë sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare bëhet nga prindi ose prindërit. Kërkesa bëhet njëkohësisht me kërkesën e vet prindit ose pas fitimit prej tij të shtetësisë.
Kur fëmija është në moshën 14 deri në 18 vjeç, kërkesa shoqërohet edhe me pëlqimin me shkrim të fëmijës.
2. Subjektet e përcaktuara sipas këtij vendimi duhet të aplikojnë për marrjen e shtetësisë shqiptare përmes një kërkese me shkrim drejtuar Presidentit të Republikës, paraqitur në organet e Ministrisë së Brendshme të vendbanimit të personit ose, në rast se personi banon jashtë shtetit, në përfaqësitë diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. Forma dhe mënyra për plotësimin e kërkesës miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punëve të Jashtme.
3. Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar me vetëdeklarimin e të dhënave dhe/ose dokumente që provojnë origjinën shqiptare nga paraardhës, të cilët kanë qenë ose janë jo me shtetësi, por me origjinë shqiptare.
4. Përfaqësia diplomatike ose konsullore e Republikës së Shqipërisë, pas shqyrtimit formal të dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi, e përcjell kërkesën pranë strukturës kompetente të Ministrisë së Brendshme jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas marrjes së kërkesës.
5. Në kërkesë duhet të përcaktohen emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, vendlindja, shtetësia, gjendja civile, adresa e saktë e vendbanimit të tij të origjinës dhe, nëse disponon, adresa e vendqëndrimit në Republikën e Shqipërisë, certifikata e gjendjes civile të shtetit të huaj apo dokumente identifikimi personal të kërkuesit, të lëshuara nga shteti i huaj, të dhënat e të paralindurit me origjinë shqiptare, si dhe dokumentet që vërtetojnë origjinën shqiptare të të paralindurit dhe shkallën e lidhjes familjare me subjektin kërkues.
6. Strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme së bashku me zyrat e Gjendjes Civile, shqyrtojnë dokumentacionin që provon origjinën shqiptare të të paralindurit, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi dhe paraqesin mendimin e tyre me shkrim pranë ministrit të Brendshëm jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë pas marrjes së kërkesës në përputhje me këtë vendim.
7. Ministri i Brendshëm propozon dhënien e shtetësisë shqiptare personit me origjinë shqiptare, në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr.8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë pas paraqitjes së mendimit sipas pikës 6, të këtij kreu. Vendimi i ministrit të Brendshëm i dërgohet menjëherë Presidentit të Republikës.
8. Pas nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë shqiptare për interes kombëtar sipas këtij vendimi, zyra e Gjendjes Civile pa vonesë kryen procedurat e nevojshme për betimin dhe regjistrimin e shtetasit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, duke kryer në të njëjtën kohë çregjistrimin e personit nga regjistri kombëtar i të huajve, nëse ai ka qenë i regjistruar më parë në të. Personi i interesuar regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, pranë zyrës së gjendjes civile, për t’u pajisur më pas, me dokumente shqiptare.
9. Personat përfitues sipas këtij vendimi nuk janë të detyruar të lenë shtetësinë që kanë për të fituar shtetësinë shqiptare në Republikën e Shqipërisë apo të regjistrojnë një vendbanim në territorin e saj në momentin e regjistrimit të shtetësisë shqiptare në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
III. Dispozita të fundit
1. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe ministri i Punëve të Jashtme për nxjerrjen e udhëzimit për procedurat dhe afatet e verifikimit e të përpunimit të kërkesave të bëra sipas këtij vendimi.
2. Fitimi i shtetësisë shqiptare në Republikën e Shqipërisë nga shtetasit me origjinë shqiptare të Republikës së Kosovës rregullohet mbi bazën e një marrëveshjeje të veçantë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme për marrjen e masave të nevojshme dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Për më tepër rreth Av. Mirela Biba kliko këtu, ose mund të lidheni me anë të Facebook.
Si mund të bëhesh Shqiptarë me Ligj Si mund të bëhesh Shqiptarë me Ligj Reviewed by Marion Mardodaj on 6/23/2016 04:05:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.