![]() |
| Nga Marion Mardodaj |
Aleanca parazgjedhore Meta-Rama, shkarkimi i anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho, dhe deklarata e opozitës së bashkuar rishtas për të shkarkuar kreun e Këshillit Bashkiak Tiranë, Njazi Kosovrasti – sigurisht edhe të tjera ngjarje që pritet të zhvillohen, duke patur parasysh frekuencën e këtyre të fundit – kanë acaruar ndjeshëm vlerat morale me të cilat jeton aktualisht shoqëria jonë, dhe kanë hapur një debat që ka shqetësuar vazhdimisht njerëzimin qysh prej krijimit të tij: moralin shoqëror dhe atij politik. Këtij shqetësimi planetar janë munduar t’i japin përgjigje përmes shkrimeve në të përditshmet shqiptare një sërë analistësh, opinionistësh e filozofësh shqiptarë. Mendimet dhe opinionet kanë qenë të larmishme; dikush hedh idenë e rilindjes morale, çka në thelb nënkupton njëlloj revolucioni; një tjetër shpjegon dallimet midis moralit politik, filozofik dhe pragmatizmit, duke u munduar të sqarojë publikun shqiptar se edhe politika shqiptare e ka me të vërtetë një moral, por që është i ndryshëm nga ai familjar; ndërsa të tjerë orvaten të shpjegojnë, duke u bazuar në referenca të pafundme filozofike, në çështje thellësisht psikanalitike e deri në çështje intime që lidhen me moralin, që mendoj se s’kanë lidhje fare me moralin shoqëror e politik.
Në vijim do të mundohem të bëj disa sqarime midis politikës dhe moralit shoqëror, duke u përpjekur të shpjegoj se shoqëria jonë sundohet nga një triumvirat i bazuar në alternimin e dilemës së Makjavelit se “nëse është më mirë të të duan, apo të të kenë frikë”, që s’ka lidhje me demokracinë.
Për të shpjeguar moralin, në radhë të parë duhet të dallojmë amoralitetin dhe imoralitetin. Fjalori Konçiz Anglez i Oksfordit termin “amoral” e definon kështu: dikush që i mungon sensi i moralitetit; që nuk shqetësohet nëse diçka është e mirë apo e keqe; që s’ka standard. Ndërsa termin “imoral”: dikush që është kundër principeve morale, që nuk përputhet me standardet e pranueshme morale.
Në kontekstin e një shteti të vërtetë demokratik, ligji, por edhe marrëveshjet politike, në thelb janë kristalizim i principeve morale të pranuara nga pjesa më e madhe e shoqërisë. Por, duke qenë se shoqëritë janë në zhvillim të pandërprerë dhe nën ndikim të vazhdueshëm nga shumë faktorë, disa principe morale veniten me kalimin e kohës ose bëhen të vjetruara për kohën, duke bërë kështu shpesh që ligji dhe morali të mos përputhen me njëri-tjetrin. Për shembull, vrasja në të gjitha shoqëritë është ligjërisht dhe moralisht e ndaluar. Pra, këtu kemi përputhje të ligjit me moralin shoqëror. Në të kundërt, kur ligji e mbështet homoseksualitetin dhe morali shoqëror s’e pranon, kemi mospërputhje midis moralit dhe ligjit. Ndërsa ligjet që hartohen nga politikanët tanë janë ligje që “bota i ka të gatshme”, siç u pëlqen të thonë shumë prej tyre, duke iu referuar Spanjës, Holandës, Danimarkës, Gjermanisë etj., pa u konsultuar apo testuar moralin dhe opinionin publik, dhe pa sqaruar se cilat ligje janë të imponuara nga ndërkombëtarët dhe cilat janë produkt i politikës shqiptare e mbi ç’bazë.
Në formësimin e principeve morale kanë ndikuar historikisht feja dhe politika. Ndërsa në shekullin që kemi hyrë po vërehet gjithnjë e më shumë që kompanitë e mëdha internacionale të ndikojnë në moralin e shoqërisë njerëzore, duke formuar dhe shtyrë kështu njerëzimin në “trekëndëshin e Bermudës”, nga ku po bëhet gjithnjë e më shumë e paparashikueshme se kush dhe si do t’i mbijetojë kësaj vorbulle. Ndërsa politika jonë mendoj se po i jep edhe një shtysë shoqërisë shqiptare që t’i afrohet sa më shpejt trekëndëshit, po të kemi parasysh acarimin e vazhdueshëm që po i bën moralitetit të saj.
Në kontekstin e shoqërisë shqiptare, disa vlera morale të rrënjosura në kulturën tonë janë besa – ose mbajtja e fjalës –, mikpritja, respekti për të moshuarit e të huajt etj. Por le të ndalojmë te “besa” ose mbajtja e fjalës, e cila na shërben për analizë. “Besa” është një vlerë morale e trashëguar ndër shekuj e shqiptarëve, e cila kur shkelet dënohet rëndë nga ata. Të mohosh besën si një vlerë të padiskutueshme do të thotë të mos pranosh se toka rrotullohet rreth diellit. Duhet theksuar se besa, në sensin e moralit, nuk duhet ngatërruar me dashurinë, intimitetin apo psikikën, por duhet kuptuar si një vlerë e kristalizuar nga marrëdhëniet shoqërore ndërshqiptare.
Në këtë kontekst, megjithëse Meta me Berishën u ndanë në dukje paq midis tyre, bashkimi për arsye pragmatiste i Metës me Ramën e zhvendos jashtëzakonisht shumë të parin nga morali shoqëror shqiptar (besa), rrjedhimisht deri në njëfarë mase edhe të dytin, po të bazohemi në shprehjen popullore se “i mbyturi të mbyt”. Këtu duhet bërë një sqarim i termit “pragmatizëm”. Sipas Enciklopedisë Konçize Britanike, “pragmatizmi” është një përdorim praktik i njohurive si një instrument për t’ju adaptuar realitetit dhe për ta kontrolluar atë. Pra, është një veprim që bazohet apriori nga eksperiencat e shkuara, por që duhen vërtetuar. Që në terma popullorë do të thotë se Meta beson se bashkimi i tij me Ramën do t’i sigurojë një llokëm pushteti, siç ia siguroi bashkimi me Berishën në 2009. Pra, në këtë kuptim, bashkimi i Metës me Ramën është amoral qoftë në terma shoqërorë (besa), qoftë politikë (interesi pragmatik). Edhe nxitimi për shkarkimin e Muhos nga PD është njëlloj amoraliteti, pasi përforcon perceptimet makiaveliste të dashurisë dhe frikës që janë prezentë në shoqërinë tonë. Ndërsa sa i përket Muhos, nëse është e vërtetë që ka falsifikuar CV-në, as që diskutohet amoraliteti i tij, as që diskutohet të jetë shqetësuar për ligjin kur vendosi dorën e tij mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në këto kushte, shoqërisë së moralshme shqiptare – jo asaj militante e injorante – i mbetet të zgjedhë njërën nga dy alternativat: dashurinë ose frikën.
