Nga Marion Mardodaj
Shpesh, kur vizitoj vende të ndryshme të Europës – si Milano, Torino, Parisi apo Berlini – më ndodh që të takoj vajza, gra apo femra të nivelit të inteligjencës mbi mesataren. Pas disa bisedave rutinë, përfundojmë gjithmonë duke diskutuar për luftën për barazinë gjinore. Ky është një debat që më intrigon dhe më nxit të reflektoj. Në këtë kontekst, dua të jap mendimin tim mbi këtë çështje, duke kërkuar me xhentilesë dhe përulësi që kushdo që e merr këtë ide, ta referojë korrektësisht burimin:
Në analogji, besoj se paraja – qoftë dollarë, euro, flori apo diamant – është në vetvete një marrëveshje besimi midis organizmave ndërkombëtarë, shteteve dhe individëve. Pra me fjalë të thjeshta, është besim reciprok i njerëzve mes tyre që një copë letër mund të konvertohet me një kilogram mish, djath etj. Nëse ti nuk beson se një gur mund të jetë flori apo diamant, për ty ai nuk ka asnjë vlerë më të madhe se një gur i zakonshëm. Thjeshtësisht, vlera i atribuohet në bazë të konsensusit dhe besimit të përbashkët.
Besoj se e njëjta gjë ndodh edhe me konceptin e barazisë gjinore. Gruaja dhe burri kanë funksione dhe role të ndryshme në shoqëri dhe familje, dhe secili prej tyre përfaqëson një vlerë të caktuar – qoftë monetare apo energjike. Në aspektin e ftohtë ekonomik, gruaja kryen disa funksione që kanë një vlerë të caktuar, ndërsa burri kryen funksione të tjera që gjithashtu kanë vlerën e tyre specifike. Gërshetimi i këtyre vlerave – qofshin monetare apo energjike – është ajo që krijon kuptimin dhe harmoninë e jetës familjare dhe shoqërore.
Barazia gjinore, në këtë kuptim, nuk duhet të shihet si një përpjekje për të barazuar gjithçka në mënyrë matematikore, por si një mënyrë për të njohur dhe vlerësuar në mënyrë të barabartë kontributet e ndryshme të burrit dhe gruas. Pra, një shishe ujë mund të kushtojë 10 dollarë në Shkretëtirë dhe 1 dollarë në Polin e Veriut, kjo sepse njerëzit (jo në marrëveshje zyrtare në këtë rast por në marrëveshje "të nënkuptuar...") e dijnë që kjo shishe uji është vërtetë shumë herë më e dobishme në Shkretëtirë se në Polin e Veriut. E njlëjta gjë ndodh me hekurosjen e një këmishe, me vendosjen e një llampe apo rregullimin e një prize etj. Pra nëse do e shihnim dhe ta besonim se barazia gjinore lidhet me aspektin ekonomik apo monetar, nuk do kishte kuptim. Kjo nuk do të thotë që njëri është më i rëndësishëm se tjetri, por që të dy janë të domosdoshëm për një shoqëri të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Në këtë mënyrë, unë mendoj se barazia gjinore duhet të interpretohet si një harmoni mes roleve dhe kontributeve, e jo si një luftë për supremaci apo uniformitet. Siç paraja ka vlerë kur ne i besojmë, edhe barazia gjinore ka kuptim kur ne e kuptojmë, besojmë dhe e pranojmë rolin unik të secilit individ në ndërtimin e një jete të përbashkët.