Shtohet numri i të sëmurëve me zemër, vaksinimet bien me 85%
Numri i të shtruarve në spitalet publike është rritur për periudhën janar – prill 2022.
Në këtë periudhë shtrimet e pacientëve janë rritur 17,5 % në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për 4 mujorin e parë të këtij viti numri i pacientëve të shtruar në spitale ishte 86,392 pacientë, nga 73,556 pacientë që ishin vjet.
Sipas treguesve, numri i pacientëve të trajtuar në kardiologji është rritur me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Ndërsa në raport me 2020, kur nisi pandemia, shtrimet nga të sëmurët me zemër janë rritur 76%.
Në periudhën janar-prill 2020 shtrimet në spitale ranë për shkak të frikës nga inflektimet e Covid-19. Sakaq mjekët paralajmëruan se pas pandemisë do të ketë rritje të interventeve kirurgjike në zemër, për shkak të problemeve post Covid-19 që duhet të trajtoheshin në kohë, raporton Monitor.
“Sëmundja e Covid-19 lë pasoja afatshkurtër dhe afatgjatë në disa sisteme e organe të cilat duhen trajtuar në kohë. Ndër pasojat post-Covid-19 janë problemet metabolike dhe ato kardiake, të cilat shpesh çedojnë në probleme dramatike të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të tilla si bypass-e, e stente koronare”, pohoi më herët për Monitor mjeku Ilir Allkja.
Në këtë periudhë ka pasur edhe rritje 4% të shtruarve në spitalet psikiatrike. Mjekja psikiatër në QSUT, Fatime Elezi tha për “Monitor” se shtrimet janë rritur nga përdorimi i lëndëve narkotike i të sëmurëve kronikë mendorë që lenë spitalet.
“Rritja e shtrimeve në spitalet psikiatrike nuk është e ndikuar nga Covid-19. Në spitalet psikiatrike gjithmonë shfaqet kjo tendencë, numri i pacientëve herë ulet dhe rritet. Kjo pasi disa pacientë kronikë të shtruar në psikiatri që përfundojnë mjekimin, rikthehen sërish për shtrime, pasi gjendja e tyre përkeqësohet nga përdorimi i substancave narkotike”.
Znj. Elezi thekson se frika dhe ankthi ishin simptomat kryesore që u shfaqen te të sëmurët me Covid-19 apo përjetimit kur infektoheshin familjarët e tyre. “Këto simptoma u trajtuan nga shërbimet ambulatore. Në psikiatri deri tani nuk kemi shtrime të pacientëve me probleme mendore për shkak të Covid-19”, nënvizon psikiatria Elezi.
Mjekët psikiatër të shërbimit parësor kanë pranuar se pas ngjarjes të tërmetit shtimi i pacientëve më shenja ankthi dhe paniku u rrit në vend. Më shfaqjen e pandemisë numri i pacientëve që vuanin nga ankthi është në rritje.
Shtohen depistimet për kancer
Ndryshe nga vitet 2020-2021, këtë 4-mujor janë rritur kontrollet e grave për kancerin e gjirit dhe të mitrës. Për këtë vit depistimet e kancerit të gjirit janë rritur 54% dhe të kancerit të mitrës 31%. Në 4 mujorin e parë të 2022 ka shtim 9% edhe të pacientëve të trajtuar me radioterapi.
Mjekja Onkologe Silvana Çeliku theksoi më herët se për shkak të frikës nga infektimet me Covid-19 në 2020, por edhe vitin e kaluar shumë gra hezituan të kryenin depistimet për kancerin e gjirit dhe mitrës. Sipas saj pasojat do të ndihen në shëndet, pasi Covid-19 pengoi diagnostikimet e hershme dhe rrezikon shtimin e fataliteteve për të prekurit me lloje të ndryshme të tumoreve.
Vaksinimet e Covid-19 bien 85%
Tags
shendet