Ndërtesa e Gjykatës Penale Ndërkombëtare |
Shërbimi i inteligjencës holandeze arriti të zbulonte një agjent ushtarak rus që u përpoq të përdorë një identitet të rremë për të depërtuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) e cila po heton akuzat për krime lufte në Ukrainë.
Sergey Vladimirovich Cherkasov, 36 vjeçar, i akuzuar si agjent i inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU), fluturoi në Holandë në prill duke besuar se kishte pasur sukses në një përpjekje të jashtëzakonshme për të fituar akses brenda gjykatës për krimet e luftës.
Cherkasov kishte udhëtuar me emrin Viktor Muller Ferreira, duke pretenduar se ishte 33 vjeç me kombësi braziliane, por u arrestua kur mbërriti dhe u kthye në Brazil të nesërmen, pasi kishte dështuar në mashtrimin e tij.
Në atë kohë, GJPN-ja kishte filluar të hetonte krimet e dyshuara ruse të luftës në Ukrainë dhe nëse Cherkasov do të kishte pasur sukses, ai do të kishte pasur akses në sistemet e e-mailit të gjykatës ndërkombëtare dhe mund të kishte qenë në gjendje të kopjonte, ngatërronte ose shkatërronte dokumentet ose provat e dorëzuara në gjykata.
"Kërcënimi i paraqitur nga ky oficer i inteligjencës konsiderohet potencialisht shumë i lartë," tha në një deklaratë Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë Holandeze.
Kreu i shërbimit të inteligjencës holandeze, Erik Akerboom, tha se ishte "shumë e rrallë" të kapje një agjent rus "të këtij kalibri".
"GRU ka shpenzuar vite duke krijuar këtë identitet të rremë. Është një përpjekje e madhe," u citua të thoshte ai nga agjencia holandeze e lajmeve ANP.
Spiuni kishte zhvilluar një identitet të rremë të ndërtuar në mënyrë të detajuar gjatë shumë viteve, duke e shënuar atë si një nga programet e çmuar të Rusisë të “ilegalëve”, një program spiunazhi që daton që nga Lufta e Ftohtë dhe është ringjallur gjerësisht nën presidentin Vladimir Putin.
Ilegalët janë agjentë rusë, të cilëve u jepen kredenciale të rreme nga një vend tjetër dhe u ngarkohet detyra për të krijuar një identitet të rremë gjatë shumë viteve, duke e mbajtur atë të fshehtë nga partnerët dhe fëmijët, me synimin për të arritur përfundimisht një pozicion ndikimi, raporton REL.
Tags
spiunë