Ushtare nën regjimin komunist duke pushkatuar një çift rreth të 50-tave. |
Më 13 qershor në Uashington u përurua Muzeu kushtuar Viktimave të Komunizmit. Muzeu nderon mbi 100 milionë individë, që u vranë nga regjimet komuniste në gjithë botën.
Në ditët e sotme vlerësohet, se rreth 1.5 miliardë banorë jetojnë ende në sisteme komuniste, armike të demokracisë, që shkelin të drejtat dhe liritë e shtetasve të tyre.
Shqipëria ka jetuar për gati gjysmë shekulli në një prej sistemeve komuniste më brutale dhe sipas shumë vlerësimeve, vendi ende nuk është shkëputur plotësisht nga mentaliteti autoritar.
Studiuesja amerikane Lori Amy, në një intervistë për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, i hedh një vështrim trashëgimisë dhe ndikimit në ditët e sotme të viteve të diktaturës komuniste.
Zëri i Amerikës: Profesore Amy, sot në Uashington u përurua një muzeum i ri dedikuar viktimave të komunizmit. Ju jetoni në Shqipëri prej disa vitesh, duke hulumtuar rreth krimeve të kryera gjatë sistemit komunist. A mendoni se vendi po bën mjaftueshëm, për të mos harruar dhe për të nderuar mijëra viktima të pafajshme?
Profesore Lori Amy: Fatkeqësisht, jo. Na duhet patjetër një objekt përkujtimor, i ngjashëm me atë që sapo u hap në Uashington, i ngjashëm me Muzeun Hebre në Berlin, që do të dokumentonte me saktësi trajektoren historike të komunizmit nën diktaturën e proletariatit të Enver Hoxhës.
Sot, nuk kemi asgjë, që të tregojë me hollësi strukturën e terrorit shtetëror, përgjatë pothuajse gjysmë shekulli të diktaturës më brutale në Evropën Juglindore. Pa këtë, vendi nuk mundet në asnjë mënyrë që të arrijë një përballje morale me krimet e së kaluarës. Dhe kjo është një prej arsyeve pse shohim që krimet shtetërore vazhdojnë edhe sot.
Zëri i Amerikës: Shqipëria jetoi nën diktaturë për gati gjysmë shekulli. A mendoni se sot, pas gati 30 vitesh pas rënies së komunizmit, vendi ka arritur të shkëputet nga mentaliteti komunist dhe trashëgimia e tij?
Profesore Lori Amy: Aspak. Aspak. Ndoshta ju kujtohet që sipas raportit të vitit 2022 të Freedom House, Shqipëria është një shoqëri vetëm pjesërisht e lirë, dhe raporti i vitit 2022 i Institutit V-DEM e klasifikon Shqipërinë si një autokraci elektorale. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i vazhdimësisë së mentalitetit komunist. Cikli i traumës kulturore të pothuajse 50 viteve diktature brutale vazhdon në disa mënyra. Një prej tyre është struktura e pushtetit totalitar.
Vazhdojmë të shohim se partia dhe kulti i personalitetit fryjnë funksionin e udhëheqësit të partisë në atë të një perëndie absolutisht të pakundërshtueshëm. Në regjimin e kaluar, kjo shoqërohej me struktura përgjimi, që përfshinin, në shkallën më të lartë 1 në çdo 3 personat, dhe në shkallën më të ulët 1 në çdo 5 persona. Njerëzit u indoktrinuan që t’i thonin pushtetit gjërat që dëshironte të dëgjonte. U mësoi njerëzve se nuk mund t’i besonin askujt. Pra, mohimi dhe gënjeshtrat u bënë pjesë e jetës së përditshme. E shohim këtë sot, në të gjitha nivelet e strukturës së pushtetit dhe veprimeve të tij.
Zëri i Amerikës: Ka shumë vëzhgues që thonë se janë pasojat e vazhdimësisë së këtij mentaliteti, që po e tërheqin vendin prapa dhe që nuk po e lejojnë të përparojë dhe të përmbushë aspiratat e tij për një demokraci liberale. Cili është mendimi juaj?
Profesore Lori Amy: Mendoj se kjo është shumë e vërtetë. Dhe sapo ju dhashë disa shembuj të një situate të tillë, por më lejoni t’ju jap disa shembuj konkretë. Pra, nën strukturat e pushtetit autoritar dhe ju rikujtoj se Instituti V-DEM e quan Shqipërinë një autokraci elektorale; pra, nën strukturat e pushtetit autoritar, shteti mundet të veprojë me pandëshkueshmëri.
Dua t’ju jap një shembull se si ka ndodhur kjo rishtazi në vitin 2020. Shteti shfrytëzoi pandeminë globale, për të shkatërruar teatrin historik kombëtar. Dhe kjo erdhi pas dy vitesh lëvizjeje qytetare, një organizim qytetar që u rrit për të mbrojtur teatrin nga shembja. Ishte pasi Europa Nostra e quajti teatrin historik, një ndër shtatë objektet më të rëndësishme të trashëgimisë që rrezikohet në Evropë. Dhe erdhi pasi i gjithë trupi diplomatik dhe çdo agjensi kulturore iu lut qeverisë të ushtronte vetëpërmbajtje dhe të çelte një dialog për teatrin që kishte në plan.
Zëri i Amerikës: Megjithëse nuk kemi parë ndonjë studim, por ka tregues të shumtë në media, në platformat sociale, ku vihet re një lloj nostalgjie për të kaluarën. Çfarë e shkakton këtë dhe si e shpjegoni që në një ndër shoqëritë më të shtypura, në një vend krejtësisht të izoluar nga bota e zhvilluar, të ketë ende nostalgji?
Profesore Lori Amy: Nostalgjia është një nënprodukt i pashmangshëm i dështimit të shtetit për t’u përballur moralisht me krimin shtetëror nën diktaturën komuniste. Ky dështim moral ka të bëjë me të paktën disa gjëra. Së pari, mohimi zyrtar shtetëror vazhdon të fshehë përmasat e brutalitetit nga i cili vuajtën njerëzit. E shohim këtë për shembull, në faktin se pothuajse 6 mijë trupa njerëzish të ekzekutuar nga regjimi nuk janë gjetur në mënyrë që t’u bëhet varrimi.
Në faktin që agjensitë qeveritare pengojnë punën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, duke i lënë shumë njerëz pa asnjë mundësi zgjidhjeje për të patur mundësinë të varrosin të vdekurit e tyre dhe të përqëndrohen tek e ardhmja. Pra, nën këto rrethana, nostalgjia është një pasojë e pashmangshme. Krijohet në veçanti nga dështimi i shtetit për t’u përballur moralisht me krimet e komunizmit. Dhe nëse mundem t’ju jap edhe një shembull tjetër të kësaj nostalgjie dhe marrëdhënies së saj të ngushtë me funksionimin e shtetit.
Qeveria e Shqipërisë po mbështetet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve për ta shndërruar muzeun që u ngrit për të lartësuar dhe idealizuar Enver Hoxhën, në një qendër të teknologjisë së re. Kryebashkiaku i Tiranës e quan këtë një projekt ringjalljeje dhe kryeministri e ka quajtur konkretisht një ringjallje që do të mundësojë restaurimin e një godine ikonike. Si po restaurojmë një godinë ikonike, që i është dedikuar një diktatori krimet e të cilit nuk janë zbardhur ende? Dhe si u përfshi komuniteti ndërkombëtar në këtë? Ky është një shembull i egër, i egër, i vazhdimësisë së krimit shtetëror sot.
Zëri i Amerikës: Më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje tjetër. Si e gjykoni megjithatë faktin që, megjithë kritikat që ju bënë, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në BE, që përpiqet pra të bëhet pjesë e këtij klubi elitar të vendeve më të zhvilluara të botës?
Profesore Lori Amy: Kjo lidhet sërish me gjithçka për të cilën kemi folur deri më tani. Jam shumë shumë e kënaqur, që më drejtuat këtë pyetje, pasi një ndër gjërat nga të cilat shqiptarët vuajtën gjatë regjimit të Hoxhës, ishte pikërisht propaganda shtetërore, që ia shiste Shqipërinë botës si një vend që mbahej me forcat e veta, se sa fatlumë duhet të ishin njerëzit në vendin më të mirë; se çdo gjë është e bukur këtu dhe pjesa tjetër e botës është e keqe.
Kemi një vazhdimësi shumë alogjike të kësaj. Shumica e botës di shumë pak për Shqipërinë. Versioni i Shqipërisë që i shitet komunitetit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet diplomatike, që funksionojnë me Shqipërinë në rrafshin global, është një histori që vazhdon të pranojë vetëm një version, versionin shtetëror. Dhe ky version mohon absolutisht realitetin e shumicës së popullsisë. Prandaj kjo është në veçanti e dhimbshme për mua, pasi kjo përfaqëson atë që njihet si “braktisje normative”.
Dhe kjo ndodh kur dhuna që njerëzit kanë vuajtur vazhdon të injorohet dhe të mohohet. Ky është një dhunim i dytë, që po e vuajnë shqiptarët. Dhe kjo është diçka që jam shumë e sigurtë se nëse do të mundeshim ta qartësonim, do të mund të ndihmonim për t’u përballur me të.
(Zëri i Amerikës)
Tags
komunizmi