Prostitua të huaja në Tiranë në vitet '20 |
Teksa ka rrëfyer për Tiranën në vitet 1920-1944, mjeku radiolog, Spiro Mëhilli, ka prekur në “Refleksione” në ABC edhe një nga çështjet delikate jo vetëm për kohën e Mbretit Zog, por edhe tashmë në demokraci- shtëpitë publike. “Shtëpia e parë publike është hapur në një fshat në jug të Shqipërisë në vitin 1912, ndërsa në Tiranë në vitin 1922, kur doli dhe vendimi i qeverisë që e lejonte një aktivitet të tillë”, tha Mëhilli.
Prostitutë shqiptare në Tiranë në vitet '30 duke pirë duhan |
Sipas tij, shtysa e marrjes së një vendimi për hapjen e shtëpive të tilla ishte frika nga sëmundjet ngjitëse. “Qeveria e konsideronte sifilizin një sëmundje të rrezikshme për rininë, ndaj dhe u vendos që gratë që kryenin këtë aktivitet, pavarësisht se kush ishin dhe nga vinin, të mblidheshin në një vend të posaçëm”, rrëfeu Mëhilli.
Ai më pas bëri një hartë të këtij aktiviteti, teksa tregoi se, shtëpia e parë publike në Tiranë ka qenë te tabakania, aty ku është Ura e Tabakëve. Ngjitur ka qene edhe policia dhe institucione të tjera shtetërore. Madje u bë çështje e kohës, pasi shumë prej femrave rrinin nëpër dritare, duke u bërë problem për nëpunësit e kohës. Tjetra u hap në rrugën “Mine Peza”, që njihet si hotel “Kruja”.
Kishte rregulla me bileta dhe dhoma të veçanta. Tjetra ishte “Lejla” në rrugën e Brrakës. Ajo ishte më e zhvilluar se dy të tjerat, pasi meshkujt zgjidhnin përmes fotove. Edhe në rrugën “Kont Uran” u hap “Casino Ferrara”, në vitin 1937. Edhe në fund të rrugës së Dibrës kishte një shtëpi publike që njihej si “shtëpia e të pasurve”. Kishte dhe të Varri i Bamit dhe te vila ngjitur me atë që ka qenë ish godina e “Zëri të popullit”.
“Përveç shtëpive publike, kishte dhe lokale që njiheshin si ‘kabare’ ku meshkujt shkonin dhe porosisnin femrat, si në rastin e ‘Kafe Zorra’. Por këto shtëpi kishin mjekë dermatologë që kontrollonin punonjëset e seksit ose ‘gratë e përgjithshme’, siç cilësoheshin në gjuhën zyrtare të kohës. Madje u sollën edhe prezervativët e parë që njiheshin si ‘kapota’ nga më të mëdhenjtë”, ka rrëfyer Mëhilli.
Shtëpi publike në Tiranë gjatë kohës së mbretit Zog |
Ai ka rrëfyer edhe një detaj të veçantë lidhur me disa nga femrat që punonin aty, në ato shtëpi.
“Ka një të veçantë, që ato gratë në atë kohë, prostitucionin e quanin zanat. Dhe, ka shumë raste, që janë martuar përmes dashurisë dhe pas martesës ato gra kanë jetuar në qetësi në çift. Madje edhe është përshkruar besnikëria e një prostitute”, ka rrëfyer Mëhilli në “Refleksione” në ABC.
Madje, sipas doktor Mëhillit, shoqëria nuk duhet të anashkalojë nevojën për një debat të tillë, duke u shprehur pro hapjes së shtëpive publike.