Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar ditën e sotme se janë anuluar 4 fluturime drejt Italisë, të planifikuara për t’u realizuar me datë 6 korrik. Në një prononcim Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi se shkak për anulimin është bërë një grevë e përgjithshme e ofruesve të shërbimit ajror.
Greva po zhvillohet në kompanitë Alitalia, Air Italy dhe Blue Panorama. Mediat italiane kanë shkruar se linjat e mësipërme ajrore në Itali, janë në krizë të rëndë dhe kanë dalë në grevë në mbrojtje të punëtorëve.
Sindikatat kërkojnë kundërshtimin e pushimeve nga puna, sigurimet e duhura shoqërore, fillimin e një reforme për riorganizimin e sistemit të aeroportit dhe rifinancimin e Fondit të Jashtëzakonshëm të Transportit Ajror, siç raporton Euronews Albania.