Artisti bashkëkohor Dritan Mardodaj i pranishëm me dy ekspozita në Itali

 Me sa duket ky muaj ka qenë mjaft i favorshëm për  artistin bashkëkohor Dritan Mardodaj. Duke qënë se edhe dita e Shën Valentinit po afron, ai e ka trajtuar këtë temë me një ekspozitë personale të mbajtur në Muzeun, Museo Civico, Biblioteca Laudense, në qytetin e Lodit, Itali. Ekspozita me titull “ Amor Sacro & Amor Profano” (Dashuria e shenjtë & Dashuria profane), heton aspektet dhe nuancat e ndryshme të kësaj teme, fjale, koncepti, ndjenje, me vepra në disa raste satirike apo sarkastike (veçanërisht ato të cilat i referohen dashurisë profane), dhe në anën tjetër, mundohet të frymëzoi drejt dashurisë dhe besimit reciprok.


Ekspozita e dytë përbëhet nga një ekspozite kolektive në Shtëpinë Muze  “Casa Museo Boschi di Stefano”, Milano, në të cilën ështe ftuar  për të marrë pjesë (ashtu si edhe  disa artistë të tjerë nga vende të ndryshme të botës si: SHBA, Francë, Finlandë, Britani e Madhe, Irlandë, Gjermani, Austri, Zvicër, Kosta Rika, Argjentinë, Itali etj) me një vepër në format kartoline (i vetmi artist pjesmarrës me origjinë shqiptare). Projekti me titull LOVE LETTER To Marieda & Antonio - A Mail Art Project for Casa Boschi Museum, organizohet nga lëvizja artistike me seli në Milano, Arte da mangiare mangiare arte, dhe inaugurohet më 14 shkurt në orën 18:00 në Casa Museo Boschi di Stefano. Kujtojmë që kjo Shtëpi Muze e bashkëshortëve, koleksionistë të artit nga Milano, Antonio Boschi dhe Marieda di Stefano përbën një nga koleksionet më të rëndësishme të artit modern  në historinë e artit italian të shekullit XX, me autorë si: Novecento, Mario Sironi, Lucio Fontana, Piero Manzoni, Giorgio de Chirico, Morandi, e shumë të tjerë, një pjesë e koleksionit të së cilëve ndodhet në Muzeun “Museo del Novecento” në qëndër të Milanos.



Vendndodhja dhe oraret:

Dritan Mardodaj, “Amor Sacro & Amor Profano”, 14 – 28 shkurt 2019, nga e marta në të shtunë, 9:15 – 18:15, Museo Civico Biblioteca Laudense, via Solferino 72, Lodi, Italia.

LOVE LETTER To Marieda & Antonio - A Mail Art Project for Casa Boschi Museum, 14 – 21 shkurt, inaugurimi 14 shkurt ora 18:00, Casa Museo Boschi Di Stefano, kati i tretë, Via Giorgio Jan 15, Milano (M1 Lima) nga e premtja 15 në të premten e 21 shkurtit 2019.

Oraret: nga e marta në të djelë, 14:00 – 18:00, Hyrja e lirë dhe pa pagesë
Për informacione: Tel. 02 88 46 37 36 – Mail: c.casaboschi@comune.milano.it 
Previous Post Next Post