Shqiptarët e Serbisë kërkojnë kthimin e librave të konfiskuar nga qeveria serbe


 Udhëheqësit e shqiptarëve nga Serbia jugore të mbështetur nga dhjetëra shqiptarë të Serbisë në terminal doganor në Preshevë në shenjë proteste kërkuan nga qeveria serbe tu kthehen librat e konfiskuara nga shërbimi doganor, të cilat janë dërguar nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Për arsye të përmbajtjes së teksteve, por edhe për arsye se këto libra janë të shtypura në Kosovë, qeveria serbe fuqishëm kundërshton përdorimin e librava të ardhur nga Kosova në shkollat shqiptare të Serbisë jugore.

Liderët shqiptarë dhe demonstruesit me anë të protestës apeluan deri tek qeveria serbe se librat nuk u përkasin kamionëve në të cilat janë bllokuar, por këta libra duhet sa më shpejtë të dërgohen në duart e nxënësve shqiptarë.

“Në këtë qeveri që është sot në Serbi, që i mat me mish tekstet mësimore, gjuha e urrejtjes, gjuha e fyerjes, gjuha e moskultutrës që nuk kanë dhe nuk e kanë pasur kurrë, po shihet edhe sot këtu në këto dy kamiona me tekste, të cilat kanë mundur brenda pak ditësh të shkojnë në duart e nxënësve”, deklaroi Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Ne nuk kërkojmë më shumë e as më pak, kërkojmë vetëm atë që u është garantuar nxënësve serb në shkollat e Republikës së Kosovës. Ne protestojmë në mënyrë paqësore dhe kërkojmë vetëm t’i nderoni dhe ti respektoni normat ndërkombëtare”, tha Nagip Arifi, kryetar i Bujanocit.

“Edhe njëherë nënvizojmë se me këtë protest dhe me këtë zë të përbashkët të shqiptarëve kërkojmë përfundimisht lirimin e teksteve mësimore të nisen në duartë e nxënësve shqiptar”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Nga ana tjetër, organizatori i protestës tha se, “Sot çdo individ, familje, shoqëri, madje edhe e gjithë bota nuk kursejnë aspak për librin dhe diturinë, por për fat të keq një gjë e tillë na mohohet në Luginën e Preshevës”.

Liderët shqiptarë dhe qeveria serbe me vite negociojnë për problemet me tekstet në shkollat shqiptare të Serbisë jugore, por nuk kanë arritur marrëveshje, për arsye të pikëpamjeve të kundërta në lidhje me përmbajtjen e teksteve.
Previous Post Next Post