Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me pasojat e protestave të sotme në Prishtinë, deri në ora 17, lëndime kanë pësuar 10 policë, 2 qytetarë dhe 2 gazetarë, ndërsa janë arrestuar 24 protestues. Këto të dhëna i shpalosi majori Baki Kelani, duke shtuar se numri i tyre ka qenë 8 mijë.
Ai ka shtuar se situata është vënë nën kontroll por nuk është qetësuar plotësisht sepse siç tha protestuesit po vazhdojnë me veprime të dhunshme.
Kelani përgënjeshtroi informatat e lëshuara në disa media kosovare, bazuar në pohimet se gjatë ditës ka bërë pengimin e udhëtimit të protestuesve në drejtim të Prishtinës, madje edhe disa shtetasve nga Shqipëria që kishin dashur t’i bashkohen protestës në Kosovë.
Ai tha se policia ka qenë e përmbajtur deri sa nuk ka filluar djegia e objektit të qeverisë dhe dhuna e ushtruar nga një grup i të rinjve që ishin pjesë e protestës së sotme duke rrezikuar jetët e policëve dhe qytetarëve.
Kelani deklaroi se Policia është detyruar të intervenojë duke përdorur mjetet ligjore, për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm dhe se këtë e ka bërë duke treguar profesionalizëm maksimal dhe duke përdorur metoda të parapara me ligj.
Tags
Kosova