Kryeministri italian Matteo Renzi ka kërkuar sërish që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Në një intervistë prej 100 minutash në televizionin “Rai 1” gjatë emisionit “Porta a Porta” të gazetarit Bruno Vespa, kryeministri italian u ndal tek zgjerimi i BE, duke theksuar se Evropa përbën një seri vlerash që kërkojnë bashkim, e jo përballje burokratësh.
Ai përmendi kryeministrin Edi Rama si personin që këmbëngul pareshtur që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe tha se do t’i pëlqente që Shqipëria të ishte anëtare e saj.
“Zgjerimi ishte një gjë shumë e mirë. Ndoshta duhej të shiheshin pak më me kujdes detajet e procesit, por sot unë jam pro anëtarësimit të Shqipërisë. Në Ballkan do të shtohen vështirësitë nëse nuk ndërhyjmë në kohë. Miku im, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, na sjell gjithnjë në mendje se sa e rëndësishme është për ta të jenë pjesë e Evropës”, tha Renzi.
Kryeministri italian u shpreh se Evropa po kalon një krizë identiteti, për të cilën të gjitha vendet anëtare duhet të kontribuojnë. Me tej, Renzi u ndal edhe tek argumentet e ditëve të fundit dhe kritikat ardhur ndaj tij prej zyrtarëve të lartë të BE. Renzi njihet si një politikan që ka kritikuar jo rrallë herë politikat e Merkelit mbi masat shtrënguese mbi Evropën. Por ai u përgjigj se, nuk mund të mbyllë sytë para vështirësive që cenojnë pikërisht këtë mënyrë jetese dhe nivel kulturor që paraqet ky kontinent.
“Nuk jam nga ata që për fëmijët e mi të kërkoj më tepër liri lëvizje nëpër botë që siguron marrëveshja Shengen, por edhe vullnetin e fortë për të besuar në vlerat e përbashkëta”, tha Renzi.
Një muaj më parë kryeministri italian kritikoi ashpër kancelaren gjermane Angela Merkel, mbi masat shtrënguese në Eurozonë, të cilat sipas tij po shpërndajnë flakët e populizmit në mbarë Evropën. Duke folur për “Financial Times”, Renzi u shpreh se votuesit në të gjithë Evropën po zhgënjehen gjithnjë e më shumë me partitë e qendrës dhe po shkojnë drejt populizmit. “Unë nuk jam duke luftuar kundër Evropës, siç shkruajnë disa media. Unë jam duke luftuar për Evropën, për një Evropë sociale e cila mbështet kulturën, inovacionin dhe punësimin”, tha Renzi.
Tags
europa