Pas Danimarkës, Italia është shteti i radhës që ka vendosur të kryejë kontrolle në kufi. Bëhet fjalë për rivendosjen e kontrolleve kufitare në kufi më Slloveninë.
Mediet italiane pohojnë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Traktatit Shengen në kufirin mes Italisë e Sllovenisë, pra vendosjen e kontrollove në kufijtë tokësorë e hekurudhorë më Slloveninë, duke lënë të lirë vetëm qarkullimin në kufirin ajror.
Ministria e Brendshme italiane ka regjistruar gjatë ditëve të fundit një shtim të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në territorin italian nga kufiri slloven. Mesatarisht janë rreth 300-400 emigrantë që hyjnë çdo javë nga ky kufi, fakt që ka detyruar qeverinë italiane për hartimin e një plani të posaçëm pune mbi përballimin e këtij fenomeni.
Kjo masë e jashtëzakonshme sigurie do të bëhet operative vetëm nëse do të evidentohet gjatë ditëve në vazhdim një shtim i hyrjes së emigrantëve nga ky kufi e nëse do të mungojë ajo klimë evropiane bashkëpunimi e premtuar qysh në muajt e mëparshëm.
Ndërprerja e Traktatit Shengen e rivendosja e kontrolleve kufitare është ndërmarrë nga vendet evropiane vetëm në rastin e eventeve të programuara si, konferenca të rëndësishme ndërkombëtare me pjesëmarrjen e liderëve botërore apo aktivitete të mëdha sportive internacionale.
Italia deri më sot ka vendosur vetëm një herë të pezullojë Traktatin Shengen në vitin 2008 me rastin e samitit G8 të mbajtur në qytetin Aquila. Por ky hap i radhës tregon se Shengeni është në rrezik.
Tags
europa