Truri i njeriut është mekanizmi më kompleks i njohur në univers, por devijimet gjenetike, dëmtimet dhe sëmundjet mund të ndikojnë tek funksionet e tij. Hulumtimet e fundit kanë treguar se truri mund të gjenerojë qeliza të reja, të quajtura neurone. Aktivitetet normale të trurit rezultojnë nga lidhja e neuroneve së bashku në rrjete komplekse dhe, siç njofton nga Hjustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, studiuesit po përpiqen të kuptojnë më mirë se si ndodh kjo.
Duke përdorur mikroskopë dhe pajisje imazhi Amina Qutub mund të vëzhgojë qeliza të trurit në laborator dhe lidhjen mes tyre.
“Po shohim sesi qelizat që rigjenerojnë trurin formojnë rrjete aktive nervore.”
Qelizat e trurit lidhen me njëra tjetrën përmes sinjaleve kimike dhe elektrike dhe krijojnë një shumëllojshmëri proteinash që stimujojnë rritjen.
Ekipi i shkencëtares Qutub në Universitetin Rajs ndërthur fusha të tilla si biologjinë, inxhinierinë elektrike dhe nanoteknologjinë për të zbuluar misteret e funksionimit të trurit.
"Çdo qelizë këtu ndikohet nga të gjithë fqinjët e saj në mjedis. Pra, ne po testojmë se si një qelizë, kur bëhet një neuron elektrik aktiv, ndikohet nga qelizat përreth".
Në laborator ka një punim të artit abstrakt që është krijuar me imaxhet e rrjeteve të neuroneve duke treguar kompleksitetin e tyre të gjerë.
“Ato formojnë struktura shumë të bukura dhe komplekse. Struktura e rrjeteve të ndryshme diktohet nga funksioni që kryejnë. Po përpiqemi të kuptojmë si ndikojnë sinjalet kimike për krijimin e një strukture të caktuar dhe si kjo strukturë kimike gjeneron sinjalet elektrike që dalin nga neuronet aktive. ”
Studimi mbështetet pjesërisht nga Nisma Brain e presidentit Barack Obama prej 300 milionë dollarësh e cila është modeluar sipas Projektit Gjenomi Njerëzor.
“Kjo nismë mbështet në një farë mënyre studimin tonë. Është shkencë bazë, por hap një derë të madhe për të kuptuar më mirë trurin. ”
Si shumë njerëz në mbarë botën, Amina Qutub ka parë sesi një goditje në tru apo sëmundje si Alcajmeri mund të çrregullojnë funksionimin e trurit, prandaj ajo shpreson se ky studim do të çojë një ditë në trajtime më të mira.
“Ne po kuptojmë mekanizmin sesi këto qeliza mund të rriten përsëri dhe nga kjo mund të identifikojmë mjekime më të mira dhe të kemi objektiva më të qartë. ”
Tani për tani, ekipi është përqëndruar në ndërtimin e një modeli kompjuterik dinamik që mund t’i ndihmojë të analizojnë ndërlidhjen e mekanizmit më kompleks në botë./VOA/
Tags
Shkencë