Rriten mundësitë e Federatës së Futbollit të Kosovës për t’u bërë pjesë e UEFA-s vitin e ardhshëm.
Kërkesa e FFK-së për t’u anëtarësuar në këtë institucion do të shqyrtohet në Kongresin që do të mbahet më 23 mars 2016 në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
Vendimi është marrë të enjten në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të “qeverisë” evropiane të futbollit që u mbajt në Maltë.
“Komiteti Ekzekutiv ka vendosur ta dërgojë për shqyrtim në Kongresin e 2016-ës kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim”, bën me dije UEFA me një komunikatë zyrtare për media.
Nëse merr votat e nevojshme për pranim, Kosova mund të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2018 që do të nisin shtatorin e ardhshëm.