Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti sot në takim delegacionin e senatorëve italianë, të kryesuar nga Vannino Chiti, kryetar i Komisionit për Politika të BE-së në Senatin e Italisë, i cili rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për rrugën integruese të Kosovës në BE, e në veçanti për dy prioritetet kryesore të axhendës evropiane, që lidhen me liberalizimin e vizave dhe MSA-në.
Ministri Çollaku, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka ofruar Kosovës, konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet dhe me të drejtë pret nga BE-ja nënshkrimin e MSA-së dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
Gjatë takimit, Çollaku nënvizoi se çelës i stabilitetit është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kurse, kryesuesi i delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, Vannino Chiti rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për rrugën integruese të Kosovës në BE e në veçanti për dy prioritetet kryesore të agxhendës evropiane që lidhen me liberalizimin e vizave dhe MSA-në.
Senatori Chiti përgëzoi ministrin Çollaku dhe Qeverinë e Republikës se Kosovës për vendimet e fundit të guximshme dhe të përgjegjshme, të cilat padyshim që forcojnë sovranitetin dhe perspektiven evropiane të vendit.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimit bashkëbiseduesit ranë dakord për nevojën e intensifikimit të komunikimit me qëllim, rritjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve direkte, bashkëpunimit kulturor dhe bashkëpunimit ekonomik në përgjithësi.
Tags
Kosova