Triumfi i Elhaida Danit ndaj Europës së Moshuar në kërkim të heronjve

Nga Marion Mardodaj
Vizioni për këngën i Europës për këtë vit, ose ndryshe, Eurovizioni, vërtetojë edhe njëherë se fituesi i kësaj gare përcaktohet në një masë të gjerë nga sentimentalizmat gjeopolitik dhe nga struktura moshore apo demografia e Europës, ku ndryshe votuan të rinjtë dhe ndryshe të moshuarit.


Suedia fituese me këngën “Heronjtë”, kënduar nga Måns Zelmerlöw, u votua maksimalisht nga Europa Veriore dhe Skandinave; Rusia me Polina Gagarinën dhe këngën “Një Milion Zëra”, këngë që çuditshmërisht përçon mesazhin e kultivimit të diversitetit dhe bashkësisë, u votua maksimalisht nga satelitët e ish-Bashkimit Sovjetik, ku nuk bën përjashtim edhe Shqipëria me kriptoprorusët dhe prorusët e deklaruar të saj; Kurse Italia me grupin e saj “Il Volo” dhe këngën “Dashuri Madhështore,” u votua masivisht nga Europa Latine dhe Mesdhetare, përfshirë këtu Shqipërinë, Izraelin dhe Greqinë.
Pra siç shihet qartë, harta e votave të Europës është larg të bazuarit tek talenti dhe vlerat artistike.


Nga ana tjetër ekzistojnë edhe indikatorë të tjerë nga ku mund të bëjmë një analizë e të përftojmë një ide sa më të qartë, se cila këngë ka prekur me të vërtetë ndjenjat e votuesve.


Ekzistojnë artikuj dhe komente në gazeta të ndryshme europiane që sugjerojnë se juria nuk ka qenë edhe aq transparente. Në fakt, po të kemi parasyshë që Greqia ku banojnë mbi 700 mijë emigrantë shqiptarë dhe mbi 3 milion shqiptarë në gjene ose siç njihen ndryshe, arvanitas, nuk i dha mjaftueshëm pikë Shqipërisë si herët e kaluara, bën të mendojmë që transparenca e jurisë së shteteve respektive në Eurovizion lë vend për dyshime serioze. Ndërsa nga ana tjetër, media dhe ekspertë të ndryshëm në mbarë Europën dhe më gjerë, e kanë parë Elhaida Danin si fituese, ku nuk kanë munguar vlerësimet nga të gjitha pikëpamjet.

Gjithsesi, të rinjtë e Europës e thanë fjalën e tyre pro Elhaida Danit dhe Shqipërisë, e cila u rendit e dyta në You-Tube pas Rusisë. Sigurisht që kjo e fundit nuk mund të krahasohet me Shqipërinë në kushtet e votimit të gjithsecilit shtet në You-Tube, po të kemi parasyshë se popullsia e saj shkon në mbi 120 milion banorë, një pjesë e mirë e të cilëve sigurisht që ka klikuar pro këngës ruse në You-Tube.


Të rinjtë e Europës e thanë fjalën e tyre në You-Tube, - platformë kjo e cila mund të merret pa mëdyshje si faktor për një analizë racionale - ndërsa të moshuarit në TV.


Të moshuarit europian të ngulitur përpara televizorit, janë më të vëmendshëm e të gatshëm për të votuar. Ndërsa të rinjtë e çoroditur europjan të së shtunës, në një ditë pushimi, kur pabet dhe klubet e natës së Europës gumëzhijnë, nuk do ta kishin edhe aq me qejf të votonin, e sidomos kur votimi duhej të bëhej në orën 11.30, kur hutimi dhe ekstaza e të rinjve kishte arritur pikun. Dhe nga ana tjetër, duhet të kemi parasyshë që shumica e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, janë të rinj në moshë.


Ata e thanë fjalën e tyre të sinqertë, pa paragjykuar, në një kohë kur kishin kohë t’i shijonin me të vërtetë dhe sipas mënyrës së tyre këngët e Eurovizionit, përmes You-Tub-it: Shqipëria e populluar prej 2.8 milion banorësh, mori mbi 4.5 milion klikime; Suedia me 9.6 milion banorë, arriti të marrë vetëm 0.6 milion klikime, dhe këto vetëm 12 orë pas përfundimit të Eurovizionit; Rusia me 130 milion banorët e saj, mori mbi 7.5 milion klikime; Italia e përbërë nga mbi 70 milion banorë, mori 2.4 milion klikime, vetëm 12 orë pas përfundimit të Eurovizionit.


Çfarë i bëri të rinjtë e Europës të votojnë në këtë mënyrë, çfarë duan ata?
Të rinjtë e Europës e duan jetën. E ndjenjë thellë faktin e të qenurit gjallë. Ata nuk kanë kohë të mendojnë për vdekjen, por mendojnë si ta shijojnë më mirë jetën e të ndërtojnë një jetë më të begatë. I ndjejnë tmerrësisht thellë lotët vrastare të dhimbjes, i njenë në palcë lotët pikëllues të zhgënjimit, lotët rrëqethëse të vdekjes, lotët sublim të dashurisë, duke qenë se janë në prag të hapave të provimit të këtyre ndjenjave. Ata nuk e njohin dashurinë e përtejme, ose e njohin shumë pak. Paragjykimet e tyre janë minimale, sidomos në Europën e kohëve të sotme, e cila gëlon nga emigrantët e gjithë botës dhe objektet e kultit të të gjitha feve. Të rinjtë e Europës e ndjejnë thellë rëndësinë e të qenurit gjallë në një botë që ofron pafundësisht për të shijuar, prandaj, votuan të shpenguar dhe sinqerisht për Elhaida Danin dhe Shqipërinë. Prandaj, votuan për jetën.


Pse votuan në këtë mënyrë të moshuarit e Europës, çfarë duan, çfarë ndjejnë ata?
Ata e dinë mirë që dashuria madhështore përftohet në kushtet e diversitetit, ku njerëzit dashurohen natyrshëm. E dinë që Italia zotëron mbi 80% të artit botërorë dhe ka përbërjen gjenetike më heterogjene në botë, më shumë se SHBA-të, është vendi ku bashkëjetojnë në paqe të gjitha racat e botës, shumica e të cilave janë aty që nga koha kur i grumbulloi Perandoria Romake, rreth 2000 vjet më parë. Prandaj të moshuarit e Europës e dinë, që Italia e njeh më mirë nga të gjithë dashurinë madhështore, prandaj e duan “Dashurinë Madhështore” të Il Volo-s, atë përtej vdekjes, e cila po u afrohet ngadalë. Janë të lodhur e të strapacuar nga lotët, nga vetë fakti i të qenit gjallë: Kanë parë tmerret e Luftës së Dytë botërore, ua kanë transmetuar brezave, kanë derdhur lot pa masë. Ndoshta për ta, lotët dhe vetë jeta, e ka humbur kuptimin tokësorë. E duan diversitetin dhe bashkësinë për të përligjur në subkoshiencën e tyre ekzistencën e një Europe të bashkuar që vazhdon të ecë; nuk e duan e Rusinë, sepse e njohin në detaje. Ia dinë qëllimet dhe hiletë. E dinë që Putini është bërë sinonim i Hitlerit, dhe se kënga e Gagarinës së bukur e të pafajshme, është totalisht e porositur nga lart me qëllim për të përmirësuar imazhin e shfytyruar të Rusës në sytë e Europës, se me demek Kremlini i Putinit e përqafon sinqerisht diversitetin.


Të moshuarit e Europës duan heronj që të vdesin në tokë, dhe të pavdekshëm lart tokës. Duan një Çërçill, një De Gol; duan një Shekspir, një Servantes, një Homer.


Duke qenë se njerëzimi ka arritur zhvillimet e sotme dhe ka ndërtuar botën që ne njohim sot me anë të simboleve, ka shumë të ngjarë që edhe simbolet e numrave të datës së zhvillimit të Eurovizionit të kenë një kuptim të fshehtë dhe të synuar, nga të moshuarit e Europës.


Finalja e Eurovizionit u zhvillua në datën 23/05/2015, të shtunën, në orën nëntë të mbrëmjes. Po të mbledhim numrat e muajit, 2+3, bëjnë 5, ndërsa Maji është muaji i 5-të, viti 2015. Veç faktit që numri 5 lidhet me pesë cepat e yllit, i cili gjendet në flamurin e BE-së, mos vallë ky numër (5) përfaqëson 5 kontinetet e globit?

Duhet të kemi parasyshë që të paktën për 500 vjet, bota është rrotulluar rreth Europës. Europa ka qenë prej shekujsh lokomotiva e zhvillimeve intelektuale, teknologjike dhe të artit të globit. Bota në të cilën jetojmë, nuk do të ekzistonte, po të mos ishte Europa.


Europa kërkon heronj, që të vazhdojë krenare rrugën e saj, siç ka bërë ndër shekuj.

Në fund të fundit, ky duhet të jetë Vizioni i Zonjës së Vjetër: E bashkuar dhe plot heronj, për “vazhdimësinë e jetës.”
Previous Post Next Post