Gjuha Shqipe mësohet edhe në Ankara


Këto kurse do të zhvillohen në mjediset e Qendrës Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri”. Vlen të përmendet që është hera e parë që hapen kurse të rregullta të gjuhës shqipe në Ankara

Përpjekjet për të mbajtur gjithmonë të bashkuar shqiptarët që kanë lindur në Turqi, nuk kanë ndalur asnjëherë.


Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, në bashkëpunim me shoqata dhe unione të ndryshme punon vazhdimisht për të mbajtur gjithmonë të lidhur me njëri tjetrin popullin shqiptar që jeton në Turqi. Pas kurseve të gjuhës shqipe në Stamboll dhe Izmir, kursi i gjuhës shqipe do të fillojë edhe në Ankara më datë 22 prill 2015.
Këto kurse do të zhvillohen në mjediset e Qendrës Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri”. Vlen të përmendet që është hera e parë që hapen kurse të rregullta të gjuhës shqipe në Ankara.
Formularët e regjistrimit janë shpërndarë dhe plotësuar nga të interesuarit për të mësuar gjuhën shqipe dhe tani pritet veç fillimi i kursit.
Kjo është një sipërmarrje e studentëve shqiptarë në Ankara dhe veçanërisht e Unionit Studentor Shqiptar në Turqi (Ankara) në vazhdën e aktiviteteve të ndryshme që ky union po zhvillon me studentët e shqiptarë nga të gjitha trevat që studiojnë në Universitetet shtetërore ose private në Ankara, raporton trt shqip.
Ky kurs gjuhe, krahas mësimit të gjuhës mëmë, pritet të kontribuojë edhe në njohjen e shqiptarëve me njëri tjetrin, në përforcimin e kulturës dhe traditës si dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet e ndryshme që organizohen si nga Unioni Studentor Shqiptar në Turqi, Ankara ashtu edhe nga Ambasada e Shqipërisë dhe Kosovës.
Previous Post Next Post