800 Mjekë Shkarkohen nga puna pas 4 ditësh - nuk zotërojnë njohuritë e duhura


mjke-proteste

Pas katër ditësh, përkatësisht më datë 15 prill rreth 800 punonjës të shëndetësisë do të largohen nga puna, pasi rezultojnë me 0 kredite, nga 150 që duhet të siguronin në total. Bëhet fjalë konkretisht për 31% të punonjësve të shëndetësisë, prej të cilëve  5% mjekë, 20% dentistë dhe 6% farmacistë, të cilët janë vlerësuar me 0 kredite në programin e edukimit në vazhdim, çka dëshmon se njohuritë e tyre në këtë fushë janë të dobëta, pa përjashtuar edhe ata të cilët nuk kanë marrë pjesë në program, në kundërshtim me ligjin. Pavarësisht se shifra prej 30% e punonjësve të shëndetësisë, që nuk plotësojnë një prej kushteve thelbësore për të ushtruar detyrën, është e lartë, përfaqësues zyrtarë të Urdhrit të Mjekut bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se numri i tyre mund të jetë edhe më i lartë, pasi ka mjekë, infermierë, dentistë dhe laborantë, të cilët i kanë marrë ato në mënyrë fiktive, kundrejt pagesës.

Në fund të muajit shkurt, gjatë një konference për shtyp, ku të pranishëm ishin drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Entela Shehu, dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u prezantuan rezultatet e arritura nga punonjësit e shëndetësisë, në programin e edukimit në vazhdim, panoramë të dhënash që sipas kreut të Shëndetësisë tregojnë se jemi përpara një emergjence kombëtare. “Jemi para një emergjence kombëtare. Në zbatim të atyre çfarë janë vendosur në vite kur ky proces ka filluar, profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë marrë kreditet, nuk mund të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre. Të thuash që 1/3 e trupës së profesionistëve të shëndetësisë në vend nuk mund ta ushtrojnë më profesionin, është një gjë shumë e rëndë. Deri më 15 prill, ne do të kemi shpallur listën nominale të gjithsecilit që s’i ka marrë kreditet. Po në të njëjtën ditë, QKEV do t’i çojë urdhrave të profesionistëve, listën e profesionistëve që kanë zero kredite dhe atyre me zero automatikisht nuk u lejohet më ta ushtrojnë profesionin”, tha ministri i Shëndetësisë. Referuar të dhënave të kategorizuara sipas specialiteteve, pjesa më madhe e mjekëve në pediatri, kirurgji dhe neurologji nuk është vlerësuar pozitivisht; pjesa dërrmuese e punonjësve të shëndetësisë që nuk ka marrë kreditet e mjaftueshme është e përqendruar në shërbimin parësor, por edhe në spitalet private, ku pritet që urdhrat përkatës të pezullojnë ushtrimin e profesionit për ata punonjës që nuk plotësojnë kreditet./Shqip/
Previous Post Next Post