Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka deklaruar dje nga Fieri se gjithë drejtuesit e punonjësit e hipotekave do të testohen me qëllim rritjen e performancës së këtyre institucioneve. Deklarata është bërë dje në mesditë kur ministri Naço ka prezantuar edhe kryeregjistruesin e ri të Fierit, Gani Bendo, pas shkarkimit të paraardhësit të tij, Anila Haxhiajt. I shoqëruar edhe nga kryeregjistruesi i pasurive të paluajtshme të vendit Ilirjan Muho, Naço ka prezantuar Bendon para stafit me të cilin do të punojë. Në deklaratën e tij për median, ministri Naço pohoi se largimi i ish-kryeregjistrueses së Fierit, Anila Haxhiaj, është kryer për shkak të performancës së dobët dhe për shkelje të afateve ligjore për nxjerrjen e certifikatave të pronësisë.
Ai shtoi se për këto arsye janë shkarkuar edhe kryeregjistrues të tjerë si në Vlorë, Lushnjë etj. “Besojmë se me vendosjen e drejtorit të ri në këtë institucion, tashmë qytetarët e Fierit nuk do të presin në radhë me muaj të tërë për të marrë certifikatën e pronësisë, por do të presin afatin ligjor. Nga ana tjetër, edhe institucione të ndryshme shtetërore e private do të zgjidhen më shpejt për problemet që ata kanë në lidhje me hipotekat. Ne do të jemi përsëri këtu për t’u ballafaquar me punën e bërë, por edhe për t’u përballur me qytetarët”, theksoi Naço.
Më tej, ai ka theksuar se si drejtuesit e hipotekave në rrethe, ashtu edhe punonjësit e këtyre administratave do të testohen për aftësitë në nivelin e tyre profesional dhe performancën. Ndërsa kryeregjistruesi i republikës, Ilirjan Muho, ka pohuar se për vitin 2014, në institucionin që ai drejton ka pasur 12 mijë letra ankesa nga qytetarë të ndryshëm në shkallë vendi, 7 mijë prej të cilëve u është kthyer përgjigje.
Sipas tij, në ankesat e qytetarëve nënkuptohej fakti se nëse nuk paguaje nën dorë nuk mund të merrje certifikatën e pronësisë brenda afateve ligjore. Më pas, ministri Naço ka kryer një inspektim në burgun që po ndërtohet në periferi të qytetit të Fierit. E.Hoxhaj
Ankesat
Muho ka pohuar se për vitin 2014, në institucionin që ai drejton, ka pasur 12 mijë letra ankesa nga qytetarë të ndryshëm në shkallë vendi, 7 mijë prej të cilëve u është kthyer përgjigje./Shqip/
Tags
aktualitet