Dëbora mbulon vendin, vështirësi në qarkullimin e automjeteve

Në zonat veri dhe juglindore të vendit vijojnë reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara me erëra të forta. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se reshjet kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këto zona dhe ju bën thirrje qytetarëve të përdorin zinxhirë gjatë lëvizjes së tyre me automjete. Sipas informacioneve të mbledhura nga zonat e thella, bëhet e ditur se dëbora ka nisur me intensitet të lartë.

Në qarkun e Kukësit, gjatë orëve të natës, në të gjitha akset rrugore ka pasur ngrica, ndërsa kompanitë e pastrimit të rrugëve kanë hedhur kripë, për të parandaluar aksidentet rrugore. Në këtë qark trashësia e dëborës shkon 30-50 cm.


Dëborë me intensitet është duke rënë edhe në pjesën e “Rrugës së Kombit”, ku në terren janë 8 mjete borëpastruese për të mbajtur të hapur rrugën në të dyja korsitë. Policia Rrugore, ndërkohë, vijon që të patrullojë të gjitha akset rrugore dhe ka apeluar, që drejtuesit e automjeteve të pajisen me mjete dimërore.

Situatë e rënduar prej temperaturave të ulta dhe ngricave raportohet edhe në Qarkun e Korçës, ku ka pasur vështirësi të qarkullimit të mjeteve në disa zona të thella si Vithkuq-Shtyllë, Miras-Vidohovë dhe në aksin Voskopojë-Lekas. Të tre këto akse janë të kalueshme me zinxhirë. Problematike paraqitet situata edhe në akset nacionale që lidhin Korçën me Dardhën, Kapshticën dhe Qafë Thanën.

Reshje të dendura dëbore janë regjistruar edhe në zonat e thella të Qarkut të Elbasanit, veçanërisht në Komunat Rrajcë dhe Qarrishtë të Librazhdit, aty ku dëbora ka arritur deri në 20-30 cm. Bora ka mbuluar edhe fshatrat Shmil Polis dhe Zavalinë të Elbasanit, ndërkohë që policia vijon me paralajmërimet ndaj drejtuesve të mjeteve, që të përdorin zinxhirët në akset problematike.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në gatishmëri.
Previous Post Next Post