Politikanët që kanë pasur këto ditë ankthin e përgjimeve nga SHISH tashmë mund të qetësohen. Gjithnjë, sipas kreut të SHISH! Kjo ajo që thuhet, të paktën në deklaratën e kreut të Shërbimit Sekret Visho Ajazi Lika, i cili ka mohuar se telefonatat e personave publike të së majtës shqiptare të jenë përgjuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2013-ë. Kreu i SHISH i ka cilësuar të pavërteta pretendimet mediatike duke dhënë garanci se nuk është kryer asnjë përgjim ilegal. Por legal ka patur, pasi legalen e gjen si të dojë Visho Ajazi.
“Duke sqaruar se SHISH nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë publike veprimtarinë e vet, për hir të së vërtetës dhe mbrojtjes së punës së tij, n’a lejoni t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik shqiptar se institucioni ynë ka vepruar, vepron dhe do të veprojë gjithmonë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative që rregullojnë këtë veprimtari. Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër” shkruhet në deklaratën për shtyp të bërë publike sot.
Në deklaratën e firmosur nga Visho Ajazi Lika theksohet edhe një element tjetër që në fakt është edhe shqetësim botëror: Lufta ndaj forcave të errëta të xhihadizmit siç i cilëson kryespiuni shqiptar. “Jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria, dhe SHISH në veçanti, janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte.”
Por duke qënë mjeshtër i vjetër, që në kohen e Gazidedes, kreu aktual i SHISH Visho Ajazi ka nxituar të bëjë deklaratën në media, për të qetësuar, por në të vërtetë ka shtuar dilemat dhe përgjimin. Pra, është shtuar volumi i punës në SHISH për përgjime të politikës, ministrave, medias dhe disa biznesmenëve. Kur thotë Visho Ajazi se “nuk kam përgjuar, por rrini të qetë” atëherë i ka plot sirtarët me përgjime. Dhe menjëherë shton humorin Berisha në katin e 14-të, në pallatin e madh në qendër të Tiranës. Visho Ajazi ka nxituar të dalë në përgënjeshtrim në media, pasi e di mirë natyrën e prerë të Kryeministrit Rama, që edhe mund ta pezullojë ose largoje dhe nuk ka President apo ish-kryeministër që mbron. Por Rama rri i qetë, se për atë vetë nuk ka përgjime korrupsioni. Për të tjerët le t’i nxjerrin, mendon dhe Rama. Bashkëpunim perfekt, pa u takuar SHISH-Kryeministri!
Deklarata e plotë e Shërbimit Informativ Shtetëror
Ditët e fundit Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) edhe një herë tjetër është vënë në shënjestër të goditjeve të mediave të ndryshme, përmes deklarimit të të pavërtetave lidhur me aktivitetin e tij ligjor.
Duke sqaruar se SHISH nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë publike veprimtarinë e vet, për hir të së vërtetës dhe mbrojtjes së punës së tij, na lejoni t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik shqiptar se institucioni ynë ka vepruar, vepron dhe do të veprojë gjithmonë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative që rregullojnë këtë veprimtari.
Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër.
Është shumë e qartë se ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media, dhe për fat të keq edhe botohen pa marrë asnjë masë verifikuese, kanë qëllimin e mbrapsht ta denigrojë këtë agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare, ta pengojë dhe shkurajojë në punën e saj aq të dobishme dhe të vështirë.
Ju sigurojmë se kemi kaluar situata shumë më të vështira se sa situatën e stisur me këto të pavërteta, por ne thjesht i kemi injoruar të gjitha ato përpjekje të cilat kanë patur si qëllim përbaltjen e veprimtarisë sonë.
Përmes këtij komunikimi, e sigurojmë publikun shqiptar se veprimtaria e SHISH, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, në këta dy vjet, është vlerësuar mjaft pozitivisht si nga institucione të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga shërbime partnere strategjike. Jemi krenarë t’ju informojmë se, në rendin e këtyre vlerësimeve, për suksesin e vizitës së Papa Françeskut, në mes të institucioneve të tjera, edhe SHISH mori falenderime të veçanta nga Shenjtëria e Tij.
Duke qënë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria, dhe SHISH në veçanti, janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte.
Fatos Klosi: Ka ardhur koha të hapen letrat për SHISH për përgjimet
Ish- kreun e Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, e ka cilësuar deklaratën e kreut të SHISH, Visho Ajazi si pa domethënie . Duke ju referuar qëndrimit të djeshëm, Klosi thotë se ka ardhur koha që për përgjimet e SHISH të hapen letrat. “Kjo do të ishte absurde. Prandaj them ka ardhur koha që të hapen kartat. Nuk shoh ndonjë sekret apo ndonjë dëm të madh që i bëhet, është shumë më e rëndësishme dhe duhet të sqarohet nëse shërbimi është në binarët ligjor dhe kushtetues që duhet të jetë, ky që është në drejtim të tij, këtë që tha e tha të vërtetë apo jo, sesa të rrimë të fshihemi prapa gishtit tonë, të mos dalë kjo apo ajo gjë. Kjo është shumë më e rëndë”,- tha ai për Ora News. Për Fatos Klosin ky institucion e ka humbur tashmë besimin e publikut. “Ky shërbim nuk i duhet kujt në qoftë se bën përgjime të tilla. Të gjitha sekretet janë fare pa vlerë para një situate të tillë. Kur kemi një shërbim që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe ky përgjon politikanët për hesap të disa politikanëve të tjerë”,- u shpreh Klosi.
Tags
aktualitet