Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të banorëve të Lazaratit

Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të banorëve të Lazaratit
Policia dhe prokuroria, disa muaj pas operacionit për asgjësimin e drogës së kultivuar në Lazarat, ka nisur një hetim të gjerë për sekuestrimin e pasurisë për të gjithë personat që dyshohen se e kanë vendosur në rrugë kriminale. Dhjetëra llogari bankare, apartamente, shtëpi private, dyqane dhe lokale me sipërfaqe të mëdha, janë regjistruar si prona të regjistruara në emër të personave dhe të afërmve të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal të kultivimit të hashashit në Lazarat.


Në bazë të ligjit “Antimafia”, pas pak ditësh pritet të nisë një aksion i gjerë, që me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, do të vendosë nën sekuestro preventive prona të konsiderueshme. Sipas burimeve nga prokuroria, vlerat në llogaritë bankare, së bashku me pronat e paluajtshme në Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë arrijnë vlerën e miliona eurove. Hetuesit thanë se do të sekuestrohen edhe prona e biznese që ndodhen brenda fshatit. Të gjitha u përkasin të arrestuarve për llogari të Prokurorisë për Krime të Rënda apo akuzës së Gjirokastrës.

Po ashtu, mësohet se do të sekuestrohen edhe shtëpitë e banorëve të Lazaratit, në tokën apo oborrin e të cilave policia asgjësoi mijëra rrënjë kanabis. Në qendër të sekuestrimeve do të jenë pasuritë e dhjetë personave që u arrestuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për sulm ndaj forcave të rendit dhe kultivim të lëndëve narkotike. Po ashtu, në këtë hetim janë përfshirë edhe 80 personave të tjerë, të proceduar nga Prokuroria e Gjirokastrës, shumica e të cilëve po ndiqen në gjendje të lirë për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike të llojit hashash. Të dyja këto institucione kanë bërë këqyrjen e rreth 500 vendngjarjeve, ku janë gjetur lëndë narkotike, armë apo edhe sende të tjera të paligjshme, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Policinë Shkencore. Për çdo pasuri që grupi hetimor ka dyshime se është vendosur në rrugë kriminale, do të kërkohet në gjykatë sekuestrimi i saj, ndërkohë që sipas ligjit “Antimafia”, barra e provës do të jetë për të dyshuarit, të cilët duhet të paraqesin fakte për të kundërshtuar këto dyshime dhe për të rifituar pronën e tyre.

Sekuestrimi i pasurive u paralajmërua nga policia, që para realizimit të operacionit në Lazarat. Në muajin prill, ishte drejtori i përgjithshëm, Artan Didi, i cili u bëri thirrje banorëve të fshatit të distancoheshin, pasi do të sekuestroheshin pasuritë e tyre, nëse kishte dyshime se ato ishin vendosur në rrugë kriminale. Paralajmërimi i dytë erdhi në muajin gusht nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tha se po verifikohen të gjithë personat e arrestuar dhe proceduar për kultivim e trafikim të lëndëve narkotike. Këtë deklaratë, ai e bëri gjatë operacionit antikanabis në Dukagjin, duke shpjeguar se të njëjtin fat do të kenë edhe të proceduarit për të njëjtën vepër penale në zonën veriore të Shqipërisë./Shqip/
Previous Post Next Post