Arrestohen 9 vetë me gjithë gruan e Gates në Lazarat

Arrestohen 9 vetë me gjithë gruan e Gates në Lazarat
Policia e Shtetit ka zbardhur detajet në lidhje me incidentin e ndodhur dje, ku banorë të fshatit Lazarat kanë qëlluar me gurë efektivë policisë dhe grupin e xhirimit të News24.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë arrestuar 9 persona, të cilët dyshohen të jenë autorët e sulmit ndaj policisë, përfshi dhe bashkëshorten e Gate Mahmutaj, Arjana Mahmutaj. “Këta persona nxitën nxënësit të sulmojnë policinë. Asnjë banor nuk ka bërë kallëzim për efektivët e policisë”-citohet në deklaratën e policisë.


Policia e Shtetit nuk përmendi në asnjë rresht të deklaratës sulmin e ushtruar ndaj grupit të xhirimit të News24. Grupi xhirimit, sëbashku me gazetaren Eri Muço, u goditën me gur nga banorë të fshatit Lazarat.

Më tej, Policia e Shtetit i ka bërë apel banorëve të Lazaratit që të distancohen nga çdo akt dhune, dhe se strukturat policore janë të vendosura të vendosin ligjin në këtë komunë.

Deklarata e plotë i Policisë së Shtetit
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datën 08.10.2014 në qendër të fshatit Lazarat ku një grup nxënësish dhe disa banorë të fshatit Lazarat kanë sulmuar me sende të forta punonjësit e policisë që kryenin shërbim në këtë fshat, pas veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Të arrestuarit
Çaush Koçiu, vjeç 21, banues në Lazarat, Gjirokastër.
Altin Bejko, vjeç 40, banues në Lazarat, Gjirokastër.
Elton Gërveshi, vjeç 37, banues në Lazarat Gjirokastër.
Marjana Mahmutaj, vjeç 45, banuese në Lazarat, Gjirokastër.
Natasha Mahmutaj, vjeç 40, banuese në Lazarat, bashkëshortja e Gate Mahmutaj. Kjo shtetase është e evidentuar si një nga pjestarët e grupit që kanë sulmuar me armë forcat e Reparit Renea në vitin 1998 ku mbetën të plagosur 8 efektivë të policisë, si dhe është e evidentuar përsëri si një nga pjestaret e grupit që kundërshtuan me armë forcat e policisë gjatë operacionit antikanabis të zhvilluar në muajin Qershor në Lazarat.
Arnold Boci, vjec 19, banues në Lazarat, Gjirokastër.
Gurim Toti, vjec 20, banues në Lazarat, Gjirokastër.
Kanan (Adnand Cako), vjec 25, banues në Lazarat, Gjirokastër.

Arrestimi i tyre u bë pasi më datën 08.10.2014, rreth orës 13:30, në Lazarat, Gjirokastër, këta shtetas kanë nxitur nxënësit e shkollës Muhamet Gjollesha në Lazarat dhe së bashku me ta kanë sulmuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë në detyrë dhe kanë dëmtuar automjetet e policisë. Njëkohësisht është arrestuar në flagrancë Iliaz Buci, vjeç 48, nga Lazarati, pasi ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë gjatë kontrollit në pikën e kontrollit të ngritur në Kordhocë nga ana e Efektivave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Në lidhje me pretendimin e ngritur nga Z.Bejko në një nga mediat audiovizive se punonjësit e policisë që kryejnë shërbim në këtë fshat kanë kryer veprime të pahijshme, sqarojmë opinionin publik se: Asnjë banor i fshatit Lazarat nuk ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të tilla. Këto disinformacione dashakeqe, kanë për qëllim zbehjen e punës së mirë që po bën Policia e Shtetit në Komunën e Lazaratit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike si dhe për të mos lejuar kthimin e bandave kriminale që vepronin deri para pak kohësh në këtë fshat. Edhe një herë, Policia e Shtetit ju bën thirrje prindërve të nxënësve të përfshirë në këtë ngjarje që të mbajnë fëmijët nën kontroll dhe të distancohen nga këto veprimeve antiligjore, pasi persona me precedent kriminal që u është cënuar dhe goditur interesi dhe veprimtaria e tyre kriminale po i përdorin nxënësit për qëllimet e tyre kriminale. I bëjmë thirrje dhe kërkojmë bashkëpunimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale për verifikimin e integritetit të stafit pedagogjik të kësaj shkolle, pasi Policia e Shtetit disponon informacione se disa prej mësuesëve të kësaj shkolle janë nxitës të këtyre veprimeve.

Garantojmë banorët e ndershëm të fshatit Lazarat se Policia e Shtetit do të jetë përherë prezente në këtë fshat dhe në cdo cep të teritorit të vendit me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë ashtu si edhe goditjen pa kompromis të veprimtarisë kriminale të cdo fushe e kudo që ajo do shfaqet. Gjithashtu i bëjmë me dije komunitetit të Lazaratit dhe qytetarëve të ndershëm se Policia e Shtetit është e vendosur te ndëshkojë dhe të vërë përpara pergjegjësisë ligjore çdo individ, ose grup individësh, që nxisin dhe organizojnë veprimtari të kundraligjëshme. Njëkohësisht ju kujtojmë se ligji vepron njëlloj edhe ndaj atyre që nën imunitetin e përfaqësimit politik apo të pushtetit nxisin apo organizojnë veprime kundër ligjit.

PD dërgon deputetët e Komisonit të Sigurisë në Lazarat
Po sot, në një dalje publike para mediave, kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka duke mbajtur një qëndrim për incidentin e ndodhur dje u shpreh se opozita do çojë një grup deputetësh në Lazarat, për të inspetkuar nga afër situatën./balkanweb/
Previous Post Next Post