Një i ri, i cili punonte si administrator në një lokal në qytetin e Patosit, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me armë zjarri në vendin e punës. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite rreth orës 15:00 në lokalin e quajtur “Taku”, në qytetin e Patosit. Nga burime të bluve mësohet se nga këqyrja e viktimës dhe vendit të ngjarjes është konstatuar se 27-vjeçari Endrit L. është vetëvrarë me armë zjarri, duke u vetëqëlluar në kokë. Ende nuk është arritur të zbulohen shkaqet që e çuan të riun në marrjen e vendimit fatal. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve në vendngjarje, 27-vjeçari ka shkuar në lokal dhe ka hyrë në zyrën ku punonte krejt normal. Vetëm kur kanë dëgjuar të shtënën, kanë shkuar e kanë parë atë që kishte ndodhur. Sipas punonjësve të tjerë të lokalit, 27-vjeçari nuk kishte shfaqur asnjëherë situata shqetësuese dhe punonte si zakonisht. Edhe familjarët e tij janë shprehur se nuk dinin që Endriti të kishte ndonjë problem që ta detyronte të ndërmerrte aktin fatal.