Për herë të tretë në histori, të paktën nga ato që janë bërë publike, Thesari i Shtetit vidhet. Por, ndryshe nga herët e para kur grabitjet kanë ndodhur në vitet e trazirave, 1997 dhe 1998, kësaj here të implikuar janë vetë punonjësit e këtij institucioni, që kalojnë në dorë paratë e të gjithë shtetit, por edhe stoqet që shkojnë për asgjësim. Pas denoncimit të Thesarit në prokurori, kjo e fundit ka kërkuar arrestimin e ekonomistëve Mimoza Bruzi dhe Ardian Bitraj, ku ky i fundit ka treguar skemën e kësaj supervjedhjeje, e cila kishte filluar para katër vitesh. Gjykata e Tiranës ka vendosur disa ditë më parë në “sekret të plotë shtetëror” masat e sigurisë ndaj këtyre punonjësve. Ata janë arrestuar menjëherë nga policia. Bitraj, i cili punonte te Thesari i Shtetit që në vitin 1993, ka treguar se, duke përfituar nga përvoja e pakët e shefit të tij, ka arritur që të kryente këtë vjedhje, duke futur në vend të parave që do të asgjësoheshin libra, ndërsa ka thënë se Bruzi ka qenë në dijeni dhe bashkëpunëtore në këtë vjedhje. Megjithatë, shuma e majme e parave të vjedhura, sipas të arrestuarit, është humbur në kazino. E arrestuara tjetër vazhdon ta mohojë implikimin në këtë supevjedhje.
Reparti X
Auditi
Më datën 21 korrik, një audit i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, shkoi te Thesari i Shtetit për të bërë inventarin, i cili kryhej periodikisht, por edhe në mënyrë të papritur. Pas kontrolleve të procesverbaleve të kutive me para, ka rezultuar se një shumë lekësh do të asgjësohej, për t’u zëvendësuar me të reja. Inspektorët e auditit kontrolluan këto kuti, ndërsa vunë re që disa prej tyre ishin të hapura më parë. Në vend të kartëmonedhave, në to u gjetën libra të vjetër. Më pas, inspektorët filluan të merrnin në pyetje punonjësit përgjegjës, duke filluar nga eprorët e duke përfunduar te përgjegjësit më të thjeshtë. Më pas, u bënë verifikimet mbi bazën e kamerave të sigurisë, ku në fund u gjet edhe fajtori: Ardian Bitraj. Ai ishte specialist në Thesarin e Shtetit dhe punonte në këtë institucion që prej 21 vitesh, më saktësisht që prej vitit 1993. Detyra e tij ishte në qendrën e emisionit të monedhës. Pas pyetjeve dhe verifikimeve, Bitraj pranoi të gjithë autorësinë, duke pohuar se ai ishte përgjegjësi i kësaj vjedhjeje, madje tregoi se ka arritur të përvetësojë shuma të majme, që kapin shifrën e pabesueshme të 6 miliardë lekëve, ose rreth 4.3 milionë euro./Shqip/
Tags
aktualitet