Ndihmoi në vjedhjen e 105 milion lekësh, dënohet arkëtarja e njësisë 5. Tiranë

njesia-bashkiake-vjedhje
Add caption

Vjedhja e parave shtetërore nuk njeh kufij. Zyrtarët qendrorë apo lokalë hartojnë lloj-lloj planesh për të vënë në dorë shumat që duhet të administrojnë. Kohët e fundit janë zbuluar vjedhje që kapin shifrat e pabesueshme të miliona dollarëve. 

Tatimet kanë denoncuar se shtetit i janë zhvatur 57 milionë USD, ndërsa vjedhja e Thesarit të Shtetit është mbi 6 milionë USD. Madje, gazeta Shqip publikoi dje se një arkëtare e ish-Bankës së Kursimeve vodhi 2.4 milionë USD në bashkëpunim dhe u dënua vetëm me 50 orë punë publike. Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, gazeta ka siguruar një vendim të Gjykatës së Tiranës që zbardh planin për vjedhjen e Njësisë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë. 

Ngjarja fillimisht u raportua se ishte një grabitje, por më pas hetimet zbuluan se e implikuar ishte një punonjëse e kësaj njësie. Madje, ajo kishte organizuar dhe ideuar të gjithë planin e kësaj ngjarjeje. Fillimisht shkoi në bankë dhe tërhoqi pa leje një shumë prej 105 milionë lekësh (të vjetra) dhe më pas nuk i depozitoi në punë. Shefave u tha se i kishte lënë në kasafortë, ndërkohë që bashkëpunon me dy të njohurit e saj dhe u thotë se duhet të shkojnë te Njësia Nr. 5 dhe të shqyejnë derën, për të kamufluar vjedhjen si grabitje. Gjithçka shkon për bukuri, por më pas u zbulua i gjithë skenari, si pasojë e rrëfimit të një prej bashkëpunëtorëve, që nuk kishte marrë sasinë e parave që i takonin. Organizatorja e kësaj vjedhjeje, Ermonela Hekuri, është dënuar disa ditë më parë nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 4 muaj burg. Nga përllogaritjet e kohës së paraburgimit, rezulton se Hekurit i mbeten edhe rreth 7 muaj burg. Në vendimin e gjykatës që siguroi Shqip, shuma prej 80 milionë lekësh që përvetësoi Hekuri, është zhdukur. Dy bashkëpunëtorët e saj u dënuan me nga 18 muaj burg secili, që është edhe koha e paraburgimit të tyre.
Plani për grabitjen
Më datën 19 mars 2013, Ermonela Hekuri ka shkuar pranë një banke private ku ka tërhequr shumën prej 10.500.000 lekësh. Më pas ka takuar shtetasin Dorjan Leci, të cilit i ka dhënë një shumë prej 2.500.000 lekësh, si pjesë takuese për veprimet e tij në realizimin e vjedhjes. Leci është takuar me të pandehurin tjetër Orjon Midha, të cilit i ka komunikuar se vjedhja ishte kryer, Ermonela i kishte tërhequr paratë dhe Orjoni duhet të vepronte me pjesën tjetër të planit, për inskenimin e vjedhjes me dhunë të parave, të cilat ndodheshin në kasafortë, në ambientet e Njësisë Bashkiake Nr. 5. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, Orjoni ka kontaktuar me dy persona dhe u ka kërkuar inskenimin e vjedhjes. Po pasditen e datës 19 mars 2013, dy persona të paidentifikuar, të pajtuar nga Orjon Midha, kanë sulmuar rojën e Njësisë Bashkiake, duke e goditur. Më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme të njësisë, pikërisht në zyrën e financës, duke hapur dhe duke lënë në këtë gjendje dyert, përfshirë edhe derën e kasafortës, të cilën e kanë hapur nëpërmjet përdorimit të kopjeve të çelësave të bëra nga Dorjan Leci dhe Orjon Midha, disa ditë përpara ngjarjes. Në momentin e arrestimit dhe kontrollit të ambienteve, Dorjan Lecit i është sekuestruar edhe shuma prej 2.5 milionë lekësh./shqip/

Previous Post Next Post