Banka e Shqipërisë bën inventarin: Janë vjedhur 713 milionë lekë


Banka e Shqipërisë bën inventarin: Janë vjedhur 713 milionë lekë

Disa ditë pas zbulimit të vjedhjes spektakolare te Thesari, Banka e Shqipërisë bën të ditur sasinë e munguar të parave. Pas përfundimit të procesit të inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare që ndodhen në magazinat e Bankës së Shqipërisë, rezulton se vlera e monetare e munguar është 713 (shtatëqind e trembëdhjetë) milionë lekë, prej të cilave 143 milionë lekë para e nxjerrë nga qarkullimi për t’u asgjësuar.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nzhvilloi një mbledhje të posaçme, ku analizoi gjetjet e grupeve të punës të ngritura për ngjarjen e rëndë të përvetësimit të vlerave monetare.  Këshilli Mbikëqyrës nënvizon se mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve, ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare.

Këshilli Mbikëqyrës thotë se përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional, ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in. Në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre.
Hetimi administrativ nga ana e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale është në proces, ndërkohë që prokuroria nga ana e saj, është duke kryer hetime për të vendosur të gjithë personat përgjegjës para ligjit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, “Grupet e punës të ngritur enkas për këtë qëllim kanë arritur në konkluzionin se:
- Të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje cash–i janë hartuar në përputhje të plotë me bazën ligjore që rregullon veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare me të cilat operojnë bankat e tjera qendrore. Procedurat e mirëpërcaktuara në këto akte garantojnë evidencë të saktë kontabël si dhe siguri fizike të vlerave monetare në ruajtje dhe në administrim.
- Infrastruktura teknologjike është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit të cash-it si dhe të ambienteve ku ai magazinohet.
- Inventarizimet dhe kontrollet periodike janë kryer në vazhdimësi në përputhje me bazën rregullative në fuqi. Pavarësisht kësaj, mospërmbushja me rigorozitet e detyrës nga ana e disa punonjësve, ka krijuar hapësira për përvetësimin e vlerave monetare. Hetimi administrativ nga ana e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale është në proces, ndërkohë që prokuroria, nga ana e saj, është duke kryer hetimet e duhura për të vendosur të gjithë personat përgjegjës para ligjit.
“Nënvizojmë se rezervat e parasë cash (thesari për analogji) të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë nuk janë prekur. Kombinimi i një sërë procedurash dhe mjetesh teknologjike të avancuara bëjnë të mundur parandalimin e çdo tentative individuale apo në grup për të aksesuar dhe manipuluar rezervat monetare.  Përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in. Në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre. Këshilli Mbikëqyrës kërkoi prej departamenteve përkatëse marrjen e masave energjike për korrigjimin e rasteve të shkeljes së procedurave të përcaktuara në aktet rregullative në fuqi. Banka e Shqipërisë garanton publikun se aktiviteti i saj operacional është duke funksionuar normalisht, në përmbushje të detyrimeve për furnizimin e sistemit bankar me likuiditetin e nevojshëm.”- thuhet në deklaratën e BSH-së./balkanweb/
Previous Post Next Post