Luftime të Tmerrshme në Donetsk, Ukrainë

a.jpg
Në qytetin lindor të Ukrainës, Donetsk, sot pati luftime të ashpra, ndërkohë që trupat ukrainase vazhdojnë ofensivën ndaj zonave që mbahen nga separatistët pro-rusë.

Zëdhënësi i qeverisë së Kievit, Andriy Lysenko, u tha gazetarëve se trupat e Ukrainës po e rrisin trysninë mbi kryeqytetin rajonal të Donetskut. Duke u bërë jehonë njoftimeve të ngjashme të zyrtarëve amerikanë, zoti Lysenko tha gjithashtu se Rusia vazhdon të shtojë forcat e saj përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.
Në Moskë, ministria e jashtme ruse deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë mes atyre që mbajnë përgjegjësi për konfliktin në Ukrainë për shkak të mbështetjes së fortë ndaj qeverisë së Kievit. Në një deklaratë ruse thuhej se Uashingtoni e ka shtyrë Kievin për të shtypur popullsinë rusishtfolëse të Ukrainës.
DEMPSEY: RUSIA, PJESMARRËSE E PAVENDOSUR NË LUFTËN NË UKRAINË
Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar kryesisht Rusinë për situatën në Ukrainë, por zyrtari më i lartë ushtarak amerikan, gjenerali Martin Dempsey, tha të premten se sipas tij, ushtria ruse dhe udhëheqësit e saj janë ndoshta "pjesëmarrës të pavendosur" në formën e luftës që është duke u përdorur në Ukrainë.
Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjeneral Martin Dempsey, i bëri komentet ndërkohë që SHBA kanë akuzuar Rusinë se do t'u japë së shpejti armatime të rënda separatistëve të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar gjithashtu Rusinë se vazhdon të godasë Ukrainën me zjarr artilerie nga përtej kufirit, ndërkohë që nuk ka shenja se Ukraina ka qëlluar drejt Rusisë.
Duke folur në një forum për sigurinë në Kolorado, gjeneral Dempsey tha se tha se është i shqetësuar se "vala e re e nacionalizmit", që është ndezur në Rusi mund të përhapet në pjesë të tjera të Evropës.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes Steve Warren tha dje se zyrtarët besojnë se pajisjet ruse për separatistët në Ukrainë do të përfshijnë armë artilerie "të një kalibri më të madh" nga ato të përdorura më parë.
Ai tha gjithashtu se sistemet që po transferohen janë raketa tokë-tokë por jo tokë-ajër, si ato me të cilat dyshohet se u godit avioni malajzian me rreth 300 njerëz në bord./voa/
Previous Post Next Post