Kokëdhima takon Pirro Dhimën: "Pirro më tha se plani juaj është i bukur"

Kokëdhima takon Piro Dhimën: Himara përfiton nga bashkimi me Vranishtin
Deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima zhvilloi sot një takim në Qeparo me deputetin e PASOK-ut në parlamentin grek, Piro Dhima, me të cilin diskutoi në lidhje me ndarjen e re administrativo-territoriale.

Deputeti Kokëdhima bëri të ditur se gjatë këtij takimi, që zgjati rreth 30 minuta, e kishte informuar deputetin Piro Dhima lidhur me pikëpamjen e Qeverisë Shqiptare për bashkimin e Himarës me Vranishtin, çfarë përfiton Himara nga ky bashkim dhe çfarë ndryshon në territorin e saj, në përbërjen e popullsisë, në ekonomi, në strukturën dhe standardet e Bashkisë së re, etj.


“I shpjegova se Dulja e Bollanua e kanë kundërshtuar këtë zgjerim të Himarës në drejtim të Vranishtit për interesa partiake e politike. Piro më shpjegoi se ishte prej disa ditësh në Himarë, kishte ardhur me një ide negative për reformën, por pasi kish takuar njerëzit dhe kish folur me ta, kish krijuar një përshtypje krejtësisht tjetër.”- deklaron Kokëdhima.

Deputeti socialist bën të ditur se në këtë takim, ku mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, u ra dakord që të ketë bashkëpunim për reformën territoriale, sepse kjo i shërben të ardhmes së Himarës.

“Piro më tha drejtpërdrejtë se plani juaj është i bukur dhe se do të flasë me autoritetet greke sapo të kthehet në Greqi. Gjithashtu ai e priti shumë mirë ftesën time drejt tij dhe të gjithë himarjotëve të suksesshëm nëpër botë, për të bashkëpunuar për një zhvillim të merituar të kësaj krahine të bukur e të lavdishme. Takimi u përshkua nga fryma e mirëkuptimit të plotë.”- deklaron deputeti socialist./balkanweb/
- Oculus News
Previous Post Next Post