1. Boronica, açai brazilian dhe mjedra
Ngjyra e errët e boronicës, si të zezë, ashtu edhe të kuqe, açait brazilian e mjedrës vjen nga fitokimikët që të mbrojnë prej shumë llojesh kanceri. Kohët e fundit kërkuesit në Universitetin e Floridës panë që përbërësit aktiv në açai shkatërruan qelizat kanceroze kur u provuan në kulturat qelizore. Sipas studimeve të fundit, boronica dhe rrushi muskat përmbajnë elemente që mund t'i bëjnë qelizat e kancerit të vetëshkatërrohen. Ndërsa në studime të tjera, veçanërisht të rëndësishme për femrat, doli se boronica e kuqe është një armë e rëndësishme për të luftuar kundër kancerit vdekjeprurës të vezoreve. Siç u raportua në takimin vjetor të Shoqërisë Amerikane të Lëndëve Kimike, qelizat e kancerit të vezoreve që po tregonin rezistencë ndaj kimioterapisë së platinit - mjekimi standard për kancerin e vezoreve - ishin gjashtë herë më të ndjeshme kur ekspozoheshin ndaj një përbërësi në boronicën e kuqe.
2. Çaji jeshil
Katekina, një nga përbërësit e parë kimikë me bazë bimore të studiuar për cilësitë kundërkanceroze dhe që gjendet në çajin jeshil, njihet prej kohësh për parandalimin dhe pakësimin e rasteve me kancer të gjirit dhe lloje të tjera kanceri. Në këtë rast, ekspertët e dinë arsyen: një përbërës kimik i quajtur EGCG kufizon rritjen e tumorit të gjirit, sipas një studimi në Universitetin e Misisipit. Vetëm dy filxhanë çaji në ditë mund të jenë të mjaftueshëm.
3. Hudhra
Një sërë studimesh gjatë këtyre viteve (më shumë se 30 studime të ndryshme deri më tani) kanë treguar vetitë kundërkanceroze të hudhrës. Ato janë përqendruar në kanceret e aparatit tretës, por hudhra duket se mbron ndaj të gjitha llojeve të kancereve, përfshirë edhe kancerin e gjirit e të prostatës. Sipas Institutit Kombëtar amerikan të Kancerit, sa më shumë hudhër të hajë një njeri, qoftë të gjallë, qoftë të gatuar, aq më shumë pakësohet rreziku i kancerit të stomakut dhe zorrës së trashë: një studim tregoi që femrat e moshës së mesme që hanin rregullisht hudhër, kishin 50 % më pak rrezik për t'u prekur nga kanceri i zorrës së trashë. Shkencëtarët kanë veçuar dy përbërës te hudhra që parandalojnë dhe luftojnë kancerin te kafshët dhe njerëzit. Ndaj shtojini hudhër vaktit tuaj. Disa ekspertë këshillojnë gjithashtu që hudhra të pritet a të shtypet 15 minuta pasi është qëruar, që këto elemente aktive të japin efektin e tyre të plotë.
4. Brokoli dhe lakra
Studiuesit britanikë ishin në titujt kryesorë të lajmeve vitin e kaluar me një studim që tregonte se meshkujt me shenja të hershme të kancerit të prostatës e parandaluan rritjen e tumorit duke ngrënë brokoli katër herë në javë. Studime të tjera kanë treguar se edhe lakra e lakra e Brukselit ndihmojnë kundër kancerit.
5. Qepa dhe preshi
Studimet me njerëz nga Europa Jugore, që kanë një dietë të pasur në hudhra dhe qepë, tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis konsumit të lartë të zarzavateve "bulbore" (të gjithë llojet e hudhrës, qepës dhe preshit) dhe uljes së rrezikut të prekjes prej shumë kancereve të zakonshme.
6. Domatja
Studiuesi i Havardit Eduard Xhovanuçi lexoi 72 studime të ndryshme të publikuara nga Instituti Kombëtar i Kancerit në ShBA dhe arriti në përfundimin që likopeni, një përbërës kimik aktiv te domatja, ul rrezikun e kancereve të ndryshme, sidomos kancerit të prostatës, të gjirit, të mushkërive e të zorrës së trashë. Në vijim, Administrata e Ushqimeve dhe Barnave e kontrolloi vetë këtë informacion dhe nuk arriti në të njëjtim përfundim, duke mos pranuar që firmat ushqimore të shënojnë në etiketat e produkteve të domates një mesazh promovues të vetive të saj antikanceroze. Megjithatë, shumë ekspertë janë të bindur që Administrata e Ushqimeve dhe Barnave e ka gabim dhe që studimet e ardhshme do të vërtetojnë vlerat e domates. Por lajmi i mirë është se gatimi i domates duket se përforcon efektin e likopenës, duke e bërë salcën e domates një burim të fuqishëm ushqyes.
7. Resveratroli
Publiciteti për verën e kuqe fokusohet mbi një antioksidues të quajtur resveratrol, që gjendet te rrushi ose lëngu i rrushit, por me të cilin është më e pasur pikërisht vera e kuqe. Studime të shumta tregojnë që resveratroli është një veprues i fuqishëm kundër kancerit.
Grupe kërkuesish të disa universiteteve dhe qendrave të kancerit kanë studiuar efektet e resveratrolit kundër disa llojeve të veçanta të kancerit. Kohët e fundit një studim i Universitetit të Nebraskës ka treguar që resveratroli kufizon rritjen e qelizave jonormale që shpien në shumicën e tipave të kancerit të gjirit. Kanceri i gjirit nxitet nga estrogjeni dhe resveratroli e bllokon atë, duke mos e lejuar të ushqejë rritjen e tumorit. Më përpara, një studim i kryer në Universitetin e Alabamës në Birmingham tregoi një ulje me 87 per qind të rrezikut të prekjes nga tumoret e prostatës te minjtë e ushqyer me shumë resveratrol. Problemi është se konsumi i lartë i alkoolit është i lidhur me shfaqjen e kancerit, veçanërisht të kancerin të gjirit dhe ezofagut. Rrugëzgjidhja? Një gotë verë në ditë, në rast se nuk ka rrezik të prekjes nga ndonjë prej këtyre kancereve të sipërpërmendura ose nuk ka ndodhur tashmë prekja prej tyre. Përndryshe, marrja e resveratrolit me hape do të ishte ideja më e mirë.
8. Soja
Përbërësi aktiv te soja është genistejni, një lloj fitoestrogjeni që mbron prej kancereve me bazë hormonale. Ai është edhe një kufizues i fuqishëm i disa proteinave që marrin pjesë në rritjen e pakontrollueshme të qelizave kanceroze. Për të përfituar nga vetitë antikanceroze të sojës, duhet të hani 50 gramë në ditë prej saj, qoftë kokrra soje të gjalla ose të pjekura, ashtu edhe toufu. Ndërsa suplementet me isoflavonë, sipas studimeve të tjera, nuk veprojnë njësoj si soja dhe mund të bëjnë më shumë keq sesa mirë.
9. Kurkuma ose shafrani i Indisë
Erëza e kurkumës me ngjyrë portokalli, e njohur për përdorimin e saj në kuzhinën indiane dhe të vendeve të tjera aziatike, e lufton kancerin me anë të një përbërësi aktiv të quajtur kurkumin, një antioksidues i fuqishëm. Kërkuesit në Universitetin Shtetëror të Ohajos në Kolumbus, mbështetur në studimet e bëra me kafshë, arritën në përfundimin se kurkumini shfaqte efekte luftuese të antikancerit në të gjithë fazat e zhvillimit të tumoreve. Edhe shkencëtarët në Francë e Britani që kanë studiuar ndikimin e kurkuminit në laborator, kanë dalë me përfundimin se ai pengon ose ngadalëson rritjen e qelizave kanceroze. Dhe lajmi më i mirë lidhur me kurkumën është që nuk duhet shumë prej tij, mjafton një lugë në supë, në sallatë, në mish a në makarona. Por kujdes, nëse përdoret me shumicë, mund të pakësojë efektin e barnave të tjera antikanceroze.
10. Spinaqi
Spinaqi, perime e njohur për ne, është gjithashtu një luftues i kancerit. Një studim i Qendrëssë Kancerit "M. D. Anderson" në Teksas tregon që spinaqi të mbron nga kanceri i fshikëzës. Klorofili, që i jep ngjyrën e gjelbër spinaqit, mund të ulë rrezikun e kancerit të mushkërive sipas një studimi nga Akademia Kombëtare e Shkencave e ShBA-së.
Tags
shendet