Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) po eksporton energji në Kosovë, ndërkohë që reshjet kanë rritur nivelin e ujit në liqenet e hidrocentraleve më të mëdha.
Sipas të dhënave nga KESH-i, niveli në liqenin e Fierzës në fund të javës ishte 289.2 metra, ndërsa prurjet në 177 metër kub ujë në sekondë. Nivelet në liqenet e Komanit dhe Vaut të Dejës janë përkatësisht 171.2 dhe 74.3 metra, ndërsa prurjet anësore në vlerat e 140 dhe 261 metër kub ujë në sekondë. 15 milionë kilovatë/orë në ditë po prodhohen nga hidrocentralet e vendit dhe po në të njëjtat nivele është konsumi energjetik.
Në këto kushte, specialistët e KESH-it thonë se nevoja për import gjatë muajve të nxehtë të verës do të jetë e ulët dhe parashikohet që vetëm CEZ të kryejë operacione të tilla për të mbuluar humbjet në rrjet. Korporata është duke eksportuar 3 milionë kilovatorë në ditë drejt Kosovës, por mungesa e linjës së interkonjeksionit vazhdon të penalizojë shkëmbimet energjetike mes dy vendeve dhe të sjellë kosto më të larta për blerjen e energjisë.
Tags
Ekonomi