Ambasada gjermane: Droga u kap në tetor, shqiptarët ishin në hetim prej 2 vitesh


am.jpgAmbasada gjermae në Tiranë ka konfirmuar sot para Ministrisë së Brendshme se zbulimi i një kamioni me drogë në Nürnberg të Gjermanisë ka ndodhur më 30 tetor të vitit të shkuar dhe kriminelët me origjinë nga Shqipëria kishin më tepër se dy vjet që ishin në fokus të hetimit nga organet kompetente në të dyja vendet.


Ambasada njoftoi se mediat shqiptare i janë referuar një deklarate për shtyp të Zyrës së Hetimit Doganor të Mynihut, të datës 16 maj 2014, e cila u publikua si lajm nga gazeta “Süddeutsche Zeitung“ dy ditë më pas, por faktet i përkasin vitit 2013.

Në këtë këndvështrim, ambasada bën të ditur se në kuadër të një kontrolli të përgjithshëm doganor, të kryer më 30.10.2013 në Nürnberg, procesit të verifikimit iu nënshtrua edhe një kamion me leje qarkullimi shqiptare. Kontroll rutinë i kamionit me ndihmën e qenit antidrogë rezultoi pozitiv, çka shërbeu si shkak për një kontroll më intensiv të bllokut të gurit me peshë 17 ton të ngarkuara në atë kamion. Në brendësi të bllokut të betonit u gjendën 374 pako me 685 kg marijuanë (pesha neto 645 kg).
Hetimet e realizuara nga autoritet kompetente shqiptare dhe gjermane, treguan se autorët e krimit, deri më sot ende të paidentifikuar plotësisht në Shqipëri, kishin organizuar në bashkëpunim transportim marijuane nga Shqipëria në drejtim të Evropës Perëndimore.
Policia shqiptare, në bashkëpunim me partnerët gjermanë arriti të identifikonte kamionë dhe persona të tjerë, të cilët janë përgjegjës për transporte të tilla të ngjashme në drejtim të Gjermanisë, Italisë dhe Hollandës. Autoritet hetimore në Gjermani arritën të kapnin një sasi marijuane prej 150 kg të fshehur në një kamion si dhe të ndalonin autorët tanimë të njohur prej procesit të hapur që në tetor të vitit 2013.
Ndërkohë mbështetur në bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë këtu atë me policinë dhe prokurorinë shqiptare, janë duke u ndërmarrë verifikime të mëtejshme, që kanë të bëjnë me këtë grup kriminal.
Nga artikulli i "Süddeutsche Zeitung" i datave 17/18 maj, rezulton se autoritetet hetimore i kishin vënë në shënjestër prej vitesh dy kriminelët me origjinë nga Shqipëria, pa mundur të siguronin deri më tani provat për veprimtarinë e tyre kriminale, përfundon njoftimi.
Previous Post Next Post