Nëse Vazhdon Kështu, Greqia Mund Të Kthehet Në Protektorat


Nga Marion Mardodaj

Ngjarjet e shëmtuara të ndodhura këto ditë në Përmet në konfliktin midis Kishës Ortodokse dhe Bashkisë, padyshim që lanë shije të hidhur tek besimtarët në pëgjithësi dhe ato ortodoks në veçanti. U bënë me dhjetëra shkrime këto ditë, disa autorë u japin të drejtë priftërinjëve dhe besimtarëve ortodoks që mësynë Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, ndërsa të tjerë Bashkisë Përmet dhe përmbarimit që ekzekutoi një vendim, që kishte kaluar të gjitha hallkat e gjyqsorit e u finalizua me vërtetimin e kushtetueshmërisë sipas standardeve të shtetit tonë laik, me vendimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2004. Sigurisht që ka hapësirë të jashtëzakonshme për të bërë aludime e deduksione, sajesa e fabrikime; për t’i hedhur “benzinë”, “benzol”, “naftë”, “ujë” apo “vrerë” opinionit të brishtë publik shqiptarë, të cilit i shpëlahet sistematikisht truri nga lamirshmëria e gazetave që rrinë stok nëpër tezga, dhe nga një sërë gazetarësh “snobistë”, që për t’iu shmangur qëndrimit të qartë publik, përdorin lloj-lloj neologjizmash e fjalësh të përbëra nga fjalë jo shqip; ndërsa gazetarë të tjerë presin të strukur dhe me zell të madh duke shpresuar për t’u ushqyer me mishin e viktimave të rradhës, siç kanë bërë këto 23 vjet. Personalisht do mundohem të mos bëj asgjë nga sa u parashtura më sipër. Padyshim që ngjarja e përmetit ishte e turpshme. Mendoj se ishte një koordinim i lobeve greke dhe spiunëve të zellshëm të Athinës që veprojnë në Shqipëri me Athinën e nëndheshme zyrtare. Fakti që vendimi për ekzekutim është lëshuar 9 vjet më parë, dhe u ekzekutua pikërisht në një moment brishtësie të ndërrimit të pushteteve, flet qartë. Sa i përket mendimit se kujt duhet t’i përkasë ndërtesa e Pallatit të Kulturës, personalisht ndaj plotësisht mendimin e At’ Nikollë Markut, prift shqiptar ortodoks ne dioqezën e “Shën Mërisë” në qytetin e Elbasanit , i cili në një intervistë për gazetën “Telegraf”, ndër të tjera thotë: “zaptimi me dhunë i Pallatit të Kulturës në Përmet nga disa besimtarë e priftërinj, nuk është as mbrojtje e ortodoksisë dhe as e Kishës në përgjithësi, por mbrojtja e kultit të individit të Janullatosit… Besimtarët ortodoksë duhet të respektojnë të shenjta edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sikurse edhe vetë Kishën… Ngjarjet e dhunshme në Përmet, janë ngjarje të përsëritshme, të Kishës tonë që kanë ndodhur edhe në Elbasan.


Po e njëjta skemë, i njëjti ndërtim, e njëjta veprimtari, të njëjtët njerëz. Na vjen keq që Janullatusi erdhi për të ndërtuar Kishën Ortodokse Shqiptare, por, jo vetëm që na mori Kishën tonë Ortodokse, por investoi që priftërinjtë të bëhen ushtarë sulmues”. Pra, i njëjti skenar ka ndodhur edhe në Elbasan, sipas At’ Nikollës. Por pas këtij skenari, ndodhi edhe skenari tjetër: Ministria e Jashtme e shtetit eklesian, thirri në një takim ambasadorin e shtetit laik tonin, Dashnor Dervishi, ku i shprehu shqetësimin për këto incidente duke kërkuar të arrestohen personat përgjegjës. Por shteti eklesian shprehu edhe një shqetësim tjetër, goditje me gurë në konsullatën greke në Gjirokastër, kurse sipas hetimeve paraprake të shtetit tonë laik, mendohet se guri i gjendur në konsullatën greke të ketë ardhur si pasojë e ndonjë gome makine. Dhe skenari finalizohet me ngjarjet e fundit: Greqia "hakmerret" për marrjen e godinës së Pallatit të Kulturës në Përmet, nuk ka lënë të hyjnë qindra shqiptarë në tokën greke me pretendimin se nuk kishin garancinë financiare prej 1500 euro për ditët e qëndrimit në Greqi, ndërsa ata që e kishin këtë garanci, janë lënë të presin deri në gjashtë orë për të hyrë në tokën helene. Për të përforcuar bindjen e këtyre skenarëve, po paraqes në vijim një fragment të bëmave antishqiptare të qarqeve të caktuara greke me bekimin e Athinës së nëndheshme dhe mbidheshme, me autor Agim Boçin me titull “Ja sa na duan fqinjët”, që gjendet në adresën: http://tung.ch/dosja-greke-ja-sa-na-duan-fqinjet-5/. Trakte antishqiptare në Jug, 1997 Në ditët kur shteti nuk ekzistonte më në Jug, për ditë e ditë me radhë avionë civilë të ardhur nga Greqia hidhnin trakte mbi qytetet e Jugut me përmbajtje antishqiptare. “Vorio Epiri është grek”. “Grekët e Shqipërisë të bashkohen me Greqinë”. Shteti grek i asaj kohe u shpreh se nuk kishte asnjë lidhje me organizata të tilla dhe shërbimet inteligjente nuk kanë pasur asnjë mision të tillë. Zv.ministri grek në Shqipëri, 17 mars 1997 Në protokollin e çdo shteti, një anëtar kabineti duhet të lajmërojë ardhjen e tij në një shtet tjetër zyrtarisht. Por kjo nuk ndodhi me zëvendësministrin e Jashtëm grek, Janis Kranidiotis. Duke thyer rregullat diplomatike, zyrtari grek kaloi kufirin dhe hyri në Shqipëri, ku u takua me Komitetet e Shpëtimit në Gjirokastër. Qeveria greke nuk dha asnjë shpjegim për këtë ngjarje, ndërkohë vetë zëvendësministri humbi jetën në një incident ajror pak muaj më pas. Thirrjet anti-shqiptare, gazeta “Stohos”, 05 mars 1997 Sipas gazetës greke, “Stohos”, “oficerë vorioepirotë” drejtojnë kryengritësit e Kiço Mustaqit, ish-ministër i Mbrojtjes. Shpallet autonomia, në Himarë e Tepelenë ngrihet flamuri grek. Shtabi i andartëve të Epirit bën thirrje: “Tani autonomi, mos na tradhtoni prapë. Treqind të rinj nisen nga Athina për në Sarandë, gati ushtria jonë të ndërhyjë. Oficerët tanë vorioepirotë, dikur nën armë në ushtrinë shqiptare tani po e marrin situatën në dorë”. Flamuri i Vorio Epirit, televizioni “Mega”, 5 mars 1997 Gazetarët grekë jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe të armatosura në Jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e Vorio Epirit. “Kriza aktuale në Shqipëri është përqendruar në Jug, ku popullsia është greqishtfolëse. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës se Jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena dhe duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”. Organizata greke, “Të mbrojmë trojet tona”, mars 1997 Në mars të 1997-s, një nga organizatat greke për çlirimin e Vorio Epirit bënë thirrje publike për marshimin drejt Shqipërisë. “Situata e vështirë në të cilën ndodhet Epiri i Veriut, iu bën thirrje të gjithë epirotëve të Veriut të kthehen në “vatrat” e tyre për të mbrojtur pronat e vendin e tyre. Në këtë moment të vështirë vetë epirotët duhet të marrin përgjegjësinë e fatin në duart e tyre”. Faktori grek, “Corriere della Sera” Romë, 12 mars 1997 Për opinionin italian, ajo që po ndodhte në Shqipëri në 1997-n kishte lidhje me çështjen e Vorio Epirit. Gazeta “Corriere Della Sera” shkruan se, trazirat në Shqipëri janë koordinuar nga avokati i njohur grek, Aleksandros Lykourezos. Sipas gazetës, përfshirja e këtij personi në Shqipëri mund të shkaktonte rreziqe të paparashikuara për vendin. Kjo pasi gazeta ishte e informuar se avokati ishte një nga udhëheqësit e Lëvizjes për Çlirimin e Vorio Epirit. Incidenti në Vidohovë, 11 gusht 1997 Edhe pas 48 vitesh në kufirin e Vidohovës janë regjistruar incidente të tjera mes ushtrisë shqiptare dhe asaj greke. Më 11 gusht, dy ushtarë grekë kalojnë kufirin hyjnë në thellësi të tokës shqiptare, ku në këtë zonë vranë shtetasin civil Agim Xhihani. Pala shqiptare protestoi duke i çuar një notë proteste ministrisë greke. U ngrit një grup i përbashkët për të nxjerrë shkaqet e incidentit, por deri më sot askush nuk ka nxjerrë shkaqet që çuan ushtarët grekë në vrasjen e një civili të pafajshëm, për më tepër në tokën shqiptare. Tentativë rrëmbimi në kufirin grek, 25 gusht 1997 Pas ngjarjeve të marsit 1997, në kufi forcat greke shtojnë patrullat e shërbimit për të ndaluar kalimin armëve dhe trafiqeve të drogës që vinin nga Shqipëria. Por pati dhe raste kur ushtarët grekë vranë dhe sulmuan të pafajshëm. Kështu, më 25 gusht ‘97, tre ushtarë grekë hynë në territorin shqiptar dhe tentuan të rrëmbenin një vajzë në pikën kufitare të Gurit në Tresenik. Vetëm ndërhyrja e banorëve arriti të eliminojë rrëmbimin, ndërkohë që në një përplasje me banorët e armatosur ngeli i plagosur shtetasi shqiptar Rezart Medolli. Pengmarrja e autobusit, 28 maj 1999 Rrëmbimi i një autobusi nga një shqiptar u kthye në një incident diplomatik mes dy vendeve. Flamur Plisi, 25 vjeç, zgjodhi rrëmbimin e 8 personave në autobusin e linjës Tiranë-Athinë për të protestuar ndaj indiferencës së shtetit Shqiptar dhe trajtimit të shtetit grek për emigrantët. Plisi kërkonte dënimin e një polici grek i cili nuk i kishte dhënë para për punën që i kish bërë. Plisi u vra nga policia shqiptare në dalje të Elbasanit dhe aksidentalisht policia vrau dhe një peng grek në autobus. Pengmarrja e Aleksandër Nanas, 15 korrik 1999 Aleksandër Nana ishte shqiptari i dytë që kreu pengmarrje në shenjë proteste ndaj shtetit grek vetëm 5 javë pas tentativës së Flamur Plisit. Nana rrëmbeu një autobus në Selanik me 40 persona dhe kërkoi një shumë të majme parash. Ai pretendonte se policia greke i kishte grisur dokumentet pa të drejtë dhe ai nuk mund të merrte më paratë në një bankë të Athinës. Por ndryshe nga Pisli, ai u qëllua nga një snajper grek pak pasi i kishin dorëzuar paratë. Hakmarrje greke me pengmarrje, 16 korrik 1999 Në shenjë proteste ndaj pengmarrjeve të përsëritura të shqiptarëve vendos të reagojë dhe nacionalizmi grek. Greku Andres Kalyvas, nga Patra, hyn i armatosur në një autobus me shqiptarë dhe merr peng 38 pasagjerët. Pas disa orë bisedimesh, ai vendos të lëshojë pjesën më të madhe të pengjeve dhe mban aty vetëm shoferin e fatorinon, si dhe një emigrant. Disa orë më vonë ai dorëzohet dhe pohon në rajonin e policisë se kishte kryer këtë veprim në shenjë hakmarrjeje, pas pengmarrjes së grekëve. Siç shihet, këto janë disa nga skenarët që fqinjët tanë përdorin për të intimiduar dhe mbytur zërin e shqiptarëve. Këto skenarë janë në anakronizëm të plotë me vlerat europiane, nuk i shërbejnë harmonisë fetare, as integrimit, aq më shumë fshqinjësisë së mirë. Në fakt është për të bërë habi se si është pranuar Greqia në BE. Gjithsesi, mendoj se nëse Greqia vazhdon me këtë intensitet ekstrem anakronizmi me vlerat europiane, Greqia mund të kthehet në protektorat. Bindja e anëtarëve të parlamentit grek se Greqia mund të bëhet protektorat, e cila u pasqyrua me deklaratën që kreu i PASOK, Evangelos Venizelos bëri ndaj tyre disa ditë më parë, se “Greqia nuk është protektorat”, mund të bëhet realitet.
Previous Post Next Post