Qëndrojmë me protestën dhe studentët
Tiranë, 14 tetor 2026
Ne, LIDHJA MBARËSHQIPTARE lindur nga fryma qytetare e protestës, shprehim mbështetjen tonë të plotë për të drejtën kushtetuese të qytetarëve, studentëve dhe të rinjve për t’u tubuar, për të protestuar dhe për të kërkuar ndryshim.
Protesta ka artikuluar qartë kërkesat e saj: largimin politik të Ramës dhe Berishës, hetim të plotë, transparencë, përgjegjësi ligjore dhe kthimin në interes publik të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Këto kërkesa përbëjnë thelbin e kauzës qytetare.
Qëndrojmë pranë studentëve dhe qytetarëve, jo vetëm në Tiranë, por kudo ku kjo frymë proteste dhe kërkesë për drejtësi shtrihet në terren. Forca e protestës ka qenë karakteri i saj qytetar, paqësor dhe i vendosur; kjo nuk është dobësi, por forcë morale.
Pamjet që kemi parë janë tronditëse: protestues me këmbë të thyera, të tërhequr zvarrë në gjendje të fikëti, qytetarë të goditur dhe të poshtëruar nga ata që duhet të mbronin rendin pa cenuar dinjitetin njerëzor. Kjo dhunë makabre policore është e nxitur dhe e organizuar dhe ka një përgjegjës: Kryeministrin Edi Rama. Si në protestën e 21 janarit nën qeverisjen Berisha, edhe sot dhuna shtetërore ndaj qytetarëve nuk mund të justifikohet, relativizohet apo fshihet pas uniformës së policisë.
Dënojmë çdo formë dhune joproporcionale, provokimi apo arrogance shtetërore ndaj protestuesve dhe kërkojmë hetim transparent, përgjegjësi ligjore dhe politike për çdo akt dhune.
Në të njëjtën kohë, pikërisht sepse kauza është e drejtë, ajo duhet mbrojtur nga çdo veprim që mund të përdoret kundër protestuesve ose të keqinterpretohet si përshkallëzim.
E drejta për të protestuar mbrohet nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë nenin 21 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të OKB-së. Përdorimi i forcës nga autoritetet duhet të jetë vetëm i domosdoshëm dhe proporcional.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë protestës, studentëve dhe të rinjve deri në realizimin e kërkesave politike dhe qytetare, përfshirë largimin politik të Ramës dhe Berishës dhe plotësimin e pikave të shpallura nga protesta.
LIDHJA MBARËSHQIPTARE