Nga Enver Hoxha te Sokrat Vata: Pështirosja e shoqërisë shqiptare me modelin e "të fortit"

Nga Marion Mardodaj

Një kolazh me portrete të Sokrat Vatës, Gazmend Muçës, Naim Zyberit, Enver Hoxhës, Sali Berishës dhe Edi Ramës.
 Nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë: Sokrat Vata (autor i ngjarjes së rëndë në Ksamil), Gazmend Muça (gangster i njohur i viteve '90 në Tiranë), Naim Zyberi (figuruar në konfliktet e kohës), Enver Hoxha (diktatori komunist), Sali Berisha (ish-president dhe ish-kryeministër) dhe Edi Rama (kryeministër i Shqipërisë), të cilët përfaqësojnë figura të përmendura në analizën e zhvillimeve sociopolitike dhe mitizimit të "të fortit" ndër vite.

 Sokrat Vata është autori i vrasjes barbare me thikë të një turisti portugez në Himarë, ditën e djeshme, 18 korrik 2026, në Ksamil, në një nga plazhet më të bukura të Shqipërisë, në pikun e sezonit turistik.

Sokrati punonte security, pra si garantues dhe ruajtës i sigurisë dhe qetësisë për turistët dhe pushuesit në një lokal nate. Por ai bëri të kundërtën: jo vetëm traumatizoi turistët që po pushonin rastësisht aty, por lëndoi të gjithë shqiptarët anembanë duke "përdhunuar" seriozisht imazhin e Shqipërisë turistike.

Nuk do merrem me Vatën, pasi me kriminelë injorantë si ai Shqipëria është e mbushur në çdo cep. Madje, edhe vetë pronari i lokalit ku Sokrati punonte ishte me precedentë të shumtë penalë, e madje përflitet se ka vjedhur edhe tokën ku ka ndërtuar lokalin.

Dua të fokusohem dhe të trajtoj një element që mbase ka shpëtuar pa u vënë re nga media qeveritare, ato opozitare apo mediat e supozuara të pavarura që rendin pas klikimeve histerike e shterpë: Sokrat Vata po shënjon kufirin simbolik të demitizimit të "kultit të individit", ose ndryshe, të urrejtjes dhe pështirosjes së "të fortit". Mbase është një erë që përkon me protestat "maratonë" që po zhvillohen prej 70 ditësh në Tiranë dhe Shqipëri kundër çdo politikani që këto 36 vjet ka qenë pjesë e menaxhimit të sovranitetit shqiptar, të moralit shoqëror shqiptar, si dhe të menaxhimit të fondeve publike.

Mitizimi i të fortit duket se ka rrënjë politike dhe është i trashëguar nga periudha e partisë komuniste, e cila pas shumë dekadash në pushtet, në fund të viteve '80, ishte duke konsoliduar kultin e individit të diktatorit Enver Hoxha përmes ndërtimit të qindra busteve në formë kultesh adhurimi në gjithë Shqipërinë. Në një shtet ku ateizmi ishte zyrtarizuar dhe institucionet fetare nuk ekzistonin, e vetmja alternativë për të besuar në "një zot" mbetej diktatori Hoxha. Dita e vdekjes së diktatorit e konfirmoi krejtësisht atë projekt: njerëzit qajtën në histeri të skajshme, në varrimin më madhështor që kishte parë Shqipëria qysh prej themelimit si shtet i pavarur. Çuditërisht, diktatori që "adhurohej" në histeri ekstreme u shndërrua brenda natës në njeriun më gjakatar dhe vrasësin më të egër të shqiptarëve që kishte parë historia e vendit tonë, pasi diktatura ra de jure.

Farkëtimi prej gjysmë shekulli i mitizimit të diktatorit krijoi një mutacion të rrezikshëm në palcën e ADN-së kombëtare: "adhurimin e të fortit".

Gazmend Muça, i cili thuhej se mbështetej politikisht nga Partia Socialiste e kohës, ishte ndër gangsterët e parë të Shqipërisë postkomuniste që sapo kishte braktisur de jure kultin e individit. Gazmend Muça, karizmatiku, gangsteri i Tiranës që të godiste "me të parën"me grushte, adhurohej në mënyrë të pashpjegueshme nga gangsterët dhe jo-gangsterët në mbarë Shqipërinë, të cilët vinin nga çdo cep për ta takuar e për të mësuar "sekretet" e gangsterllëkut prej tij. Vishte pantallona "kauboj" dhe i mbante flokët e gjata e të lëshuara nga pas; sillej në mënyrë të natyrshme dhe të çlirët. Mënyra e veshjes, mbajtjes së flokëve dhe e sjelljes së tij u bë e modës kryesisht për gangsterët e kohës në Shqipëri deri në konfliktin civil të vitit 1997. Madje, edhe kryetari i bandës rivale i mbështetur nga Partia Demokratike, që e vrau në vitin 1992, Naim Zyberi, e adhuronte dhe e imitonte atë në veshje dhe në stilin e flokëve.

Vrasja e Gazmend Muçës në Tiranën që sapo kishte parë pak liri, krijoi një zbrazëti të pashpjegueshme, sikur të ishte vrarë një nga zotët e panteonit të Tiranës; me dhjetëra mijëra vetë morën pjesë në varrimin e tij, saqë pjesëmarrja e njerëzve krahasohet me varrimin e diktatorit Enver Hoxha.

Një diktator që kishte vrarë me mijëra shqiptarë të pafajshëm përmes urdhërave të tij, dhe një gangster që kishte lënduar me mijëra familje shqiptare përmes bandës së tij, çuditërisht u adhuruan deri në vdekje.

Modeli i sjelljes dhe i veshjes së Gazmend Muçës ishte i pranishëm në Shqipëri deri në vitin e konfliktit civil 1997, vit kur u vranë mes tyre rreth 3000 shqiptarë.

Nga konflikti civil i vitit 1997 dolën shumë banda të kryesuara nga një "i fortë", siç ishte banda e Zani Çaushit që vepronte në Vlorë e mbështeste Partinë Socialiste, dhe banda e Gaxhait (Gazmend Brakës) që mbështeste Partinë Demokratike. Këta "të fortë" gangsterë kishin lindur në ambientin e një mentaliteti ateist dhe të adhurimit të kultit të individit. Pra, kontaktin me zotin, shqiptari që jetonte në Shqipëri nuk e shihte më prej priftit, hoxhës apo vetes, por prej 50 vjetësh e shihte përmes një "të forti", i cili në të shumtë e rasteve ishte skizofren, psikopat, idiot ose injorant ekstrem. Kjo ishte trashëgimia që diktatori Hoxha i la vendit. Adhurohej dhe respektohej në heshtje dikush që të vriste, të përdhunonte dhe të vidhte. "Sindroma e Stokholmit" ishte implementuar me sukses në kontekstin e projektit të "njeriut të ri".

Këtë mentalitet e përdori Sali Berisha, "maloku i fortë", i cili akuzohet për dhjetëra urdhëra vëllavrasëse e antikombëtare nga mijëra viktima.

Këtë mentalitet e përdori dhe e implementoi në mënyrë diabolike në politikat e veta Edi Rama në vitin 2000, kur iu dhurua Bashkia e Tiranës nga Fatos Nano. Për 11 vjet Edi Rama u etiketua nën zë nga populli i Tiranës si "i forti, skizofreni dhe i çmenduri që bënte çfarë të donte me Tiranën", nën maskën e zhvillimit urban. Thuhej që për një leje ndërtimi kërkonte 1 milion euro kur ishte kryetar bashkie... E përdori edhe pasi u bë kryeministër, deri në atë pikë sa krimin e ngriti në nivelin e artit, duke bashkëpunuar me çdo artist e këngëtar që përbën modelin më vdekjeprurës për rininë shqiptare. Megjithatë, sot kemi politikanë dhe biznesmenë që e deklarojnë hapur se e adhurojnë apo e lartësojnë atë si "Skënderbe". Madje nisën ta imitojnë edhe në veshje, me atlete të bardha dhe me mjekër; nisën ta imitojnë edhe kundërshtarë "për vdekje" në dukje, si Sali Berisha, dhe shumë gazetarë që sot e sulmojnë 24/24, ashtu siç Naim Zyberi imitonte Gazmend Muçën.

Sali Berisha dhe Edi Rama, dy "politikanët e fortë", sunduan dhe po sundojnë duke mbështetur kriminelët dhe injorantët, të cilët shumica e tyre janë në krye të bizneseve strategjike dhe më fitimprurëse të vendit, si nafta, farmacitë, ndërtimi, importet dhe eksportet dhe turizmi. Është fatkeqësi që nuk doli një "katundar i fortë" që të paktën të sillte zhvillimin e një sektori shumë të rëndësishëm të vendit, siç është bujqësia.

Sokrat Vata lindi 29 vjet më parë, në vitin e konfliktit civil 1997, në vitin kur nisi të modelohej një lloj tjetër krimineli që duhej adhuruar: një kriminel i zyrtarizuar si politikan, biznesmen, apo edhe një kriminel që vepron nën petkun fetar.

Post a Comment

Postimi i mëparshëm Postimi tjetër