Editoriale nga Marion Mardodaj
![]() |
Yuval Noah Harari, shkrimtar i njohur botëror izraelit, u shpreh dy ditë më parë për The Economist se paratë janë disa copa letre që s’kanë vlerë në vetvete, por janë thjesht marrëveshje “besimi” mes njerëzve; janë shpikur për të krijuar besimin mes njerëzve që të shkëmbejnë mallrat mes tyre, siç e kam theksuar edhe unë, në fakt, në një nga shkrimet e mia. Noah thotë: formulat e pafundme matematikore dhe sistemet financiare kanë për qëllim thjesht krijimin e “besimit”.
Por unë do shtoja se historia ka treguar që këto “sisteme financiare dhe formula të pafundme” mund të kenë për qëllim edhe “fshehjen e djallit”.
Ndërsa dje, në Pogradec, Edi Rama mblodhi qeverinë, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare në një takim në vilën e ish-diktatorit Hoxha. Thuhet se ndër temat kryesore u diskutuan edhe reforma e qarqeve dhe “platforma Besa”. Padyshim, besoj se e para ka për qëllim t’i shërbejë fitimit të zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa e dyta vjen padiskutim si tentativë për të zbutur protestën masive qytetare që zhvillohet prej më shumë se 75 ditësh në Tiranë, me kërkesën e panegociueshme për dorëheqjen e Edi Ramës.
Besa dhe “besimi”, në thelb, nuk kanë ndryshime konceptuale, por qëllimi, ngjyrimet dhe konteksti ku përdoren mund të krijojnë përshtypjen se kanë kuptime të ndryshme.
Ashtu siç e gjithë historia financiare e njerëzimit ka mëtuar vazhdimisht të shpikë sisteme të komplikuara për të krijuar “besimin”, me qëllim shkëmbimin e mallrave, po ashtu Edi Rama ka shpikur një sistem të ri për të riblerë besimin e anëtarëve të qeverisë, drejtuesve politikë të qarqeve dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare.
Edi Rama “i ofroi atyre para pa fund”, pra, disa copa letre që nuk kanë asnjë vlerë, sipas Noah. Ndërsa ata "i ofruan Ramës copat e mishit të tyre", si kufoma pa shpirt, që zhvendosen në vendndodhje të ndryshme të Shqipërisë sipas kërkesave të kryeministrit, tundin copën e mishit të sipërm me dy sy sa herë ai flet dhe shkruajnë ligje me gjakun e freskët të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Të njëjtën gjë kanë bërë politikanët, gazetarët dhe analistët që u kanë mbetur fytyrat e ngjitura pas ekraneve si piktura të shëmtuara për 36 vjet rresht. Po ashtu edhe patronazhistët: thjesht kanë ofruar copat e mishit të tyre dhe kanë tundur copën e sipërme të mishit me dy sy dhe, si shkëmbim, kanë marrë vila, apartamente dhe miliona euro.
Këta që ofruan copat e mishit të tyre në këmbim të letrave pa vlerë, duhej edhe të besonin fort se tranzicioni do vazhdojë pa pushim në Shqipëri; duhet të besojnë sinqerisht se Shqipëria do mbetet gjithmonë vendi më i prapambetur dhe i korruptuar i Europës; duhet të vazhdojnë të besojnë se shqiptarët do vazhdojnë të emigrojnë pa pushim nga vendlindja, sepse nuk sigurojnë dot minimumin e jetesës; duhet të besojnë që universitetet shqiptare janë thjesht vende ku prindërit shpenzojnë paratë e fituara me djersë dhe fëmijët e tyre nuk marrin njohuritë minimale; që shqiptarët do kurohen me ilaçe të skaduara dhe nuk do gjejnë kurrë zgjidhje në spitalet shqiptare; duhet të besojnë se shqiptarët do konsumojnë me ëndje ushqime të skaduara dhe kancerogjene.
Pavarësisht se shumë prej tyre mund të ishin më të zgjuar dhe më të aftë për të drejtuar se "lideri", ata thjesht zgjodhën të ofronin besimin e tyre për të përfituar letra dhe objekte ndërtimi.
Në fakt, unë besoj padyshim se kryesisht Sali Berisha dhe Edi Rama nuk klasifikohen shkencërisht si liderë, pasi i është dhuruar pushteti nga regjimi komunist dhe, për të mbajtur pushtetin, thjeshtë kanë aplikuar axhendat dhe manualet që u janë ofruar nga shërbimet e huaja. Mendoj kështu pasi koha me të cilën ata i janë përgjigjur fenomeneve të papritura gjeopolitike madje edhe politike (në varësi se kujt shteti të huaj i kanë shërbyer për momentin) që kanë ardhur nga jashtë, nuk kanë korresponduar kurrë me kapacitetet teknike, logjistike dhe intelektuale të administratave respektive.
Një i supozuar lider si, për shembull, Edi Rama, nuk mund të konsiderohet asnjëherë i tillë pasi, kur liderit i burgosen bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, atëherë ai thjesht ka mashtruar “besnikët” e tij.
Ndërsa Berisha nuk diti asnjëherë të ndajë liderin e fisit nga një lider që mendon për një komunitet më të gjerë, pa u përlyer me shërbimet e huaja.
