Vepra e Naimit është thelbi e shprehja më e lartë e ringjalljes së identitetit kombëtar

Naim Frashëri (1846-1900, burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Naim Frashëri (1846-1900), burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Nga Prof. Dr. Albert Frashëri

Ç’mund të themi për Naimin?
Janë me qindra poezitë që janë shkruar                                         
për këtë bilbil të kombit shqiptar.

 Në lëvizjen politike dhe në veprat e poetëve të Rilindjes Kombëtare gjejmë ngahera ide të vyera dhe probleme që I përkasin kohës sonë. Ide dhe koncepte që na ndihmojnë të kuptojmë veten e na hapin sytë kah e ardhmja. Sepse kjo e ardhme nuk mund te jetë e pavarur nga e kaluara në të cilën shtrin rrënjët identiteti ynë kombëtar. 

Gjysëmshekulli i totalitarizmit tronditi vetëdijen kolektive për shumë probleme jetike, mes të cilave na shqeteson çështja e identitetit kombëtar. Nuk është fjala për evolucionin e këtij identiteti, por për dhunën që ka pësuar në natyrën dhe pamjet themelore të tij. Kësaj dhune shoqëria duhet t’i përgjigjet në mënyrë aktive me shkollën dhe vepren e rilindasve. Duhen analizuar pamjet themelore te identitetit kombëtar duke perdorur ne radhe te pare vepren e Naim Frashërit dhe te rilindasve te hershem si Vaso Pasha, Fishta, Mjeda e te tjere. 

Vepra letrare e Naimit dhe e rilindasve të tjerë na ka ndihmuar të njohim historinë, sepse kjo nuk mund të kuptohet thjesht nga trajtimi formal shkencor, që në një fare mënyre nuk ka njeriun si objekt të drejtpërdrejtë të studimit. Përkundrazi, vepra letrare na ndihmon të kuptojmë njeriun, dhimbjen, vuajtjen njerëzore në poezi, legjendë a tregim qoftë. Jashtë dhimbjes njerëzore kjo do te ishte e pamundur. Vepra letrare nga njohja e individit na orienton për të njohur edhe sistemin, historinë e tij. Në këtë kuptim vepra e Naimit shkëlqen për humanizmin dhe ndrit horizontin e realitetit historik të një periudhe të rëndësishme të kombit. Ajo u jep vërtetësi problemeve dhe aspiratave të asaj periudhe, nga më të ndriturat e historisë sonë.

Naimi nuk mund të kuptohet jashtë Rilindjes. Por edhe idetë e Rilindjes nuk mund të njihen pa poezinë e Naimit, Vaso Pashës, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës dhe të poetëve të tjerë të asaj periudhe.

Kjo, sepse vepra letrare e tyre është sinteza e ideve dhe qendrimeve të rilindasve në çështjen e lirisë dhe zhvillimit të kombit. Ka, doemos, një dialektikë mes veprës letrare të Rilindjes dhe veprimtarisë politike pas Lidhjes së Prizrenit. Nuk mund të mos theksoj qe ajo çka sot na mahnit ështe horizonti që krijuan këta njerëz të mëdhenj. Ata nuk luftuan e krijuan thjesht për liri. Vepra e tyre sheh të ardhmen. Për të ndërtuar të ardhmen, duhet filluar me lirinë. Ky konceptim përbën thelbin e veprës letrare dhe filozofike të njerëzve të asaj kohe. Pikërisht kjo platformë idesh mbi pavarësinë nga njëra anë dhe mbi të ardhmen e kombit nga ana tjetër, e shndërroi atë lëvizje kombëtare në një Rilindje të vërtetë. Shpesh herë, për probleme të kohës sonë duhet të vështrojmë kah idetë e tyre.

Në kohët moderne identiteti i një populli lidhet me historinë, traditat, marrëdhaniet e ndërsjella, artin popullor, etj. Në këtë kuptim popujt e qytetëruar kanë edhe një komponente të rëndsishme në formimin e identitetit të tyre: veprën e njerëzve të mëdhej në fushën e politikës, artit e shkencës. Politika në jo pak raste i kthen kurrizin veprës së njerëzve të shquar. Kjo ndodh sepse njerëzit e kulturës e të shkencës kanë personalitet të fortë, prej nga buron një nivel i lartë pavarësie në idetë dhe në veprën që krijojnë. 

Formimi i njerëzve të shquar të kombit do të ishte i pamundur jashtë traditës dhe kulturës tonë. Nga ana tjetër, sot nuk mund të kuptohet identiteti ynë jashtë veprës madhore të tyre. Kohët e fundit kam gërmuar e menduar vazhdimisht per keto probleme në rolin e qytetarit të thjeshtë. E kam bërë sepse shumë herë kam ndeshur me intelektualë që denigrojnë historinë dhe vlerat e kombit tonë ose i shumëzojne ato me zero. Pikerisht si po ndodh sot. Kjo e ka burimin në një farë injorance thelbësore, në mosnjohjen e historisë por edhe ne prirjen per tu pajtuar me synimet armiqesore te qarqeve shoviniste serbo-greke.

Lëvizja për ringjalljen, rilindjen e vendit pati një konceptim gjenial duke filluar nga politika deri ne veprat letrare te saj. Rilindja në tërësinë e vet punoi me largpamësi të mahnitëshme: zgjimi i ndjenjës kombëtare, pavarësia dhe problemi i të ardhmes. Ky program kish nevojë për politikë, për luftë, për studime historike, filozofike dhe sidomos për letrat, poezi e të tjera forma të krijimit artistik. Atë që duhej, ata e kryen. U gjetën politikanë të ndritur, filozofë e hulumtues të historisë e gjuhës sonë, luftetarë të shquar dhe njerëzit e penës, mes të cilëve shkëlqen ylli i Naimit tonë. Ky konceptim, problemin mjaft kompleks të asaj kohe, e përballon në tre a katër drejtime që ishin themelore n’atë kohë dhe, për shumë arësye, të tilla janë edhe sot. Këto ishin zgjidhje të ndritura si në rrafshin teorik ashtu dhe në atë praktik.

Vargu i Naimit shpreh dhe harmonizon pamjet e ndryshme të platformës rilindase dhe nuk i lihet rastësisë së krijimit poetik. Poezia e tij u bë limfa jetëdhanëse e idealit të lirisë dhe vetëdijes së kombit. Naimi nuk i shërbeu thjesht rilindjes së gjuhës shqipe, por me poezinë e tij hapi horizonte të reja dhe njëherësh i shtroi rrugën emancipimit aq të nevojshëm të kombit.

Më tej, le të theksojme çfarë e dallon realitetin shqiptar si unik nga pikëpamja e mëposhtme: Shqipëria shënon fillimin e krishtërimit ndër vendet europiane, madje që në vitin 100, menjëherë pas Krishtit, peshkopi dhe biri i Durësit, Astio, martirizohet nga romanët në dyert e Durësit dhe bëhet një nga shenjtorët e parë të krishtërimit. Nga ana tjetër trevat shqiptare kanë dhënë një ndihmesë të shquar në fushën e teologjisë, një numur të konsiderueshëm shenjtorëh dhe po ashtu në drejtimin e Kishës para dhe pas ndarjes së saj, me disa Papë të kishës romane. Pra jo vetëm një popull, historia e të cilit është e lidhur ngushtë me krishtërimin, por edhe që në historinë e tij ka patur një bashkëekzistencë paqësore të vazhdueshme mes qytetarëve të besimeve fetare të ndryshme. Kjo përbën një tipar të rallë edhe në
historinë e popujve perëndimorë. 

Keto dite, 18-28 qershor 2024, ne turneun e futbollit ne Gjermani jane arrestuar shume tifoza me arme dhe thika. Nga shqiptaret asnje. Madje ne 19 qershor, para ndeshjes Shqiperi – Kroaci tifozet shqiptare te shoqeruar nga polizia, kendonin e vallzonin me flamuj ne dore. Edhe policet mbanin ndonje flamur dhe filluan te vallzojne me tifozat shiptare. Videot qe munda te shoh ishin vertet prekese. 

Le te kthehemi te poeti yne kombetar. Naimi në veprën e tij ka paraqitur e theksuar pikërisht këtë aspekt të identitetit tonë. Siç e thashë, mbase edhe në krye të këtij meditimi, te Naimi gjejmë poezi per Abaz Aliun, për Krishtin e shën Mërinë. Poezia e tij, të themi fetare, por me karakter të theksuar laik, këndon kryesisht për Perëndinë pa i dhënë asaj asnjë formë të krishterë e as islamike. Këtë ai e bën me një logjikë dhe qartësi që të prehin shpirtin. Ai e ka kuptuar dhe vlerësuar këtë tipar të identitetit shqiptar që, doemos katër shekuj të pushtimit otoman mund edhe ta kenë zbehur sado pak. Prandaj i duhet të tregojë se nga pikëpamja fetare, ajo që na karakterizon, nuk është krishtërimi, as islamizmi por ndjenja fetare, që na bën të ndjehemi si bij të të njejtit Zot.

Konceptimi i Naimit për shqiptarët si bij të të njëjtit Zot, i jep dritë idesë per shqiptaret si komb unik e i bashkuar. Ky mund të konsiderohet një harmonizim mahnitës i dy tipareve: thelbi fetar nuk cënon bashkejetesën e ideve të ndryshme në të njëjtin vënd, edhe kur bëhet fjalë për një realitet fetar tredimensional. Pikërisht këtë realitet historik ka pavdekësuar Naimi në poezinë e tij. Ne duhet te jemi lumturisht të vetëdijshem që kjo cilësi karakterizon identitetin tonë kombëtar nga pikëpamja kulturore.

Naimi shprehet qartë për veprën e Perëndisë në aspektet e ndryshme të saj. Ai eshtë monoteist dhe këte e provon edhe kur shkruan për profetët, të cilësdo feje qofshin. Çifutet, te krishteret dhe myslimanet jane te bindur per ekzistencen e nje Zoti te vetem. Pra pse duhet te veçojme keto fè njera nga tjetra kur ato kane te njejtin thelb por nuanca kulturore qe varen nga universi kulturor i seciles prej tyre. A mund te mos vërejme qe ne jemi i vetmi komb qe per Krijuesin kemi dy emra: mashkullor, Zoti dhe femenor, Perendia. Mendoj ta konsiderojme si nje deshmi te nje kombi te emancipuar. Një nga kryeveprat e Rilindjes është kujdesi për gjuhën që sidoqoftë ish varfëruar sidomos në aspektin letrar gjatë letargut të katër shekujve të errësirës. Lëvizja për të cilën flasim mund dhe duhet konsideruar edhe Rilindje e gjuhës amtare.

Në këtë drejtim ndrit roli i Naimit me veprën e tij letrare. Ringjallja e gjuhës në nivele artistike të randësishme së bashku me përmbajtjen patriotike të veprave që krijoi, shënon një nga arritjet më me vlerë të Rilindjes Kombëtare. Naimi dhe të tjera figura si ai, e ngritën në art përdorimin e fjalës duke mbushur atë boshllëk të krijuar nga robëria e gjatë. Ata ringjallën dhe zhvilluan më tej letërsinë, që para tyre kish pasur karakter kryesisht fetar e filozofik, si në veprën monumentale të Plejadës 5B. Vepra e Naimit përforcon dukshëm natyrën laike të krijimit letrar në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ai zgjeroi në mënyrë të ndjeshme e në përputhje me kohën tematikën e poezisë, mbi probleme të marrëdhanieve mes shqiptarëve, mbi të mirën e të keqen, me dashurinë e me çeshtje të botëkuptimit filozofik, pasqyruar këto në veprën letrare, aq sa e lejonin rrethanat. 

Koha tregoi vlerën e madhe të kësaj vepre themelore të rilindjes dhe pasurimit të mëtejshëm të gjuhës. Dëshmon fakti që kjo lëvizje shënoi fillimin e një procesi të vazhdueshëm në ecurinë e shqipes. Ajo s’u ndërpre, por vazhdoi me figura të mëdha si Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Ernest Koliqi e Faik Konica, Migjeni e shumë të tjerë.

Rilindja Kombëtare ringjall pikërisht traditat më positive të kombit në fushën e gjuhës e të kulturës në përgjithësi. Le ta çmojmë atë si e meriton, si themel kuturor të zhvillimit. 

Ne, pas gjysem shekulli të regjimit totalitar, porsa futur në rrugën e demokratizimit, nuk e kemi rrugën të shtruar. Ai vakum mes gjendjes shumë të prapambetur të para dy dekadave dhe asaj ku kemi arritur sot, gradualisht po eliminohet.

Më tej, ose gjejmë një ekuilibër relativ në nivele të ulta ose, përkundrazi projektohemi kah një e ardhme e begatë. Për këtë, kemi trashegimin e Rilindasve me idetë e së ardhmes drejt një shoqërie më të emancipuar e më të zhvilluar në rrafshin kulturor dhe atë ekonomik. Janë ide që mund të përmblidhen me vargjet e Naimit:


O burra shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s'është koh' e parë,
Tani lipset dritë.
Previous Post Next Post