Grafik që tregon elementet e cilësisë së jetës, Numbeo |
Tirana ka vijuar të përkeqësojë renditjen si kryeqyteti me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë edhe gjatë këtij viti, sipas, Numbeo, sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës, ndërsa është ndër të fundit në botë.
Në krahasim me mesin e një viti më parë, cilësia e jetesës është përkeqësuar. Në renditjen aktuale, Tirana ishte e 232-a nga 254 kryeqytete e qytete, ndërsa një vit më par, në mesin e 2021-it ishte në pozicionin e 215.
Kryeqyteti shqiptar është futur për herë të parë në renditje në mesin e vitit 2020, ku sërish u rendit e fundit në Europë, në vendin e 218, por që nga ajo kohë renditja po vjen vetëm në përkeqësim.
Indeksi i Cilësisë së Jetesës nga Numbeo është një vlerësim i cilësisë së përgjithshme të të jetuarit, që përdor një formulë empirike që merr në konsideratë indeksin e fuqisë blerëse, të ndotjes, të kostos së jetesës, të sigurisë, të kujdesit shëndetësor, të kohës së qëndrimit në trafik, të klimës si dhe raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave.
Kryeqyteti shqiptar penalizohet nga çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në raport me të ardhurat, ndotjen, kujdesin shëndetësor, ndërsa është pak më mirë në indeksin e klimës.
Tirana renditet e 44-a më e shtrenjtë nga 254 qytete e kryeqytete në raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave. Të blesh një apartament në kryeqytet është njësoj e shtrenjtë në raport me të ardhurat, si ta blesh atë në Londër, Milano, Romë, apo Munih.
Për indeksin e ndotjes, kryeqyteti shqiptar është në vendin e 242, imë e ndotura në Europë dhe ndër të fundit në qytetet në këtë renditje.
Në indeksin e trafikut, Tirana është në vendin e 181 nga 254 qytetet që kanë më shumë trafik, por gjithsesi është më mirë se kryeqytete të tilla si Londra apo Parisi.
Por, në indeksin e fuqisë blerëse (që mat fuqinë blerëse në raport me mesataren e Nju Jorkut), kryeqyteti shqiptar është ndër të fundit, në vendin e 231.
Në Indeksin e Kujdesit Shëndetësor, Tirana është në vendin e 246, e fundit në Europë dhe duke u renditur ndër 9 qytetet me kujdesin më të keq shëndetësor që janë të përfshira në këtë renditje.
Në indeksin e klimës, ku kryeqyteti renditet në vendin e 85, me një klimë relativisht të përshtatshme.
Në indeksin e sigurisë, Shqipëria renditet e 131, më mirë se rajoni (Shkupi, Podgorica), apo se Barcelona, Torino, Roma.
Nga kryeqytetet e tjera të rajonit, më mirë në cilësinë e të jetuarit renditet Sarajeva (179) e Bosnjë Hercegovinës, Beogradi i Serbisë (208), Shkupii Maqedonisë së Veriut (219).Mungojnë të dhënat për Pritshtinën dhe Podgoricën.
Tags
sociale