Punonjes te mbledhur ne nje tavolinë diskutimi në zyrë (ilustrim) |
Sot, unë ndihmoj individët që të çojnë karrierën dhe jetën e tyre në një nivel tjetër dhe për ta arritur këtë, ata shpeshherë duhet të ndryshojnë fokusin e tyre. Është e çuditshme t’ua thuash këtë njerëzve të suksesshëm, por shpesh të qenit shumë i fokusuar në karrierën tuaj mund të jetë faktori që ju pengon të ecni përpara.
Kur vëzhgojmë personat me arritje të larta, ne priremi të supozojmë se ata thjesht kanë punuar shumë ose kanë disa aftësi që pjesa tjetër e njerëzve nuk i ka dhe nuk mund t’i mësojë dot. Më shumë vetëbesim, më shumë karizëm, vizion më të mirë… Por shpesh nuk është ky rasti. Në fakt, ka të bëjë me mentalitetin dhe aktivitetet që ata kanë përvetësuar për të përmirësuar mënyrën se si i qasen çdo aspekti të jetës së tyre.
Një shembull i përsosur i një aktiviteti që ka ndihmuar mijëra njerëz të gjejnë qetësi, të ripërqendrohen dhe të përmirësojnë në mënyrë indirekte karrierën dhe jetën e tyre, është noti në ujë të ftohtë. Pasi e kam provuar edhe vetë këtë së fundmi, mund të konfirmoj absolutisht përfitimet e këtij aktiviteti. Herën e parë që u futa në ujin e akullt, fillimisht nuk u ndjeva i çlodhur, por sapo fillova të notoj ndodhi diçka magjike, gjithçka u qetësua, trupi im u qetësua dhe ndihesha plotësisht i qetë.
Kjo nuk do të thotë se ky është aktiviteti i duhur për të gjithë, por është kaq e rëndësishme në këtë “botë të re” dhe kohë të “punës hibride” që të përmirësoni mentalitetin tuaj në mënyrë që t’ju ndihmojë edhe në karrierë. Më poshtë janë disa këshilla se si mund ta përmirësoni karrierën tuaj duke mos u fokusuar thjesht dhe vetëm te karriera juaj.
1) Nuk ka të bëjë gjithmonë me të punuarit më shumë. Shpëtojeni veten nga ideja se duhet të punoni shumë për të kontrolluar rezultatet dhe nga mendimi se, kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të punoni më shumë, më shumë dhe më shumë.
2) Ndryshoni rutinën tuaj. Të pasurit e një rutine është një pjesë e rëndësishme e mendësisë sonë, por rutina juaj e deritanishme ju ka sjellë deri këtu, kështu që është koha t’i ndryshoni pak gjërat. Përpiquni të gjeni kohë për të zhvilluar veten dhe mentalitetin tuaj, si dhe të filloni një rutinë më të ekuilibruar.
3) Përqafoni idenë se nuk keni kontroll mbi gjithçka. Pasi ta pranoni këtë fakt, do të filloni të kuptoni se nuk ka fare nevojë të keni kontroll mbi gjithҫka, që do të thotë se mund të filloni të zgjeroni horizontet tuaja.
4) Meditoni dhe praktikoni mirënjohjen. Meditimi shpesh perceptohet si një klishe në hapësirën e mirëqenies, por mund të jetë një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm që mund t’ju ndihmojë në ndryshimin e mentalitetit tuaj. Vlerësoni atë që keni tani, dhe përpiquni për më shumë, pa u druajtur. Bëjini miqtë dhe kolegët tuaj të kuptojnë se u jeni mirënjohës.
5) Mbani ditar. Të shkruarit e gjërave i nxjerr ato nga koka juaj në letër, ku mund të shihen më objektivisht. Shkruani qëllimet tuaja për ditën, javën, vitin. Shkruani për llojin e personit që doni të bëheni, duke pasur si synim progresin e vazhdueshëm.
6) Bëni diçka që ju pëlqen çdo ditë. Ngjyrosni, lexoni, luani kitarë, merruni pak me kopshtin tuaj, madje shikoni edhe murin nëse kjo është ajo që ju pëlqen.
7) Bëni diçka që ju shpërqendron plotësisht. Noti në ujë të ftohtë mund të jetë njëra alternativë, por shumë të tjerë mund të zgjedhin gatimin, takimin me miqtë, kërcimin ose diçka tjetër.
8) Lëvizni çdo mëngjes. Idealja do të ishte të bënit ushtrime fizike në natyrë, ose të merrni disa rreze dielli, por mos harroni të studioni – Lexoni diçka emocionuese dhe motivuese çdo mëngjes (madje edhe 10 minuta në ditë mjaftojnë).