Nga Marion Mardodaj - Ky shkrim është botuar për herë të parë në datë 17 Dhjetor, 2010, në gazetën "Metropol"; pasur parasyshë situatën e rënduar në Shkodër, Oculus News po e risjell pasi ka siguruar miratimin e autorit.
Për shkak të pozicionit gjeografik, gjeologjik, tektonik, demografik dhe klimatik të veçantë Nënshkodra imponon vëmendje konstante dhe të qëndrueshme, në mënyrë që fatkeqësitë potenciale të mund të menaxhohen me efikasitet të lartë. Pra, është evident fakti që trajtimi i problemit në nivel shkencor është i padiskutueshëm.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, numri vjetor i fatkeqësive natyrore në rang global të shkaktuara nga stuhitë, përmbytjet, rrëshqitjet dhe thatësira në vitet 90 shkonte rreth 200, kurse në fillim të shekullit të ri ky numër arriti deri në 700 fatkeqësi në vit. Ky fakt pa dyshim që i atribuohet ngrohjes globale, ose evolucionit të planetit tonë, qoftë ky i përshpejtuar ose jo nga ndërhyrjet njerëzore. Në fakt, kur flasim për ngrohje globale duhet të kemi parasysh më shumë verëra të nxehta dhe më shumë përmbytje dimërore (duhet të kemi parasysh se ngrohja globale nuk ndikon vetëm në temperaturë apo në shkrirjen e akullnajave, ajo ndikon në të gjithë komponentët e planetit tonë dhe nxit tërmete, tornado, stuhi, vullkane, rrëshqitje etj). Një tjetër argument pro këtij fakti gjendet në një raport prej 2600 faqesh të nxjerrë nga takimi ndërqeveritar për ndryshimet klimatike, ku theksohet se gjatë shekullit XX temperatura globale është rritur me 0.6 C° dhe niveli i ujit me 20 cm. Tashmë ngrohja globale është fakt dhe goditja e Vendeve të Ulëta nga rritja e nivelit të detit dhe reshjeve të shumta tashmë po bëhet gjithnjë e më shumë një normë dhe jo një probabilitet. Në vitet e para të mijëvjeçarit të ri 1 person në 30 është prekur nga fatkeqësitë natyrore. Cilido që nuk ka ndier ende dridhjen e rrezikut të kohërave tona nuk ka penetruar me të vërtetë në organet jetësore të fatit, por thjesht sa i ka prekur ato, – thotë José Ortega Gasset. Ne e dimë fare mirë që ndodhemi në një periudhë ndërakullnajore dhe pas disa mijëra vjetësh periudha akullnajore do të kthehet përsëri. Le të mos shkojmë aq larg. Një tërmet i madh parashikohet të godasë Tokion në dekadat e ardhshme. Dhe nëse ndodh, shkatërrohet një ekonomi shtatëtrilionëdollarëshe, duke nxitur kështu një shkrirje të ekonomisë globale.Nuk ka dyshim se ngrohja globale ka pjesën e saj të ndikimit në fatkeqësinë e Nënshkodrës. Po të shtojmë këtu edhe veçoritë dalluese të kësaj zone, problemi bëhet alarmant. Fusha e Nënshkodrës zë një sipërfaqe prej 630 km katrorë dhe është një nga fushat më të mëdha dhe më të rëndësishme të ultësirës sonë pranë bregdetare. Ajo dallohet për kultivimin e drithërave, sidomos fushat e Karriqit, Zadrimës dhe Rencit, si rezultat i bonifikimeve dallohen për fertilitet dhe sasi të mëdha të lëndëve ushqyese.
Fushat përbërëse të kësaj ultësire janë të sheshta dhe me lartësi fare të vogël mbi nivelin e detit, ndërsa pjesa më e madhe e fushës së Velipojës ndodhet vetëm 0.5 m (1989) mbi nivelin e detit. Kjo ultësirë përshkohet nga Drini dhe Buna, dy prej lumenjve më të mëdhenj të vendit, që për shkak të shtratit të tyre të cekët dalin shpesh nga shtrati, duke shkaktuar kështu përmbytje të shumta. Në këtë ultësirë bien mesatarisht mbi 1700 mm shi në vit, ndërsa në pjesën perëndimore të Alpeve të Shqipërisë mbi 3000 mm, duke u radhitur kështu në vend të dytë në Ballkan për nga sasia e reshjeve pas Dalmateve të Malit të Zi. Kjo fushë përbëhet nga depozitime të imëta të papërshkueshme, sidomos nga argjilorët e Drinit, si rrjedhojë edhe kullimi i ujërave bëhet me vështirësi.
Problem tjetër tepër shqetësues përbën fakti që kjo zonë karakterizohet nga lëvizje tektonike ulëse. Kombinimi djallëzor i gjithë këtyre komponentëve solli si rezultat përmbytjen e kësaj zone:
– Erozioni është intensifikuar kohët e fundit dhe përbën një rrezik konstant për këtë zonë, pasi ajo është e ndërtuar nga formacione shkëmbore, që kanë ndjeshmëri të lartë ndaj këtij fenomeni.
– Kjo zonë gjendet në një proces destabilizimi tektonik dhe është e vendosur në brezin e takimit të katër zonave tektonike, gjë që dëshmohet qartë nga tërmetet e vazhdueshme që godasin këtë zonë. Është e rëndësishme të përmendim këtu tërmetin e 15 prillit 1979, i cili shkaktoi çarje të truallit, shembje, rrëshqitje dhe një sërë pseudovullkanesh balte, por edhe dëme materiale e viktima njerëzore.
Pra, relievi i Ultësirës së Nënshkodrës nuk është i qetë si në aspektin tektonik, ashtu dhe eroziv, ndërsa ndryshimet klimatike të kohëve të fundit konfirmojnë kompleksitetin e problemit të kësaj zone.
Me sa duket, Nënshkodra do të mbetet një problem permanent dhe një shqetësim kombëtar, që imponon vëmendje dhe energji suplementare./Oculus News
Tags
Opinion