Festivali i Filmit Shqiptar (AFW) këtë vit prezanton 18 filma në Nju Jork

Nga: Ermira Babamusta, New York

Çdo vit, festivali i filmit shqiptar në Nju Jork, “Java e Filmit Shqiptar” (Albanian Film Week -AFW) rrit nivelin kulturor të Nju Jorkut, një qytet i pasuruar në art dhe kulturë. Programet argëtuese dhe promovuese të festivalit paraqesin para publikut amerikan dhe atij shqiptar projektet më të rejat filmike të regjizorëve, producentëve, dhe aktorëve shqiptar. 

Falë punës së palodhur të organizatores dhe drejtoreshës të festivalit Mrika Krasniqi, krijimtaria artistike shqiptare po tërheq vëmendje dhe po vlerësohet edhe në Amerikë.

Java e Filmit Shqipar në Nju Jork (Albanian Film Week) është ideuar dhe themeluar nga producentja dhe regjizorja Mrika Krasniqi. Edicioni i festivalit të filmit u mbajt për herë të parë në 5-11 nëntor 2012, ku u shfaqën 100 filma të kinematografisë shqiptare për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit shqiptar.

Këtë vit do jenë 20 artistë shqiptarë nga trojet shqiptare që do jenë të pranishëm në festivalin e filmit në Nju Jork, i cili zhvillohet me datat 26-29 maj 2017 në Manhattan. Juria e festivalit përbëhet nga pesë anëtarë: Fatrin Krajka, kompozitor dhe pianist klasik; Jamal Hodge, regjizor, shkrimtar dhe producent; Amina Zhaman, regjizore, skenariste, këngëtare; Lulzim Guhelli, aktor, drejtor dhe scenarist; dhe Diar Xani, aktor, regjizor dhe producent. Moderatori i programit të edicionit të 6-të të AFW është aktori i mirënjohur, Enkelejd Mezini.

Në garën konkuruese të festivalit janë pranuar 18 filma, nga 46 që janë dërguar. Midis tyre, 3 filma janë me metrazh të gjatë, 3 dokumentarë, edhe 12 filma me metrazh të shkurtër, të zhanreve të ndryshme. Filmat me metrazh të gjatë janë: Hije (regj. Jotti Ejli), Home Sweet Home (regj. Faton Bajraktari) dhe Eho (regj. Dren Zherka).

26 Maj 2017: Nata e Parë e Festivalit – Tapeti i Kuq dhe Filmat

Programi i Edicionit të 6-të të Javës së Filmit Shqiptar në Nju Jork fillon me datën 26 maj 2017, me natën e Tapetit të Kuq në orën 7:00 që do mbahet në teatrin prestigjioz SVA Theatre, në Manhattan.

Ceremonia e hapjes fillon në orën 8:00, ku më pas do shfaqet filmi me metrazh të gjatë i regjizorit Jotti Ejlli, me titull “Hije”. Disa nga aktorët  kryesorë të filmit janë: Alfred Trebicka, Genti Kame, Antonio Kowdrin dhe Egla Ceno. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.



Filmi “Hije” tregon për ngjarjen e vrasjeve të disa personave që ka tronditur një qytet të vogël, ku një grup me të shkuar kriminale është eliminuar brenda natës. Një prokuror heton mbi çështjen duke pyetur të vetmen dëshmitare që është pjesë e ngjarjeve, Gjithçka duket sikur ka ndodhur për motive të dobëta xhelozie. Por e vërteta që kurrë nuk do kuptohet, është komplet e kundërt.

27 Maj 2017: Nata e Dytë e Festivalit – Debati dhe Filmat

Nata e dytë e Festivalit (27 maj) hapet me Debatin që ka për fokus dhe temë rëndësinë e post-produksionit. Debati do udhëhiqet nga juria e festivalit dhe do mbahet në Times Square në “Paul’s” në orën 12:30.  Po me 27 maj 2017 do shfaqen 6 filma tek Producers Club Theatre, të pronarëve të njohur shqiptar Alfred the Ernest Tollja në Times Square.

Në orën 4:00 programi hapet me dokumentarin e Mathieu Jouffre me titull “Drums of Resistance” (Daullet e Rezistencës). Dokumentari flet për rënien e regjimit jugosllav në fillim të viteve 90-të, ndërkohë kur regjimi serb ndalon shqiptarët e Kosovës të jenë pjesë e jetës publike, duke përfshirë shkarkim nga puna, mbyllje të shkollave dhe universiteteve dhe mbyllja e mediave.

Programi vijon me filmin dramë me metrazh të  shkurtër “Brava” (The Lock) me regji nga Bujar Alimani dhe Erand Sojli, i cili do shfaqet në orën 6:00Filmi me skenar nga Erand Sojli është frymëzuar nga ngjarjet e fluksit të madh të refugjatëve sirian për në Europë. Personazhet kryesore luhen nga Rina Narazani, Erand Sojli, Flonja Kodheli dhe Greta Sojli

Brava the lock


Regjizori dhe skenaristi Ibër Deari mer pjesë me filmin “A Long Way Home” (Një rrugë e gjatë për në shtëpi). Filmi bën fjalë për një djalë me emrin Olti, i cili pasi lirohet nga burgu, i ndalohet të futet në fshatin e tij. Ai mbetet mes dilemës, rrezikut për familjen e tij ose të ik larg që të filloj një jetë të re. Në këtë film luajnë aktorët: Mirsad Abazi, Sefedin Shabani dhe Musa Isufi.

A longwayhome
Regjizorja, dhe skenaristja Luli Bitri, merr pjesë me filmin me metrazh të shkurtër “Water for the Roses” (Ujë për trëndafilat), që flet për jetën e një familje të brishtë, e cila përpiqet të mbijetojë nga dhuna në vend nga ngjarjet e 1997-tës. Aktorët kryesore të filmit janë: Amelia Ndoni dhe Gora Bardho.

Festivali prezanton gjithashtu filmin “Shpirtra të humbur” (Lost Souls) me regji nga Xhustin Kristian. Filmi flet për dy personazhe Gabrielin dhe Orelia, takimi midis tyre ndikon në gjëndjen e tyre shpirtërore.  Në këtë film luajnë aktorët: Xhustin Kristian, Sindi Cela dhe Enkel Gurakuqi. Pas shfaqjes së filmit është seanca Q&A.

Nata e dytë e festivalit mbyllet me shfaqjen e filmit “Home Sweet Home” të regjizorit Faton Bajraktari. Filmi kosovar me metrazh të gjatë, me regji nga Zymber Kelmendi, flet për jetën e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Në këtë film luajnë aktorët: Donat Qosja, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Mona Mustafa, Lea Qosja, Albin Bajraktari. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.

homesweethome


28 Maj 2017: Nata e Tretë e Festivalit – Filmat dhe Seancat Q&A

Me 28 mars 2017, festivali vazhdon programin natën e tretë të festivalit “Java e Filmit Shqiptar”  me shfaqjen e 7 filmave shqiptarë. Programi hapet në orën 5:00 me shfaqjen e dokumentarit “Beyond the Gates” (Përtej Portave) të regjizorit dhe skenaristit Besim Ugzmajli. Filmi bën fjalë për jetën e e re të tre personave pas lirimit të tyre nga burgu.

Festivali i Filmit Shqiptar (AFW) këtë vit prezanton 18 filma në Nju Jork

Në orën 6:00 shfaqet filmi me metrazh të shkurtër “The Last Journey” (Udhëtimi i Fundit) me regji nga Elis Gjoni, shkruar nga Shtatë 7, dhe producent Erlin Rudho. Aktorët kryesor të filmit janë: Ndrec Mustafa dhe Ergest Musabelliu që luajnë rolin e gjyshit dhe nipit.

Më pas do shfaqet filmi dramë me metrazh të shkurtër “Ana” e regizores Ajola Daja. Filmi Ana flet për një mësuese 28 vjeçe e cila jep lëndën e letërsisë në një shkollë të mesme në Tiranë. Ajo bashkëjeton prej vitesh me Benin 32 vjeç, një biznesmen i suksesshëm. Mirëpo, në anën tjetër Ana ka një lidhje dashurie me Ergin 17 vjeç, nxënësin e saj. Në rolet kryesore janë aktorët: Ina Gjonci, Enkel Gurakuqi dhe Igli Zarka. 

Drama komedi me metrazh të  shkurtër “Meeting” (Takimi) me regji dhe skenar nga Durim Kryeziu, flet për karakterin e Bush-it, i cili ka një takim për investime për institucionin e tij kulturor që ai drejton. Ai ka përgatitur kontratën, fjalimin dhe është gati për takimin, por i mungon diçka. Në këtë film luajnë aktorët: Hysen Binakun, Miradije Muriqi, Ramadan Kurti.

meeting


Programi vjon me shfaqjen e dramës me metrazh të shkurtër “Përralla” me regjizor Sabidin Ali. Filmi tregon historine e dhimbshme të dashurisë midis Agronit dhe Lenës, të cilën gjyshi Beni ia tregon mbesës së tij, Rona. Në këtë film luajnë aktorët: Sefedin Nuredini, Merita Cocoli, Arsim Kaleci, Shpetim Beadini, Aurela Shabani, Naime Azi dhe Elmedina Ameti.

Filmi me metrazh të shkurtër “Në pritje të fatit” me regji nga Kastriot Avdyli, flet për jetën e një të riu, i cili martohet me një të huaj për letra me dëshirë për tu integruar në perëndim. Në këtë film luajnë aktorët: Liridona Shehu, Ismail Kasumi, Hamdi Rashiti dhe Bekim Ismani. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.

Progami i natë së tretë mbyllet me filmin me metrazh të gjatë “Eho” me regji dhe skenar nga Dren Zherka, i cili do shfaqet në orën 8:00. Në rolet kryesore janë aktorët Klara Hofels dhe Selman Jusufi. Film “Eho” flet për humbjen, vetminë, dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal, dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen dhe vetminë e saj; një njeri të moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjell në fund të udhëtimit të tij.

eho


29 Maj 2017: Nata e Katërt e Festivalit – Filmat dhe Ndarja e Çmimeve

Te teatri PC Theatre me 29 maj, ora 5:00, program fillon me shfaqjen e dokumentarit “City of Walls” (Qyteti i mureve) me regji nga Eneos Çarka. Dokumtari tregon për grafitin dhe artin në mur në qytetin e Tiranës, që reflekton konfliktin që egziston midis kulturës, politikës dhe shoqërisë. Në këtë dokumentar marrin pjesë: Stivi Imami, Franko Dine, Sidrit Tarifa, Çeta, Shook Ones.

Në orën 6:00 do shfaqet filmi dramë me metrazh të shkurtër “Toka” me regji dhe skenar nga Ibrahim Deari, producent Arben FejzullauFilmi paraqet konflikt mentalitetesh ndërmjet dy vëllezërve, njeri i cili jeton në fshat dhe tjetri i cili kthehet nga jashtë për t`ia shitur tokën. Për vëllanë e madh, toka është vlera më e madhe që ia ka lënë babai para se të vdes, kurse për vëllanë e vogël i cili pas tetë vjetësh kthehet në shtëpi, toka është vetëm një pjesë tjetër e tokave e cila nuk ka vlerë. Konflikti në mes dy vëllezërve njeri që jep besën që do të vdes për ta ruajtur tokën, kurse tjetri i cili ka ardhur për një qëllim, për ta shitur atë. Në këtë film luajnë aktorët: Adem Karaga, Afrim Mucaj, Amernis Nokshiqi, Sefedin Nuredini, Sefedin Shabani, Vebi Qerimi and Muzbajdin Qamili.
Programi vijon me filmin me metrazh të shkurtër “Beneath the Surface” (Nën sipërfaqe) me regji dhe skenar nga Dhimitër Ismailaj-Valona. Filmi tregon për historinë se si një baba dhe bir me etnicitet arab, duke pritur për trenin për t’u kthyer në shtëpi, ballafaqohen me katër gansterë. Në këtë film luajnë aktorët: Danny Boushebel, Khalid Alzouma, Raleigh Dean, Elza Zagreda, Jason John Beebe, Rick Lewis dhe Christopher Dickerson.
Më pas do shfaqet filmi “My Hero” (Heroi im) me regji nga Arbër Krasniqi, xhiruar në Kosovë dhe në Shqipëri. Filmi ka për qëllim projektimin e drejtë të luftës së të UÇK-së, duke u nisur nga prezantimi i vlerave universale njerëzore që fitojnë edhe në rrethana lufte. Pas një aksioni të ndërmarrë, Genci, një ushtar i UÇK-së, nuk arrin të kthehet në transhe. Pas pritjeve të gjata, Lumi, komandant i njësitit, vendos të futet i vetëm në aksion për ta nxjerrë Gencin e plagosur, nga pika e zjarrit. Gjatë këtij aksioni, në tërheqje e sipër, Lumi plagoset rënd dhe ndërron jetë pasi kthehen në transhe. Genci shpëton. Më pas zhvillohet drama e atij që ka mbijetuar luftën. Në këtë film luajnë aktorët: Labinot Lajci, Avni Dalipi, Fron Zehri, Çerkin Krasniqi. Pas shfaqjes së filmit është seanca pyetje përgjigje Q&A.
Në orën 8:30 me datën 29 maj 2017 do mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve. Këtë edicion do ndahen 6 çmime: Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë; Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër; Dokumentari më i mirë; Aktori më i mirë; Aktorja më e mirë; dhe Çmimi i Produksionit (www.albanianfilmweek.net).  /Oculus News
Previous Post Next Post